Komisioni Evropian vlerëson lartë progresin e ZKA-së në forcimin e llogaridhënies publike
Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian për Kosovën për vitin 2025 i publikuar të martën ka vlerësuar lartë progresin e arritur nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në forcimin e auditimit të jashtëm, rritjen e cilësisë së punës dhe përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies publike.
Raporti thekson se ZKA-ja ka bërë përparim të dukshëm në zbatimin e Planit Strategjik 2023-2026 duke realizuar 68 për qind të objektivave si dhe ka miratuar Strategjinë për auditime të Teknologjisë së Informacionit 2025-2027 për të mbështetur digjitalizimin e proceseve të auditimit.
Raporti vlerëson lartë edhe përmirësimin e cilësisë së auditimit të jashtëm, përmes miratimit të udhëzimeve të reja për menaxhimin e cilësisë.
ZKA kreu më shumë auditime, rriti përqendrimin te auditimet e performancës, ndoqi rekomandimet e vitit 2019 dhe me sukses, filloi zbatimin e një sistemi për të monitoruar progresin në zbatimin e rekomandimeve.
Megjithatë, Raporti thekson se zbatimi i rekomandimeve të ZKA-së nga institucionet publike mbetet sfidë, sepse vetëm 37 për qind e rekomandimeve janë zbatuar plotësisht. Te ndërmarrjet publike ky nivel bie në 25%, duke nënvizuar nevojën për rritjen e përgjegjësisë institucionale.
Janë evidentuar përmirësime në mbikëqyrjen parlamentare, duke theksuar shqyrtimin e 24 raporteve të auditimit nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike për vitin 2024.
Raporti parasheh se publikimi më i qasshëm i gjetjeve të auditimit, rekomandimeve dhe veprimeve pasuese (follow-up) do të rrisë edhe më tej transparencën e auditimit të jashtëm dhe mbështesë përpjekjet tashmë proaktive të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të komunikuar në mënyrë efektive me administratën publike, organizatat e shoqërisë civile, mediat dhe akademinë. Këto përpjekje kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e transparencës dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e auditimit.
Ndër të tjera Raporti i Komisionit Evropian thekson vlerësimin e Barometrit Ballkanik për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, duke e renditur ZKA-si institucionin më të besueshëm në rajon.
Komisioni Evropian përmes këtij raporti thekson nevojën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, për të siguruar se mandati, kompetencat dhe pavarësia e ZKA-së janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.
Në emër të Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka mirëpritur konstatimet e Komisionit Evropian dhe riafirmon përkushtimin e saj për të forcuar transparencën, siguruar zbatimin e rekomandimeve dhe avancuar më tej praktikat më të mira të auditimit publik, në shërbim të llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.



