
Komisioni i Venecias rrëzon planin e Qeverisë Kurti: Rrezikohet nënshtrimi i prokurorisë
Komisioni i Venecias i ka hedhur poshtë dispozitat kryesore të Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), të përgatitur nga Qeveria. Në opinionin e publikuar të hënën, Komisioni i Venecias e ka konsideruar të rrezikshëm planin e Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial.
Komisioni i Venecias ka thënë se reforma që qeveria planifikon ta bëjë në sistemin prokurorial nuk duhet të çojë në nënshtrimin e Këshillit Prokuorial ndaj shumicës qeverisëse.
“Reforma nuk duhet të çojë në nënshtrimin e KPK-së ndaj mazhorancës qeverisëse. Projekt amendamentet propozojnë që të gjithë anëtarët e pavarur të zgjidhen me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Ky propozim rrit rrezikun e ndikimit të panevojshëm politik mbi KPK-në dhe duhet rishqyrtuar”, është thënë në opinionin e Komisionit të Venecias.
Komisioni i Venecias ka theksuar se duhet të sigurohet që komponenti bazë i KPK-së të jetë mjaftueshëm pluralist, në mënyrë që anëtarët e emëruar me votat e shumicës qeverisëse në Kuvend, nuk do të mund të udhëheqin të vetëm.
Organi që interpreton dhe këshillon mbi probleme rreth demokracisë dhe ligjit, i konsideron të panevojshme propozimet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës për ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial.
Në opinionin e Komisionit të Venecias rekomandohet zgjedhja e anëtarëve të pavarur të Këshillit Prokurorial vetëm me një shumicë më të madhe sesa shumica qeverisëse në Kuvend. Kësisoj, Komisioni i Venecias ka këshilluar që anëtarët të pavarur të KPK-së të mos dalin nga Kuvendi i Kosovës, por nga institucionet e jashtme të pavarura apo shoqëria civile.
“Zgjedhja me shumicë të thjeshtë duhet të zëvendësohet me një sistem zgjedhor proporcional, ose emërimin e disa anëtarëve të pavarur nga institucionet e jashtme të pavarura ose shoqëria civile”, ka rekomanduar Komisioni i Venecias.
Komisioni i Venecias e ka vë në pikën e parë të rekomandimeve çështjen e kryeprokurorit, që sipas këtij komisioni, ai duhet të mbetet anëtar i KPK-së.
“Autoritetet duhet ta konsiderojnë mbajtjen e prokurorit të përgjithshëm si anëtar ex officio i KPK-së (me një rregullim përkatës të përbërjes së KPK-së, nëse është e nevojshme)”.
Rekomandimet vijojnë duke përjashtuar edhe opsionin e përzgjedhjes së anëtarëve nga një komision parlamentar, që konsiderohet si zgjidhje komplekse dhe e paqartë.
“Procedura e parazgjedhjes së anëtarëve të pavarur nga një komision parlamentar është gjithashtu komplekse dhe, në të njëjtën kohë, e paqartë. Kjo hap derën për manipulime, kështu që Komisioni i Venecias rekomandon që kjo procedurë t’i nënshtrohet një rishikimi të thellë”, është thënë në dokumentin e Komisionit të Venecias.
Kjo, sipas këtij komisioni do t’u jepte shumë pushtet komisionit që i zgjedh anëtarët e KPK-së, e që do të dominohej nga ata që s’janë prokurorë.
“Nëse është i nevojshëm një lloj trupi filtrues, ai duhet të përbëhet nga prokurorët, ose të paktën shumica e prokurorëve”, është thënë në këtë dokument.
Të rrezikshme për pavarësinë e prokurorisë, Komisioni i Venecias i ka cilësuar edhe dispozitat që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve të KPK-së.
“Dispozitat kalimtare që parashikojnë përfundimin e parakohshëm të mandateve të të gjithë anëtarëve aktualë të KPK-së, dhe duke lejuar KPK-në e ripërtërirë të funksionojë vetëm me anëtarët e pavarur në përbërjen e saj, janë të rrezikshme për pavarësinë e prokurorisë dhe duhet rishikuar. KPK-ja e re mund të fillojë të funksionojë vetëm kur të gjithë anëtarët janë zgjedhur”, është thënë në opinionin e Komisionit të Venecias.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në parashtresat e saj, është zotuar se do ta rishikojë propozimin për përbërjen e KPK-së dhe se do të largohet nga ideja për funksionalizimin e KPK-së pa praninë e anëtarëve të prokurorisë, si dhe ndryshimin e çështjeve të tjera, thuhet në fund të dokumentit të publikuar nga Komisioni i Venecias.
Në tetor, Haxhiu ka kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias për Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të cilin e kishte përgatitur paraprakisht.