Komisioni kërkon më shumë kohë për fakte rreth demarkacionit

26 dhjetor 2017 | 15:12

Komisioni i ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kanë ripërsëritur se ish-komisioni nuk ka bërë demarkacion as shënjim të vijës, por vijë të re kufitare.

Përfaqësuesit e këtij komisioni, të cilët raportuan para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, kanë theksuar se kanë hartuar një raport preliminar dhe jo përfundimtar, pasi që siç thonë ata ‘nuk kanë pasur shumë kohë’.

Sipas tyre, nëse do të kishin më shumë kohë do të gjenim edhe më shumë gabime të bëra nga komisioni i vjetër, si dhe do të sillnin edhe fakte. Anëtarët e Komisionit kanë thënë se Qeveria iu kishte dhënë afat atyre që ta përfundojnë raportin para vitit të ri.

Megjithatë, ata kanë thënë se janë të përgatitur për çdo gjë, qoftë edhe rinegocim, qoftë për arbitrazh ndërkombëtar.

Kryesuesi i këtij komisioni, Shpejtim Bulliqi, ka theksuar se nga dokumentacioni që iu është ofruar, kanë ardhur në përfundim se ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat duke i lejuar vetës t’i futet procesit të delimitimit pa një marrëveshje paraprake.

“Marrëveshja e nënshkruar për kufirin në nenin 4 të kësaj marrëveshje shkruan ‘kufiri shtetërorë do të shënohet me shenja kufitare, kufiri shtetëror do të shënohet në periudhën dy vite nga hyrja në fuqi ë kësaj marrëveshje’. Kjo bënë të kuptosh se komisioni ynë nuk ka bërë demarkacion, as shenjim të vijës kufitare, por ka bërë përcaktim të vijës kufitare”, ka thënë Bulliqi.

Nga hulumtimet që janë bërë në institucionet vendore dhe jashtë territorit të Kosovës, Bulliqi ka thënë se Komisioni ka ardhur në përfundim që shumë objekte të ndryshme infrastrukturore në atë territor, që sot është diskutabil i ka menaxhuar Kosova.

“Kosova ka menaxhuar me rrugën, Kosova e ka ndërtuar rrugën, ka shtruar asfaltin dhe e ka mirëmbajtur rrugën, si dhe ka bërë ato projekte për rrugën. Kosova e ka kontrolluar atë territor në bazë të një shkrese që e kemi të Policisë së Kosovës deri më datën 12.01.2009, kur për herë të parë nga pala malazeze kërkohet që kompanitë tona tani e tutje të mos shkojnë t’i mirëmbajnë ato rrugë të cilën e kemi mirëmbajtur për më shumë se 67 vite”, është shprehur Bulliqi.

Bulliqi ka thënë se kur kihen parasysh këto dhe hulumtimet tjera Komisioni vjen në përfundim se vija administrative e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës nuk është identike me vijën kufitare të cilën e ka prodhuar ish-komisioni.

Qeveria e Kosovës tashmë e ka proceduar për në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bashkë me të gjeturat e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit.

Aida Dërguti, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur joserioze procedimin e projektligjit në Kuvendin e Kosovës me një raport preliminar, dhe ka kërkuar nga Komisioni që të dihet koha kur do të kenë një raport përfundimtar.

“Ne nuk guxojmë të marrim vendime si Kuvend, pa e pasur raportin përfundimtar, që nënkupton saktësinë maksimale të argumenteve të parashtruara”, ka thënë Dërguti.

Deputetët e opozitës nga legjislatura e kaluar, pretendonin se me Marrëveshjen e vitit 2015, për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor. Pjesë e opozitës së atëhershme ishte edhe kryeministri aktual, Ramush Haradinaj, i cili njihet për kundërshtimin e versionit të marrëveshjes aktuale për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, besohet se po e mban peng procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ngase Komisioni Evropian e ka vënë atë si kusht që Kosova duhet ta përmbushë për heqjen e vizave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka mbajtur të…