
Komisioni koordinues i ICMG-së për Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ vizitoi Kosovën
Komisioni Koordinues i Komitetit Ndërkombëtar për Lojërat Mesdhetare (ICMG) për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, i kryesuar nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv të ICMG-së, Julian Pace Bonello, realizoi një vizitë zyrtare në Prishtinë nga data 27 deri më 29 korrik 2025.
Gjatë kësaj vizite dyditore, përfaqësuesit e ICMG-së, në prani të sekretarit të përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippousis, zhvilluan takime me drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidentin Ismet Krasniqi, sekretarin e përgjithshëm, Besim Aliti dhe nënpresidentin Milaim Kelmendi, përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përfshirë ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati dhe zëvendësministren për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, si dhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, me qëllim të shqyrtimit të statusit të përgatitjeve për ngjarjen më të madhe sportive ndonjëherë të mbajtur në Kosovë.
Diskutimet u fokusuan në sfidat aktuale dhe në themelimin e Komitetit Organizues “OCMG” Prishtina 2030, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të të gjithë akterëve kombëtarë: KOK, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, komision ky që do të kryesohet nga presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ritheksoi përkushtimin e saj të plotë për organizimin e suksesshëm të Lojërave, si dhe angazhimin e pandërprerë për financimin e vazhdueshëm të projektit më të madh ndonjëherë të zbatuar në vend, ashtu siç është paraqitur në dosjen e kandidaturës.
Kryetari i Prishtinës Rama konfirmoi mbështetjen institucionale për projektet dhe investimet që lidhen me Komunën e Prishtinës, në mënyrë që qyteti të jetë i gatshëm të mirëpresë dhe të akomodojë mbi 15 mijë mysafirë gjatë kohës së Lojërave.
Në përfundim të vizitës, u njoftua se Komisioni Koordinues do të raportojë për progresin dhe rekomandimet e dala nga kjo vizitë në takimin e Komitetit Ekzekutiv të ICMG-së, i cili do të mbahet më 28 nëntor 2025 në Portimao të Portugalisë.
Gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të Përgjithshme të ICMG-së, që do të mbahet më 29 nëntor 2025, Komiteti Organizues Prishtina 2030 do t’i paraqesë familjes së ICMG-së progresin e përgatitjeve dhe planin kryesor të Lojërave.