Komisioni miraton marrëveshjen me BE për reforma e rritje

13 shkurt 2026 | 13:22

U miratua shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe BE-së, mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.

Ministri i Financave, Hekuran Murati shpjegoi se kjo marrëveshje përbëhet nga agjenda e reformave dhe pjesa e financimit apo e kredisë.

“Kjo është marrëveshja e instrumentit për reforma të Planit të Rritjes. E mira e kësaj është, që përveç shpërblimit financiar, ose si mund ta quajmë ashtu, kjo në vetvete kjo marrëveshje përmban pra edhe miratimin e reformave të ndryshme që janë dakorduar me Bashkimin Evropian, e për më tepër pra synimi është që përmes këtyre reformave të arrihet edhe më tej përshpejtimi i konvergjencës pra drejt standardit të Bashkimit Evropian”, tha ai.

Murati theksoi se Kosova është përfituesja më e madhe në raport me bruto produktin vendor, me rreth 10%.

“Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.

Ai tha se qëllimi i marrëveshjes kornizë është krijimi i bazës së përgjithshme kontraktuale që ia mundëson Kosovës përfitimin e fondeve nga BE. Ndërkaq marrëveshja për kredinë rregullon kushtet  për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.

Tashmë pas miratimit në Komision, kjo marrëveshje do të hidhet në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Mblidhet Komisioni për Integrime Evropiane, shqyrton marrëveshjen me BE-në

Është mbledhur Komisioni për Integrime Evropiane, anëtarët e së cilët do ta shqyrtojnë projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me BE-në.

Më konrektisht bëhet fjalë për marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.

Pas shqyrtimit, marrëveshja do të kalojë në votim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ende nuk dihet për orën kur do të mbahet seanca.

Ngërçi politik një vjeçar shkaktoi vonesa në miratimin e kësaj marrëveshje, në të cilën Kosova përfiton shumën prej 882.6 milionë eurove, që ofrohen brenda këtij instrumenti për reforma dhe rritje.\rtk\.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 56-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, studentët zgjodhën…