Komisioni parlamentar miraton Projektligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

07 prill 2026 | 13:12

Komisioni për Kulturë, Turizëm dhe Sport ka miratuar Projektligjin nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Në favor të këtij projektligji kanë votuar deputetë dhe një abstenuar.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, gjatë raportimit në këtë komision, ka thënë se qëllimi i projektligji është përcaktimi i rregullave, procedurave, detyrave dhe përgjegjësive të institucioneve për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.

Në këtë kontekst, Gashani ka thënë se qeveria do të ndajë fonde publike për këtë qëllim në shumën prej të paktën 253 milionë e 445 mijë e 501 euro.

“Ky projektligj rregullon gjithashtu kompetencat e Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komunës së Prishtinës, si dhe të komunave të tjera, të cilat do të përmbushin obligimet e tyre në raport me organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’. Në përputhje me mbështetjen financiare të garantuar nga qeveria e Republikës së Kosovës në dokumentin e kandidaturës, burimi kryesor i financimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare do të jetë buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Sportit dhe Rinisë, e ka sportin prioritet. Duke pasur parasysh se Kosova tashmë ka marrë përsipër organizimin e këtyre lojërave që do të mbahen në vitin 2030, është e domosdoshme adresimi i një sërë kërkesash obligative, ndër të cilat është krijimi i kushteve sa më të mira për zhvillimin e ngjarjes sportive në vend. Gjithashtu, konsiderojmë se përmes këtij projektligji do të krijohen mekanizma adekuatë për organizimin e ngjarjes sportive, duke paraparë bashkëpunimin institucional dhe duke siguruar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për realizimin sa më të suksesshëm të tyre”, ka thënë Gashani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajza 19-vjeçare e Brad Pitt dhe Angelina Jolie, Shiloh Nouvel…