Komisioni për buxhet miraton dy marrëveshje ndërkombëtare

31 janar 2024 | 14:26

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Zvicrën për Projektin e “Qëndrueshmëria klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë” si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferove, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për programin e energjisë Solare i (Solar4Kosovo).

Për të prezantuar këto marrëveshje i pranishëm për raportim ishte ministri i Financave, Hekuran Murati.
Duke folur për projektligjin e parë, Murati ka thënë se ky është një projekt i rëndësishëm që do të ketë ndikim tek kompanitë rajonale të ujësjellësve në vend.

Sipas tij, ky projekt parasheh që të këtë mbi 8 milionë franga zvicerane.

Sa i përket marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferove, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për programin e energjisë solare i (Solar4Kosovo), Murati ka thënë se bëhet fjalë për një projekt në vlerë prej rreth 29 milionë euro.

Sipas tij, projekti në përgjithësi parasheh që të kushtojë mbi 100 milionë euro. Ai ka theksuar se synimi kryesor i projektit është ngritja e prodhimit të energjisë elektrike.

“Ky projekt në tersi parasheh një investim të paneleve solare. Është një park i ri solar që do të bëhet me djerrinat e KEK-ut ku do të përshtatet toka dhe bëhet fjalë për një projekt me kapacitet të instaluar deri në 100 megavatë, e i cili përgjatë vitit parashihet që të prodhoj 152 gigavatë ore energji elektrike në vit. Synimi kryesor i projektit është ngritja e prodhimit të energjisë elektrike. Projekti në tersi parashihet që të këtë kosto rreth 103.7 milionë euro, 31.7 milion euro i kemi të siguruara nga korniza investuese e Ballkanit Perëndimor, 33 milionë euro të tjetra parashihen që të jenë kredi nga Banka Evropiane për Investime të BE-së si dhe 10 milionë euro parashihet që të jetë kontribut i vetë KEK-ut”, ka thënë Murati.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka pyetur ministrin Murati se çfarë ka bërë ekzekutivi sa i përket investimeve për shfrytëzimin e thëngjillit në vend.
Në këtë kontekst, Murati ka thënë se vitin e kaluar janë investuar 60 milionë euro, për të rinovuar turbinat në dy blloqet e “Kosovës B”, si dhe ka premtuar edhe 100 milionë euro të tjera të bëhet edhe ndërrimi i filterave në dy blloqet e termocentralit “Kosova B”.

Këtë projektligj nuk e ka votuar deputeti i LV-së Eman Rrahmani, i cili ka abstenuar.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se nëse në seancë ky projektligj do të mbetet pa kaluar për një votë, ai do të mbështesë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), do të mbajë edhe një…