Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet kushtetuese
Me 6 vota për dhe 2 kundër Komisioni për Legjislacion i ka miratuar ndryshimet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Tani këto ndryshime priten të shqyrtohen në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës. Kundër këtyre ndryshimeve votuan dy anëtarët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu Kodra.
Para votimit të ndryshimeve kushtetuese pati një debat të ashpër ndërmjet anëtarëve të këtij komisioni. Kryetari i këtij komisioni, Përparim Gruda, vlerësoi se ndryshimet kushtetuese të para një dekade nuk mund të votohen tani, derisa anëtarët e LVV-së, Adnan Rrustemi, Vigan Qorrolli e Adnan Abrashi vlerësuan se ato e kanë vulën e Gjykatës Kushtetuese dhe ajo që ka mbetur është vota në Kuvend.
Sipas ndryshimeve të propozuara, presidenti i shtetit do të duhej të zgjidhej me votë direkte nga qytetarët.
Abrashi: Janë krijuar rrethanat që ta shtyjmë përpara këtë proces
Edhe anëtari tjetër nga LVV, Adnan Abrashi ka thënë se ndonëse si rast është i vjetër, ai i ka kaluar të gjitha procedurat e përcaktuara.
“Krejt çfarë ka mbetur kjo punë pa u materializuar ka qenë vota në Kuvendin e Kosovës. Tash janë krijuar rrethanat që ta shtyjmë përpara këtë punë. Krejt kjo që po e diskutoni konisderoj nuk është e rendësishme. Pyetja më e rëndësishme që të gjithë e shtrojmë sot është kjo: A do të duhej që qytetarët e Repunblikës së Kosovës si sovran i këtij vendi ta kenë të drejtën për ta zgjedhur presidentin e tyre me votë të drejtpërdrejt. A do të duhej ne si deputetë që ta avancojmë demokracinë deri në atë përmas sa që qytetarëve ta zgjedhin të parin e shtetit pa iu nënshtruar interesave të partive politike”, ka thënë Abrashi, duke kërkuar nga kryesuesi i këtij komisioni Përparim Gruda që të procedoj tutje dhe të mos zgjatet debati.
Lushaku: Reformat kushtetuese kërkojnë kohë, jo procedim urgjent
Deputetja Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, deklaroi se procedimi i amendamenteve kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e presidentit nuk duhet të bëhet me urgjencë.
Sipas saj, sonte ishte parashikuar të ishte nata e fundit që partitë politike të gjenin një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit të shtetit në Kosovë. Lushaku theksoi se disa amendamente, të cilat datojnë nga viti 2011, po procedohen me urgjencë, ndonëse çështje të tilla kërkojnë analizë, kohë dhe debat të mirëfilltë.
Ajo shtoi se partia e saj kishte qenë pjesë e iniciativës për këto ndryshime kushtetuese në të kaluarën, por në kushtet e krizës aktuale politike, procedimi i tyre nuk përbën zgjidhje afatshkurtër.
Duke iu drejtuar deputetit të Artan Abrashi, Lushaku pyeti se pse amendamentet nuk janë trajtuar më herët gjatë pesë viteve të fundit, duke theksuar se reformat kushtetuese nuk duhet të bëhen në moment krizash politike.
Qorrolli: Amendamentet të shqyrtohen në bazë të përmbajtjes dhe procedurës kushtetuese
Deputeti i VV-së, Vigan Qorrolli theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës mbetet e njëjtë dhe se, përderisa nuk ka ndryshuar praktika apo precedenti për çështje të ngjashme, amendamentet kushtetuese të vlerësuara më parë nga Gjykata Kushtetuese konsiderohen kushtetutshmërisht valide. Ai shtoi se komisioni duhet të fokusohet në përmbajtjen e amendamenteve dhe të deklarohet nëse është pro apo kundër tyre, duke i shqyrtuar ato “germë për germë”, në mënyrë që propozimi të procedohet për seancë plenare për votim, sipas procedurës kushtetuese të parashikuar në Kosovë. Qorrolli theksoi po ashtu se çështjet periferike, si mënyra e dorëzimit të dokumenteve apo procedurat administrative të ngjashme, nuk janë të rëndësishme për punën e Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës.
Deliu Kodra: Kosova nuk ka krizë kushtetuese, Kosova ka krizë për të siguruar marrëveshje politike
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, lidhur me shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të vendit e ka cilësuar të pazakontë kohën kur po trajtohen këto ndryshime, duke theksuar se vendi ndodhet në përmbyllje të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.
“Është shumë e çuditshme pse në këtë kohë, kur jemi në përmbyllje të afatit kushtetues. Kushtetuta nuk besoj që mund të ndryshohet për t’i zgjedhur interesat personale të askujt, Kosova nuk ka krizë kushtetuese, Kosova ka krizë për të siguruar marrëveshje politike, konsensus, prandaj për herë të parë po dështon zgjedhja e presidentit, për shkak të mungesës së shumicës për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja, në këtë rast zgjedhjes së Presidentit ose Presidentes”, tha Deliu-Kodra.
Rrustemi: Amandamentet t’i procedohen seancës plenare
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e LVV-së, Adnan Rrustemi ka thënë se rrethana në të cilat ndodhemi, edhe i shpjegon edhe i justifikon edhe kohën e shkurtër edhe thirrjen e mbledhjes brenda ditës dhe rekomandimet duhet të procedohen në seancë plenare.
“Por, kjo nuk është esenciale sa i përket kësaj çështje. Natyrisht në një rrethanë tjetër do të ishte më mirë të kishim kohë më shumë. Por, këto nuk janë elemente esenciale që e pengojnë as procedurën e as procesin. Esenciale këtu janë tri elemente: e para pala e autorizuar që mund të propozojë amandamente, që në rastin konkret presidenti apo presidentja e ka me kushtetutë, elementi i dytë esencial është se amandamentet kushtetuese para se të votohen nga deputetët duhet t’i nënshktrohen vlerësimit nga ana e gjykatës kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, gjë që ka ndodhur dhe është përmbushur. Dhe elementi i tretë është votimi i amnadamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese, në kushtin e votes së kërkuar prej 2/3 të të gjithë deputetëve dhe procesin e votimit të dyfishtë natyrisht”, tha Rrustemi.
Dy elementet e para pavarësisht kohës sipas tij janë të përmbushura.
“Po flasim për amandamentet e njëjta për nga përmbajtja që janë nënshtruar vlerësimit të gjykatës kushtetuese dhe GJK e ka nxjerr aktgjykimin në fjalë duke i validuar në aspektin kushtetues. Mbetet elementi i tretë që t’i nënshtrohet votimit nga ana e deputetëve të Kosovës. Edhe kjo mbledhje sonte është brenda këtij kuadri. Në një rrethanë tjetër ne natyrisht do të mblidheshim para se seanca t’i trajtonte. Por duke konsideruar që tashmë është përmbylluyr faza e vlerësimit nga ana e GJK-së, ne si komision për lefjilacion e kemi përgjegjësinë funksionale për ta konstatuar këtë gjë, për të spastruar dhe për të dërguar rekomandimin e komisionit në seancën plenare. Sa i përket afatit 7 ditor, është plotësisht afat operativ i përcaktuar me rregullore dhe nuk është afat përfundimtar dhe as nuk mund të jetë, as logjikisht as proceduralisht”, tha Rrustemi.
Gruda: Nuk mund të shqyrtohen amandamentet e para një dekade
Përparim Gruda nga PDK, që është kryesues i këtij komisioni tha se sot nuk mund të shqyrtohen amandamente kushtetuese. Sipas tij, për t’u shqyrtuar ato duhet që kjo të bëhet 7 ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pse nuk mundemi pas një dekade t’i shqyrtojmë, së pari e ndalon rregullorja dhe e dyta prej 2011 ne i kemi bërë mbi 20 amandamente në Kushtetutën e Kosovës. Kemi dhjetëra vendime të Gjykatës Kushtetuese që e kanë ndërruar interpretimet dhe është pasqyruar jurispoudenca e Kushtetueses. Prandaj, Kushtetuta e sotme nuk është e njëjtë me Kushtetutën e vitit 2011. Edhe po ta shmangnim afatin nuk ka asnjë kuptim”, tha ai.
Sipas Grudës, për t’u diskutuar një amandament i vlefshëm duhet të niset nga fillimi, të dërgohet në Kushtetuese, të vjen prej kësaj gjykate, komisioni të mblidhet brenda 7 dite siç thotë rregullorja dhe i procedon ato për këtë seancë.
“Prandaj ky propzozim është i paafatshëm. Amandamentet e bëra para më shumë se një dekade nuk mund të sillen sot. Nuk mund t’i sjellë presidentja e Kosovës. Rregullorja e punës së Kuvendit thotë qartë kur amandamentet kalojnë në GJK, siç është ky rast, ato shkojnë tek komisioni përkatës për legjilacion. Pra vijnë te ne prej GJK-së, jo me nejt 14 vjet në arkiva e mi marrë presidentja e mi sjellë tek ne”, shtoi Gruda.



