Kompania udhëheqëse evropiane për komunikimin e integruar për biznese, NFON, hap Hub në Prishtinë, shërbim për 55 mijë biznese në 18 shtete

27 maj 2025 | 14:23

NFON, një kompani udhëheqëse evropiane në fushën e komunikimit të integruar për biznese, do të hapë sot, më 26 maj 2025, një qendër të re në Prishtinë, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Qendra e re në Prishtinë ofron mundësi të arta për karrierë si dhe përfitime strategjike për rritje dhe inovacion në Kosovë.

Arben Zeka, i cili drejton zyrën në Kosovë si Drejtor Menaxhues, sjell më shumë se 20 vjet përvojë ndërkombëtare në sektorin e TI-së. I formuar si ekspert në pozita udhëheqëse në Radix Software dhe kompani të tjera të orientuara drejt teknologjisë, fokusi i tij është në menaxhimin e projekteve, operacione të TI-së, zhvillimin e ekipeve dhe optimizimin e proceseve dhe organizimit.

Zeka në një intervistë për Ekonomia Online thotë se hapja e qendrës NFON në Kosovë e sjell një përvojë për mbi 18 vjeçare të një kompanie që ka mbërritur shumëçka dhe për momentin është lider në Evropë sa i përket shërbimit të telekomunikimit për biznese.

“Me përvojë shumë të gjatë ka një staf që kanë përvojë më shumë sesa kompania dhe këtu do të jetë pjesë e atij ekipit të madh. Kemi mundësi prej këtu të zhvillojmë një kompani të nivelit të tillë për me qenë pjesë e mbi 400 punëtorëve në tërë Evropën. Mund të punojmë dhe të zhvillohemi si dhe të mësohemi prej përvojave të tyre dhe të rrisim aftësitë tona profesionale për të pasur mundësi të kontribuojmë me një platformë që përdoret për mbi 55 mijë biznese në 18 shtete në Evropë”, tha Zeka.

Ai shtoi se NFON do të punësojë 30 profesionistë për hulumtim dhe zhvillim (R&D), shërbime dhe mbështetje, financa dhe burime njerëzore.

“Ajo çka ne kontribuojnë është në një nga produktet ekzistuese, mirëpo kompania jonë është e fokusuar në zhvillimin e talenteve të reja. Po duam ta krijojmë një ambient, ku ofrojmë mundësi të zhvillimit të talenteve të reja. Kjo do na sjellë një përvojë të mirë, ku do të zhvillohen persona të ndryshëm, profile të ndryshme si zhvillues të aplikacioneve. Në atë mënyrë do të kontribuojmë në zhvillimin e të rinjve dhe të rejave në këtë qendër. Është një mundësi e jashtëzakonshme për të qëndruar në Kosovë, sepse kompania është gjermane dhe mund të marrin përvojë nga këtu dhe nuk kanë nevojë të ikin, por mund të qëndrojnë këtu. Gjatë këtij viti planifikojmë të punësojmë 30 persona. Përparësia e Kosovës është se ka përvojë të ndryshme në treg dhe e gjithë ajo e ka sjellë një kulturë multidisiplinore dhe njerëzit kanë mbërritur për ta parë. Kjo ka qenë një prej arsyeve pse Prishtina është caktuar si destinacion, sepse ka potencial për zhvillim. Kemi një popullatë më të re dhe që ofron potencial më të madh”, tha ai.

Zeka vuri në dukje se puna e përditshme e NFON-it është të mbështesë rreth 55,000 klientë biznesi në 18 vende me zgjidhje intuitive për komunikim.

“Numri i vajzave që merren me teknologji është në rritje vazhdimisht. Ne vetë kemi interesim të madh në treg në pozitat e hapura që kemi pasur këto muajt e fundit. Djem dhe vajza do të na bashkëngjiten. Vend strategjik është rinia dhe janë të interesuar për t’u zhvilluar. Ne si popull jemi të adaptueshëm dhe nuk i kemi problem gjuhët e huaja. Rekomandimi im është për çdo të ri që ende nuk është i fokusuar, nëse ju pëlqen teknologjia të zhvillohen sa më shumë vetë, jo vetëm nga shkolla. Çka ne kontribuojnë është një vend, ku kush bashkëngjitet ka mundësi të  kontribuojë dhe të ketë mundësinë për t’u  zhvilluar me të gjithë punëtorët. Ne kemi klientë në mbi 18 shtete me 55 mijë biznese në botë që i përdorin shërbimet tona. Ne si Kosovë do të jemi pjesë e zhvillimit primar të aplikacioneve apo të platformës që ne e kemi të shërbimeve të ndryshme dhe do të jenë pozita të departamenteve të ndryshme”, shtoi ai.

Andreas Wesselmann, Drejtori i Teknologjisë, theksoi se praninë e NFON në Prishtinë nuk e sheh vetëm si një zgjerim gjeografik, por si një hap të rëndësishëm strategjik për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë në Evropë.

Sipas tij, përfshirja e talenteve lokale në projekte teknologjike me ndikim ndërkombëtar do të fuqizojë si NFON-in, ashtu edhe komunitetin teknologjik në Kosovë.

“NFON është një kompani e themeluar në 2007, publikisht e listuar, e cila kryen shërbime për mbi 55 mijë klientë. Kemi mbi 3 mijë partnerë në gjithë Evropën dhe një trashëgimi të fortë në Gjermani. Jemi në biznesin e komunikimit, duke filluar nga telefonia e biznesit, pra telefonia cloud, qendra e kontaktit për angazhimin e konsumatorëve dhe së fundmi në fushën e inteligjencës artificiale. Ne po ofrojmë chatbot, voicebot, chat live dhe kemi një platformë të inteligjencës artificiale. Kjo është veçanërisht për kompanitë e mesme në Evropë. Shpresojmë se jemi rruga e duhur. Si pjesë e strategjisë sonë NEXT NFON 2027, rritja nuk është vetëm në numra, por edhe në njerëz. Prandaj jemi shumë të lumtur që po vijmë në Prishtinë, po e shohim si një mundësi shumë të mirë për të gjetur talente dhe njerëzit e duhur”.

Ai, në një intervistë për Ekonomia Online, vuri në pah se Kosova ofron një potencial të madh falë një popullsie të re, të arsimuar dhe shumë të adaptueshme, veçanërisht në fushat teknike dhe gjuhësore. Kjo, sipas tij, përbën një avantazh të madh për zhvillimin e qendrës në Prishtinë, e cila do të funksionojë si pjesë integrale e rrjetit evropian të NFON.

I pyetur se çfarë presin nga Prishtina dhe çfarë do t’i dhurojë kryeqytetit biznesi i ri, Wesselmann tha se presin ndikime shumë-dimensionale.

“Shumë-dimensionale. Njëra është se duam ta rrisim biznesin tonë. Po kërkojmë për zhvillues, ekspertë që kanë më shumë përvojë teknike në rrjetëzim. Në këtë mënyrë, ata janë pjesë e një historie strategjike më të madhe. Mbështetje dhe zhvillim informacioni që po evoluon gjithashtu në temën e inteligjencës artificiale. Ka dimensione të ndryshme, por mundohemi të veprojmë sa më autonom që është e mundur. Kjo do të thotë se njerëzit tanë marrin pjesë në takimet ditore të biznesit, dhe ndihen si një ekip virtual. Është pak a shumë ajo që e kemi bërë në Lisbonë, Portugali, nëse mund ta quaj një recetë suksesi, çka planifikojmë të bëjmë edhe në Prishtinë”.

Pse zgjodhën pikërisht Prishtinën? Wesselamn thotë se ka parë potencial talentësh këtu e se shumë punëtorë nga Kosova tashmë janë pjesë e kompanisë, të cilës ia kanë dhënë “shijen e energjisë”.

“Duke qenë një kompani evropiane, me qendra në Austri, Itali, Britani, Portugali, qëllimi kryesor ishte se si mund ta forcojmë bazën tonë të talenteve në gjithë Evropën. Për ne, Kosova është pjesë e Evropës. Nëse dëshiron të nxitësh rritje dhe tërheqje talentesh, ka disa vende ku ka shumë aktorë të fuqishëm”.

“Një anë tjetër është se kemi shumë punëtorë nga Kosova që punojnë në shtete të ndryshme dhe ata na dhanë njohuri nga tregu lokal ku ndjehet niveli i energjisë. Kemi gjithashtu mbështetjen e qeverisë dhe të ekonomisë për ta çuar përpara, edhe në aspektin teknologjik. Kjo do të thotë se kemi një kombinim të shkëlqyer në Evropë: qasje në një bazë të mirë talentesh dhe mundësi për t’i ofruar atyre rritje dhe zhvillim. Ne mendojmë se ky është një kombinim i shkëlqyer”, tha Wesselmann.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës Ardhmërinë të Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është…