Kompanitë farmaceutike, garë për testin e COVID-19

19 prill 2020 | 09:15

Gjigandi farmaceutik zviceran “Roche” tha të premten se së shpejti do të ketë një test për të treguar nëse njerëzit kanë pasur Covid-19, duke iu bashkuar kështu firmave të tjera që po konkurrojnë për të prodhuar një sistem efikas. Ndërkohë një laborator në Gjermani ka filluar vizitat derë me derë për të testuar njerëzit për virusin “Korona”.

Firmat farmaceutike po garojnë për të zhvilluar një test që mund të tregojë nëse njerëzit kanë pasur Covid-19. Gjigandi zviceran Roche është kompania më e fundit që thotë se po bën përparim në këtë drejtim.

Kompania tha të premten (17 prill) se shpresonte të ofronte një test gjaku deri muajin e ardhshëm.

Firma me seli në Bazel thotë se ka caktuar njerëz që punojnë edhe gjatë netëve dhe fundjavave për zhvillim e këtij testi. Kompania planifikon të arrijë një nivel prodhimi prej disa dhjetëra milionë testesh në muaj.

Lajmet pasojnë njoftime të ngjashme nga kompani, si Laboratorët Abbot në Shtetet e Bashkuara, dhe DiaSorin në Itali.

Ndërkohë shkencëtarët në Institutin e Mynihut për sëmundjet tropikale po marrin masat që tani për testimin e rasteve të panjohura me virusin “Korona”, duke zhvilluar një sistem testimi nëpërmjet vizitave derë më derë. Ata thonë se kjo do të jetë pjesë e një studimi më të gjerë për pandeminë dhe efikasitetin e masave të mundshme.

“Përcaktimi i numrit të rasteve të panjohura është shumë i rëndësishëm. Duhet të dimë përmasat e përhapjes dhe infeksioneve të koronavirusit të ri në Gjermani… Nëse do të testonim vetëm pacientët nëpër spitale do të merrnim vetëm njerëzit e infektuar. Ne donim të zbulonim se sa njerëz janë infektuar me koronavirusin pa pasur simptoma ose me simptoma shumë të lehta”, thotë Andreas Wieser, drejtor i laboratorit të klinikës universitare.

Shkencëtarët në Mynih thonë se personat-subjekt të vizitave derë-më-derë janë qëllimisht të rastësishëm. “I informojmë fillimisht personat për procedurën dhe studimin e ekipit tonë, pasi duhet ta dinë ç’po ndodh. Nëse bien dakord, do t’u përgjigjen disa pyetjeve për disa ditë. Në vazhdim do t’u marrim rreth 3 ml gjak që do të testohet për antitrupa. Aty do të shohim nëse sistemi imunitar është aktivizuar (nga infeksioni)”, thotë Laura Olbrich, e Klinikës Universitare.

Ekspertët thonë se teste të tilla do të jenë thelbësore për përcaktimin e përhapjes së sëmundjes dhe menaxhimin e masave ndaj saj.

Por disa mendojnë se korporatat e mëdha farmaceutike janë ende shumë të prirura për konkurrencën.

Të premten, një grup investitorësh kryesorë thanë se po kërkonin që emrat kryesorë të industrisë të bashkojnë forcat.

Ata u kanë shkruar firmave, si Roche dhe Johnson & Johnson, duke u thënë se është koha për të lënë mënjanë rivalitetet.

Letra përcakton parimet që duhet të ndjekin kompanitë, përfshirë ruajtjen e çmimeve të arsyeshme.

Disa nënshkrues thanë se ata mund të kërcënojnë që të tërheqin investimet nga kompanitë që nuk veprojnë kështu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti dhe profesor i Universitetit Teknik të Stambollit (ITU) në…