
Kompleksi bërthamor në Isfahan të Iranit është “dëmtuar rëndë” nga sulmet amerikane
Kompleksi bërthamor në Isfahan të Iranit – një nga tre objektivat e sulmuara nga SHBA të dielën – është “dëmtuar rëndë”, sipas një vlerësimi të bërë nga Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Uashington.
Sipas institutit, objekti kryesor për konvertimin e uraniumit – i cili shndërron uraniumin natyral në një formë të përdorshme për në centrifugat e gazit – ka pësuar “dëmtime të rënda”.
Gjithashtu, hyrjet e tuneleve që çojnë në kompleksin nëntokësor janë dëmtuar, dhe të paktën tre nga katër hyrjet kanë rënë (janë shembur).
Në vlerësim thuhet se pamjet satelitore të datës së premte tregojnë se hyrjet e tuneleve janë mbuluar me dhe.
“Kjo, sipas institutit, ka të ngjarë të jetë një masë parandaluese për të përmbajtur ndonjë shpërthim të mundshëm ose për të parandaluar përhapjen e materialeve të rrezikshme jashtë kompleksit”.
Po ashtu, sipas tyre, mund të ketë dëme të mëdha edhe brenda kompleksit nëntokësor.
Ndryshe nga objektivat e tjerë në Fordow dhe Natanz, ku u përdorën bomba të rënda që depërtojnë bunkerët, në Isfahan nuk u përdorën bomba të tilla.
Në vend të tyre, mbi këtë objektiv janë lëshuar mbi 24 raketa Tomahawk, sipas gjeneralit amerikan Dan Caine, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA./CNN