Kompozimi dhe kompozita

15 dhjetor 2025 | 08:22

RRAHMAN PAÇARIZI

Krahas ndajshtesimit, kompozimi është mënyra më e për­hapur dhe më prodhimtare e fjalëformimit në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në gjuhë të tjera indoevropiane, para së gjithash në anglishten e në gjermanishten. Fjalëformimi me kompozim, nënkupton para së gjithash formimin e fjalëve të reja a të njësive të reja leksikore nga dy e më shumë tema, të cilat janë morfema të lira dhe njësi leksikore më vete e të kuptimshme të një gjuhe. Pra, rezultat i kompozimit janë kompozitat, e kom­pozimi nuk është asgjë më shumë se fjalë e përbërë.

Përveç që është një nga mënyrat më të përhapura të fjalë­formimit, kompozimi është njëkohësisht mënyra më e mund­shme dhe më e lehtë që folësi e ka në dispozicion për të formuar fjalë të reja, më qëllim të përmbushjes së nevojave të tij folëse. Linguistë si Bauer (2017), Štekauer & Lieber (2017), Aronoff (1976), Clark (1995), Plag (2013) etj. pajtohen se ky kapacitet i kompozimit del nga natyra pothuajse automatike e formimit të kompozitave, që e lejon folësin të mos përfillë setet paradig­matike që duhen respektuar, në një masë të paktën, te mënyra e fjalëformimit me ndajshtesa, por kjo do të trajtohet më pas. Natyrisht se kompozitat ekzocentrike[1] nuk janë aspak “automatike” – përkundrazi, ndryshe nga endocentriket, ekzocentrike i nënshtrohen një procesi të pranimit dhe të kon­sensusit minimal ndërmjet folësve për kuptimin e metaforës, sidomos të asaj konceptuale. Në këtë kuptim, ato afrohen me konversionin.

Një tipar tjetër që e bën kompozitën mjet të lehtë në dispo­zicionin e folësit, për të formuar fjalë të reja, është fakti se kom­pozita endocentrike nuk ka nevojë për konsensusin gjuhësor ndërmjet folësve, që do me thënë se për ta krijuar një kom­pozitë dhe për të funksionuar ajo në sensin e të kuptuarit si njësi leksiko-semantike, nuk ka nevojë për kohë që të etablohet në përdorim dhe, rrjedhimisht, folësi nuk ka nevojë të konsultohet me fjalorët e gjuhës, për t’u siguruar nëse fjala-kompozitë që mëton ta përdorë është apo nuk është në fjalor, pasi në fjalor janë vetëm kompozitat që kanë ndërtuar një traditë përdorimi, por ky fakt nuk i bën ato më kompozita sesa kompozitat e tjera. Natyrisht se mosnevoja për t’i konsultuar fjalorët për ndërtimin e kompozitave apo atypëratyshmëria e tyre, nuk i bën kompo­zitat formime të lira – përkundrazi, kompozitat, siç do të shihet në vazhdim, janë mjaft të ndërlikuara në kuptim të kritereve dhe të strukturës.

Fjalët hekurudhë dhe fjalimshkrues nuk kanë status të ndryshëm – fjala hekurudhë që është në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe nuk është më shumë kompozitë sesa fjala fjalimshkrues, e cila nuk është në atë fjalor. Mirëpo kompozita ekzocentrike dorë­shpuar që është në Fjalorin e Gjuhës Shqipe nuk funksionon me aq lehtësi sa kompozita endocentrike e atypëratyshme xhamthyes që nuk është fare në fjalorët e shqipes dhe nuk ka pse të jetë, tekefundit.

Në këtë kuptim, Bauer & Pullum (2017) thonë se fjalët, të cilat formohen përmes procesesh më të lehta dhe më të lirshme, rrallë etablohen, prandaj, thonë ata, nuk do të ishte veprim i duhur përpjekja për t’i futur në fjalorë të gjitha fjalët e ndërtuara mbi modelin brown-eyed (sybojëkafe), smooth-skinned (lëkurëlëmuar), chocolate coated (i veshur me çokollatë), red-covered (i skuqur), two-bedroomed (dydhomëshe) etj. Proceset me produktivitet aq të lartë janë të krahasueshme me rregullat e formimit të togfjalëshave sintaksorë, pasi nëse do ta fusnim për shembull kompozitën brown-eyed, atëherë do të duhej ta fusnim edhe strukturën ‘with brown eyes’. Po ashtu, nuk ka nevojë të futen a të listohen në fjalorë mijëra kompozita gramatikore me –like (axe-like, cheese-like, dog-like, orange-like, dream-like…), pasi në atë rast do të duhej t’i listonim në fjalorë edhe togfjalëshat përkatës (like an axe, like cheese…). (Bauer & Pullum, 2017:1630)

Megjithatë, këto pohime nuk mund të pranohen pa disku­time dhe nuk do të thotë se konsensusi gjuhësor është krejt i panevojshëm. Përderisa ky parim mund të vlejë në një masë të madhe për kompozitat endocentrike, kompozitat ekzocentrike (në pikëpamjen e raportit metaforik ndërmjet konstituentëve e jo në kuptim të referentit të jashtëm), siç u tha, kanë nevojë për një shkallë konsensusi dhe rrjedhimisht për një kohë e freku­encë përdorimi që do t’i bënte të pranueshme për përdorim më të gjerë. Ose, ka nevojë që konstituentët e kompozitës të jenë metafora të etabluara në mjedisin gjuhësor, sidomos të jenë metafora konceptuale që zhvillohen në fusha konceptuale të qëndrueshme për një mentalitet të caktuar, edhe gjuhësor, por sidomos konceptual. Për shembull, kompozita bletakeqas e gjetur nga Stuart Mann, në kuptimin ‘terribly’, ‘painful’ (e tmerrshme, e dhimbshme) nuk është e kuptueshme për secilin folës, madje as për folësin mesatar, prandaj kjo kompozitë, për shembull, kërkon njëfarë kohe derisa të etablohet dhe kërkon njëfarë konsensusi gjuhësor.

Domethënë, duhet të ekzistojë fusha konceptuale që e pranon pickimin e bletës si ‘të tmerrshëm a tmerrësisht të dhembshëm”, në mënyrë që ai epitet i pickimit të bartet meta­forikisht përmes një procesi konjitiv, siç e shpjegojnë Lakoff dhe Johnson (2003). Natyrisht që nuk ndodh kështu me të gjitha kompozitat ekzocentrike, si kokëshkëmb, kokëtul, kokë­mushkë, zemërgjerë, zemërluan, dorëlirë, dorëshpuar etj. të cilat, ndonëse metaforike, janë të afërta për folësit e gjuhës dhe kapen lehtë, pasi konstituentët e këtyre kompozitave funksionojnë si metafora të etabluara e së këndejmi konstituentët ‘zemër-’ e ‘kokë-’ janë shumë prodhimtarë në fjalëformimin kompozi­cional të shqipes. Ndodh kështu, pasi fjalë nocione si ‘zemër’ e ‘kokë’ janë fusha konceptuale që barten, do me thënë meta­forizohen. Mirëpo, në rastet e ngjashme, kur një konstituent i kompozitës i takon sferës leksikore dialektore, si kokëgdhë, vështirë se kuptohet lehtë nga të gjithë folësit, pasi fjala ‘gdhë’ (nyjë, nyell i drurit) nuk është shumë e njohur për të gjithë folësit e shqipes. Në disa prova që kam bërë me studentët e nivelit bachelor dhe master në Departamentin e Gjuhës Shqipe, pak studentë e kanë kuptuar domethënien e kompozitës dorëshpuar, ndërkohë që e kanë kuptuar pa ndonjë problem kompozitën sinonimike dorëlirë.

Megjithatë, sado metaforike qofshin disa nga kompozitat ekzocentrike, koha e konsolidimit të tyre në përdorim është shumë më e shkurtër sesa ajo e fjalëve të përfituara përmes konversionit, që e bëjnë kompozimin mënyrë më të lehtë e më të përdorshme, në dispozicion të përdoruesit të gjuhës.

Fjalët hekurudhë, udhëkryq, mirësjellje, fatbardhë, autolarje, bojëgjake (bojëgjake e merr treguesin e kokës ndonëse i ngjitet modifikuesit), gushtovjeshtë (ndonëse e bashkërenditur, kompozita merr tipare gramatikore të elementit të fundit), tekniko-teknologjik, mësimor-edukativ e fjalë të tjera, me ç’rast ka bashkim temash, për ta denotuar a shenjuar një koncept mendor, në gramatikat e shqipes pranohen si kompozita, në kuptim të mënyrës së fjalë­formimit.

Këto formime të shqipes janë mjaft interesante në kuptim të topikës së konstituentëve të kompozitës (kognitivistët parapël­qejnë termin komponent në vend të konstituent) në raport me ata që gramatikat e shqipes i trajtojnë si togfjalësha – fraza (në traditën gramatikore të anglishtes) apo sintagma (nga tradita gramatikore e frëngjishtes), për interesa të analizës sintaksore.

Për shembull ka raste kur në kompozitë përmbyset rendi i togfjalëshit burimor:

Togfjalëshi kompozita
udhë e hekurt / udhë hekuri hekurudhë
sjellje e mirë mirësjellje

Tabela 1 Kompozita kokëdjathta të shqipes, me rend të përmbysur

 

Por, ka raste kur ky rend ruhet:

Togfjalëshi Kompozita
udhë e kryqëzuar / udhë kryqe udhëkryq
bojë si e gjakut / bojë gjaku bojëgjake

Tabela 2 Kompozita kokëmajta të shqipes, me rend të ruajtur

Një nga tiparet e kompozitës, të përmendura nga linguistët është mosruajtja apo mosmanifestimi i tipareve gramatikore të përbërësve a konstituentëve të kompozitës, me rastin e hyrjes së dy a më shumë emrave në lidhje kompozicionale, me ç’rast kompozita inflektohet si e tërë. Kjo, siç do të shohim në vazhdim, vlen, deri në një masë të caktuar, për anglishten, e cila ka numër të kufizuar të treguesve gramatikorë, që e lejon këtë lloj të hyrjes në raporte kompozicionale, por shqipja dhe gjuhët latine, që kanë infleksion mjaft të zhvilluar, e kanë të vështirë abstrahimin a sakrifikimin e elementeve infleksionale për qëllim të hyrjes në lidhje kompozicionale. Gjermanishtja, për shembull, ka tregues gramatikorë të temave potenciale kompozicionale, por ajo i sakrifikon më lehtë, për shkak të topikës, apo vendit a rendit të fjalëve në togfjalëshat që poten­cialisht mund të bashkohen ortografikisht në një fjalë të re, e cila në pikëpamjen tradicionale përbën të ashtuquajturën kom­pozitë (të mbyllur). Në të vërtetë, siç do të shohim te trajtimi i detajuar i kritereve për kompozitën, edhe anglishtja, edhe gjermanishtja, të cilat kanë sistem shumë të zhvi­lluar të kom­pozimit, nuk është se nuk kanë prani të treguesve gramatikorë që ruhen te konstituentët e kompozitës, siç janë disa mbaresa të gjinores dhe të shumësit, qoftë në anglishten (sugestions box, arms-reduction), në danishten (born e bog) etj. (Bauer, 2017:24), qoftë në gjermanishten (nachtstisch, sportsnacht), por që studiuesit kanë preferuar t’i quajnë elemente lidhëse. Gjuhë të ndryshme, si ato sllave, në disa raste, në interes të hyrjes në lidhje kom­pozicionale, i kanë sakrifikuar treguesit gramatikorë të konsti­tuentëve, duke “shpikur” elemente lidhëse [osoba tvrde glave (AP) > tvrd-o-glav [M] / tvrd-o-glava [F]. Edhe gjermanishtja në disa raste përdor elemente ndërlidhëse (fugen elementen) me rastin e sakrifikimit të treguesve gramatikorë të konstituentëve (klasse aufgabe > klase-n-aufgabe). Elementet lidhëse në kompo­zitat e shqipes janë të pranishme, por jo të zakonshme: thashetheme, farefis, gushtovjeshtë, çikodjalë, tekniko-teknologjik, këmbadoras, rrokapjekthi, gazavaj etj. Siç mund të vërehet, gjuhët sllave kanë elemente lidhëse të mirëfillta, të cilat nuk bartin kurrfarë tipa­resh gramatikore a semantike, përveç se mbushin zbrazëtirat e krijuara për shkak të sakrifimit të mbaresave gramatikore me rastin e hyrjes në lidhje kompozicionale. Elementet lidhëse të shqipes janë paksa më të ngatërruara, pasi, duke u futur kryesisht (por jo gjithmonë) në kompozita të bashkërenditura (dvandva), elementet lidhëse –a-, -e- dhe –o- nuk janë krejt të zhveshura nga ngarkesat semantike të lidhëzave të mirëfillta:

  • gusht ose vjeshtë > gusht o(se) vjeshtë > gushtovjeshtë
  • çikë ose djalë > çikë o(se) djalë > çikodjalë
  • këmb(-as) apo dor(-as) > këmb(as) a(po) doras > këmbadoras
  • gaz apo vaj > gaz a(po) vaj > gazavaj
  • bardh edhe zi > bardh e(dhe) zi > bardhezi
  • dele edhe dash > dele e(dhe) dash > del(e)edash> deledash

Mirëpo, këto mjete lidhëse funksionojnë edhe si mjete të mirë­fillta lidhëse, të zhveshura nga funksionet gramatikore lidhëzore – janë thjesht elemente fonetike për lehtëshqiptim: bletakeqas, çartaqejf, fytafyt, gurapesh, ngucakeq, deleduk (ndoshta del+e+duket, shfaqet për t’u dukur), mesoburrë etj.

Do thënë me këtë rast se pavarësisht nga origjina, këto mjete lidhëse sot i kanë relativizuar funksionet e tyre primare dhe tashmë funksionojnë vetëm si mjete lidhëse, pa funksionet sintaksore që i kanë pasur në origjinën e tyre, ose me funksione krejt të relativizuara.

Shqipja, në rastet si shpend i keq, një emri që në togfjalësh ka tipare morfologjike mashkullore, në kompozitë merr tipare të gjinisë femërore, duke ia veshur kompozitës tiparin gramatikor të gjinisë shpendkeqja, ndërkohë që nuk ka një togfjalësh shpendja e keqe*. Me këtë rast, konstituenti i dytë heq dorë nga nyja tipike e mbiemrit që ka edhe ngarkesë gramatikore të gjinores (i[M]/e[F]) dhe ndonëse asnjë nga elementet nuk është i gjinisë femërore, e gjithë kompozita merr tipare të gjinisë femërore, ndoshta edhe për shkakun se në gegërishten ka edhe një trajtë ‘shpendja’ për shpen­din.

Mirëpo, po aq sa llogariten të lehta për t’u formuar e edhe më të lehta për t’u kuptuar, kompozitat janë shumë të ndërli­kuara për t’u përkufizuar, domethënë për ta përcaktuar se çka është kompozitë. Ndodh kështu për shkak të implikimeve të shumta semantike, morfologjike, sintaksore e madje edhe fone­tike. Ndërkohë, përkufizimi i kompozitës si produkt dhe i kompozimit si proces është ende mjaft kundërthënës. Varësisht nga orientimi i tyre, linguistët i kanë vlerësuar herë tiparet sintaksore, herë ato morfologjike, e herë të tjera ato semantike e ndonjëherë edhe tiparet fonetike. Dhe, argumentet në favor të secilit orientim janë mjaft bindëse. Sintetizimi i tyre dhe gjetja e një formule a e një çelësi, që do t’i merrte parasysh të gjithë këta faktorë të shndërruar në kritere, është një nga punët më të vështira gjatë studimit të kompozimit dhe të kompozitës. Sidoqoftë, dy janë teoritë mbizotëruese – teoria morfologjike që i pranon në masë të madhe kriteret e Donalies (2004) dhe teoria semantike e Levi-t (1978), e cila i shkon më shumë përshtati edhe shqipes dhe në pikëpamjen time është teoria e cila mund të aplikohet edhe te mënyrat e tjera të fjalëformimit dhe në fjalëformimin në përgjithësi, për interesa tipologjie dhe të përkufizimit. Teoria e Levit fiton peshë të veçantë, duke pasur parasysh faktin që kompozitat pikëtakohen shumë herë me togfjalëshat (frazat, sintagmat) dhe dallimi ndërmjet tyre, sidomos në gjuhët me fleksion të varfër, si anglishtja, është çështje qendrore me rastin e definimit të kompozitës. Levi, siç do të analizohet në vazhdim, e bën një ndarje të qëndrueshme, duke i cilësuar togfjalëshat si përshkrues (deskripitivë) dhe kompozitat si emërtuese (denotative). Sërish, analiza e shqipes na çon në këtë drejtim, pasi shumica dërrmuese e kompozitave të etabluara të shqipes, por edhe ato potenciale (potencialiteti te kompozitat është terren i rrëshqitshëm për shkak të natyrës së atypëratyshme të tyre) janë kompozita emërore, mbiemërore e ndonjëherë ndajfoljore, lidhëzore, parafjalore apo onomato­peike repetitive dhe vetëm një numër i papërfillshëm i tyre janë kompozita foljore. Gjithashtu, ndonëse gramatika tradicionale e shqipes, kryesisht, nuk i pranon kompozitat ortografikisht të ndara (përveç në rastin e ngjyrave dhe të llojeve të luleve, që në fjalorë përfshihen si të tilla, por prapë pa i emërtuar formalisht si kompozita), në sintaksën e shqipes bëhet dallim i qartë ndërmjet togfjalëshit sintaksor apo togfjalëshit dhe togfjalëshit leksikor, që në anglishten pranohet si kompozitë, pasi synon emërtim dhe emërton një koncept a nocion, ashtu si edhe fjalët jo të përbëra apo jokompozicionale të shqipes.

Gjithashtu, përkufizimi i kompozimit dhe kompozitës në një gjuhë, ndonëse kundërthënës, është më i lehtë për t’i dhënë udhë, por kur çështja shtrohet në rrafshin kroslinguistik, dome­thënë kur bëjmë një analizë krahasuese dhe kryqëzore të meny­rës se si gjuhët e ndryshme i ndërtojnë kompozitat e tyre, atëherë definimi bëhet edhe më i ndërlikuar, pasi jo të gjithë faktorët vlejnë për të gjitha gjuhët, për shkak të natyrave të ndryshme që kanë gjuhët veç e veç. Për shembull, përderisa në gjuhët me kompozim të zhvilluar (gjermanishtja e anglishtja), kompozitat janë kokëdjathta, në frëngjishten janë kokëmajta, në italishten e në shqipen mund të jenë edhe kokëdjathta edhe kokëmajta. Përderisa në shumë gjuhë konstituentët i sakrifi­kojnë elementet infleksionale, kompozitat e frëngjishtes, të italishtes e të shqipes ndodh t’i ruajnë ato dhe në vend të sakri­fikimit të elementeve infleksionale, nga të cilat varen në masë të madhe, këto gjuhë e sakrifikojnë ortografinë nëse ka nevojë.

Me përmbylljen e përkufizimit të kompozitës nuk kanë për­funduar punët rreth saj, pasi, duke qenë struktura të përbëra (fjalësh), ato duan një analizë strukturore në kuptim të raporteve gramatikore (sintaksore, veçanërisht), analizë fonetike në kuptim të vendit të theksit në fjalët a strukturat e kompozuara, analizë semantike, por edhe analizë psikolinguistike në kuptim të kompozimit dhe dekompozimit të konstituentëve të kompo­zitës a strukturës kompozicionale, që domosdo implikon edhe leksikun mental të folësit a përdoruesit të gjuhës, në kuptim të mënyrës së si ruhen kompozitat në leksikun mental – të kompo­zuara në njësi leksikore apo si njësi leksikore që kompozohen në proces.

Në shqipen, etablimi i përdorimit të termit kompozitë ka shkak­tuar jo pak probleme, pasi pothuaj e ka nxjerrë jashtë loje për­dorimin e termit “fjalë të përbëra”, që është gjithëpërfshirëse.

Ajo që mund të thuhet me siguri për kompozitat është se ato janë fjalë të përbëra dhe emërtojnë një koncept të vetëm dhe unik, për të cilin nuk ka një emërtim njëfjalësh.

Përkufizimi i kompozitës

Ndonëse mënyra më e thjeshtë dhe më e përdorshme e formimit të fjalëve të reja në dispozicion të folësit, përkufizimi i kompozitës dhe kompozimit, duke qenë se përfshin dy e më shumë konstituentë, të cilët funksionojnë edhe si të vetëm, por edhe si pjesë e togfjalëshave sintaksorë, me ç’rast nuk bëhet fjalë për kompozita, është një ndër punët më të vështira gjatë trajtimit të saj, por është edhe përkufizimi më i vështirë nga të gjitha mënyrat e fjalëformimit, të cilat nuk e kanë një çift korrelativ, siç kompozitat i kanë togfjalëshat.

“Kompozimi, thënë thjesht, është proces i vënies së dy fjalëve bashkë, për ta formuar një të tretë, si në shembujt: oil-paper, paperclip, paper airplane, paper thin, wallpaper, wastepaper, wastepaper basket. Fjalët e tilla quhen kompozita pavarësisht nga pjesa e ligjëratës së fjalës së re, nga numri i elementeve të për­fshira, nga fakti nëse shkruhen si një a si dy fjalë dhe nëse lidhen me vizë apo jo”, thotë Bauer (1983:11). Ai e përkufizon kompo­zitën në plotëninë e saj si “leksemë, e cila përmban dy e më shumë stema potencialë të cilët së fundmi nuk kanë qenë subjekt i prejardhjes.” (Bauer 1983:29) Kjo do me thënë se prania e dy temave nuk e bën një fjalë të jetë patjetër kompo­zitë, pasi fjala bregdetar e cila i ka dy tema, si fjalë me kuptim të plotë leksikor (breg dhe det) në këtë rast është fjalë e përfituar përmes prejardhjes prapashtesore ose ndajshtesimit prapashte­sor, pasi tema fjalëformuese ka qenë fjala-kompozitë bregdet dhe jo konstituentët e kompozitës veç e veç. Domethënë, temë e fjalës bregdetar është vetë kompozita bregdet së cilës i është shtuar një prapashtesë –ar, dhe nëse merret parasysh se tema është forma e parafundit e fjalës (Paçarizi 2020:60), atëherë nuk ka më kompozitë, por fjalë të prapashtesuar. Kompozitë, sipas Bauerit, ka në rastet kur stemat nuk kanë qenë subjekt i prejardhjes si në rastin bregdetar, kur bregdet përveç temë është edhe stem (bregdet-i, bregdet-in, bregdet-it etj.) dhe është i ndaj­shtesuar, që do me thënë se i është nënshtruar një procesi tjetër, të ndryshëm nga kompozimi. Prandaj, Bauer thotë se “përderisa derivacioni (prejardhja) mund të aplikohet te format që përmbajnë më shumë se një rrënjë, prania e dy rrënjëve nuk është kriter për derivacionin, siç është për kompozimin”, pasi deri­vacionit i mjafton një temë (fund, p.sh.) për t’ia bashkëngjitur ndajshtesat, qofshin ato parashtesa (pa-fund), prapashtesa (fund-(ë)rrinë), apo parashtesa e prapashtesa (rrethshtesa) njëkohë­sisht (për-fund-oj). Do theksuar me këtë rast se messhtesat, kërkojnë dy tema të paktën (kurrë-se-qysh, kurrë-një-herë, pas--taj, flokë-pa-krehur) dhe ndoshta në këto raste (që në të vërtetë janë tepër të rralla) më se një temë është e domosdoshme, ndryshe nga përkufizimi i Bauerit. Por, edhe në këtë rast tema (kurrqysh, kurrëherë, pastaj, flokëkrehur) mbetet forma e parafundit e fjalës.

Përkufizimi i kompozitës në dukje të parë është shumë i thjeshtë, pasi, sipas Bauer-it (2017) shumica e linguistëve do të pajtoheshin se “gjërat” në vazhdim janë kompozita: football, grey-green, people mover, research professor, stir-fry. Edhe pse këto “gjëra” dallojnë në disa mënyra, ato e kanë të përbashkët faktin se përbëhen nga dy elemente, me ç’rast, secili prej tyre përdoret gjithandej në gjuhë si fjalë e mëvetësishme.” (Bauer, 2017:1). Kështu, pavarësisht nga problemet me të cilat shoqërohet madje edhe vetë përkufizimi i kompozitës, Bauer mendon se “është e rëndësisë qendrore për nocionin se është e mundur të bëhen njësi leksikore nga fjalët, të cilat vetë janë njësi leksi­kore” (ibid.:1) Këtu ndeshemi me disa përjashtime, pastaj, të cilat, duke pasur parasysh natyrën e kompozitave, mund të sigurojnë terren të gjerë veprimi.

Për shembull në anglishten funksionon kompozita assistant professor, e cila e ndërton shumësin dhe genitivin me një ‘s’, që i bashkëngjitet përbërësit të dytë të kompozitës, sipas rregullit të dorës së djathtë assistant professors. Njëjtë do të bënte edhe në shqipen profesor asistent – profesorë asistentë” [nëse do ta shqipëronim krejtësisht, atëherë nga togfjalëshi ndihmës i profe­sorit do të dilte kompozita ndihmësprofesor, me ç’rast edhe mba­resat do t’i bashkëngjiteshin elementit të fundit të kompozitës], por përderisa në anglishte do të dilte njëjtë edhe associate professor – associate professors, në shqipen, te shembulli profesor i asociuar inflektohet elementi i parë (profesorë të asociuar), pra koka e strukturës kompozicionale, me ç’rast struktura humb dy nga kriteret e rëndësishme të të qenit kompozitë – ortografi­kisht është e ndarë dhe inflektohet konstituenti i parë dhe jo ai i fundit i kompozitës, me ç’rast prishet rregulli i dorës së djathtë për kokën e kompozitës. Natyrisht, kur themi ‘prishet’ rregulli i dorës së djathtë, do pasur parasysh se ky rregull vlen për gjuhët me strukturë “modifikues+kokë”, si gjermanishtja, anglishtja etj.

Natyrisht se ndodh kështu për dy arsye: e para se në angli­shten në të gjitha rastet e formimeve të tilla, koka është ele­menti i dytë, qoftë në kompozitë, qoftë në togfjalësh (frazë, sintagmë)[2], ndërkaq në shqipen, nëse ndiqet topika e togfjalëshit që mëton të shndërrohet në kompozitë, atëherë koka e kom­pozitës është elementi i parë dhe rrjedhimisht prapashtesat infleksionale i merr pikërisht ajo. Prandaj, është vështirë të shpjegohet fjalëformimi në një gjuhë me rregulla të një gjuhe tjetër. Në vend të kësaj, duhen përshtatur rregullat. Kësaj çështjeje do t’i kthehemi kur t’i diskutojmë një nga e një kriteret e Donalies (2004) për kompozitat, mbështetur në një studim kroslinguistik. Tash për tash është me rëndësi të disku­tojmë për përbërësit e kompozitës, pasi ka një diskutim inte­resant nëse bashkohen ‘fjalët’, ‘temat’ apo ‘stemat’ dhe argu­mentet në favor të akëcilit nga përbërësit janë domethënëse, por jo deter­minuese, për kompozitën, vështruar në planin kroslinguistik, plan ky që mbizotëron në studimet më përfaqë­suese për kompozitën dhe kompozimin.

Pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme se cilët janë përbë­rësit e një kompozite, termi më i saktë është ai i stemit, pasi fjala si e infleksionuar (por edhe e fjalëformuar) paraqet prob­lem në shumicën e gjuhëve me rastin e hyrjes në raporte kompozicionale, ashtu si edhe tema, që gjithashtu mund të jetë e infleksionuar, ndonëse ka përjashtime edhe në gjuhët me fleksion të varfër a të sakrifikueshëm. Termi ‘temë’ nuk është i kontestue­shëm për shqipen, por ‘stemi’ është më i sigurt në një plan kroslinguistik. Natyrisht se stemi mund të jetë fjalë jo e parme (dhënës [është fjalë e prapashtesuar dhën+ës] te punëdhënës). Termin ‘stem’, për atë së cilës gramatikat e shqipes i referohen si temë e kompozitës, e përdor edhe Marchand (1960) kur flet për kompozimin. Ai e përkufizon kompozimin shumë thjesht: “Kur dy a më shumë fjalë kombinohen në një njësi morfologjike, flasim për kompozitat.”, thotë Marchand (1960:11), duke shpjeguar se parimi i kombinimit të dy fjalëve rrjedh nga tendenca e natyrshme njerëzore për ta parë një gjë si identike me një tjetër tashmë ekzistuese dhe njëkohësisht për ta parë si të ndryshme nga ajo. Nëse e marrim fjalën rainbow (ylber) identiteti shprehet nga një bow (hark) themelor: fenomeni i ‘rainbow’ është fondamentalisht një ‘bow’. Mirëpo, është një ‘bow’ (hark) i ndërlidhur me fenomenin ‘rain’ (shi), prej nga del pjesa diferencuese ‘rain’. Kompozita, prandaj, është e bërë nga pjesa përcaktuese (determining-bow) dhe ajo e përcaktuar (determined –rain). Në sistemin e gjuhëve të cilave u takon anglishtja, përcaktuesi (determinant) i paraprin të përcaktuarit (determinatum). (Marchand, 1960:11) Së këndejmi, i bie që koka e kompozitës ‘rainbow’ e anglishtes është elementi ‘bow’ (hark), i cili përcak­tohet nga elementi ‘rain’ (shi), pra ‘rainbow’ po të përkthehet fjalëpërfjalshëm është ‘hark shiu’.

Po të analizohet kompozita ‘punëdhënës’, përkatësisht përbë­rësit e saj, del që të dy konstituentët janë edhe fjalë edhe stema, ndërkohë që po u pranua tipari i përkohshmërisë që e karakte­rizon temën, atëherë, të dy konstituentët janë edhe tema. Fjala ‘punë’ është fjalë dhe i plotëson të gjitha kriteret për të qenë e tillë, pasi është kombinim i formës dhe i përmbajtjes, tipare këto që e bëjnë shënjues tipik. Edhe përbërësi (konstituenti, komponenti) tjetër ‘dhënës’ është fjalë me të njëjtat tipare si fjala ‘punë’, përveçse fjala ‘dhënës’ është fjalë jo e parme (e formuar me prejardhje prapashtesore dhën+ës), ndryshe nga fjala ‘punë’ që është fjalë e parme. Fakti që ‘punë’ është e parme dhe ‘dhënës’ jo e parme nuk i pengon të jenë fjalë. Pastaj, potencialiteti i tyre për t’u bashkuar në një strukturë tjetër, me qëllim të formimit të një fjale të re, të një shenjuesi të ri, i bën fjalët ‘punë’ dhe ‘dhënës’ tema potenciale apo thjesht tema, në momentin që janë të pjekura, të maturuara, për t’u lidhur në një kompozitë. Më tej, edhe ‘punë’ (puna, punë-s, punë-n, punë-t, punë-ve) edhe ‘dhënës’ (dhënës-i, dhënës-ja, dhënës-it, dhënës-ve, dhënës-eve) janë stema, pasi mund të inflektohen në trajtat në të cilat hyjnë në marrëdhënie kompozicionale. Kjo do me thënë përfundimisht se mjafton të themi që konstituentët e kompozitës janë fjalë, pasi duke qenë fjalë, në trajtat e tilla potencialisht janë në gjendje stemi dhe teme. Definitivisht stemi dhe tema janë gjendje të përkohshme trajtëformuese apo fjalëformuese të fjalëve, që nuk i bën të mos jenë fjalë të kuptimshme.

Llojet që nuk i nënshtrohen këtij pranimi janë qoftë kompo­zitat sintaksore (father-in-law) qoftë kompozitat e huazuara me një formë të brendshme jo të anglishtes. Marchand e citon një artikull të Stefan Einarsson, “Kompozitat e llojit mann-skratti”, ku ai pohon se shprehja islandeze mann-skratti do të thotë ‘djall njeriu’ dhe së këndejmi përfaqëson një lloj kombinimi ku determinatumi i paraprin determinantit, që është e pazakon­shme për gjuhët me strukturë togfjalëshi (përcaktues+kokë). Do theksuar se megjithatë, të gjitha kompozitat e tilla e kanë një karakter emocional që sjellin në mendje një formë emocionale të rendit poetik të fjalëve në gjermanishten, që përdoren vetëm në adresime a dedikime: Bruderlein fein; ach Mutter mein (në vend të meine Mutter); o Jesulein suss. Prandaj, i bie që lloji i fjalëve me rend të përmbysur në njëfarë mënyre është i ndërlidhur me motivim emocional. (Marchand, 1960:11). Ai shkon edhe më tej me shpjegimin e tij, duke zbërthyer se “Determinatumi është pjesa dominante gramatikore që u nënshtrohet ndryshimeve inflektive. Në anë tjetër, rrezja seman­tike e saj ngushtohet konsiderueshëm si pjesë e dytë e kompo­zitës, që përcaktohet si e tillë nga fjala e parë”. (Marchand, 1960:11) Ai, këtu i ka parasysh anglishten dhe gjermanishten, ku togfjalëshi sintaksor dhe kompozitat që dalin paralelisht me të, kanë rend të njëjtë sintaksor, topikë të njëjtë. Por, nuk ndodh kështu me shqi­pen, e cila ka një rend më liberal të fjalëve në togfjalësha dhe, rrjedhimisht, rendi i fjalëve në togfjalëshin sintaksor (ngul këmbë), kur hyn në marrëdhënie kompozicio­nale e përmbys rendin e konstituentëve (këmbëngul).

Arsyeja pse diskutohet raporti ndërmjet togfjalëshit dhe kompozitës janë gjuhët si anglishtja, ku kompozita konsi­derohen edhe konstruktet që nuk shkruhen bashkë ortografi­kisht (kompozitat e hapura), ndryshe nga gjermanishtja, ku kompozitat ose shkruhen bashkë ose janë hypenative, me vizë lidhëse ndërmjet konstituentëve. Meqë në anglishten, edhe kompozita edhe togfjalëshi përkatës kanë pozicion të njëjtë dhe anglishtja nuk shquhet për infleksion, atëherë nevoja për ta bërë dallimin ndërmjet dy nocioneve është e paanashkalueshme.

Levi (1978) pajtohet me Zimmer-in (1971) kur thotë se “Dimensioni i relevancës klasifikuese…, ka të bëjë me dallimin ndërmjet emërtimit dhe përshkrimit. Gjithçka mund të për­shkruhet, por vetëm kategorive relevante mund t’u vihet emër (Zimmer 1971:16). Në përpjekjen e tij për ta bërë dallimin esencial Semantik ndërmjet togfjalëshit dhe kompozitës, Levi insiston se synimi i togfjalëshit është përshkrimi (ngul këmbë, udhë e kryqëzuar), ndërsa synimi i kompozitës është emërtimi (këmbëngul, udhëkryq). Tutje, Levi analizon, Downing-un (1975), i cili pas eksperimenteve të bëra “konkludon se folësi që do të krijojë kompozitë është zakonisht i përballur me situatën në të cilën ai dëshiron t’i referohet një entiteti që nuk ka emërtim mjaftueshëm specifikues për qëllimet e tij klasifi­kuese apo komunikative dhe për shkakun se kompozitat janë më transparente semantikisht sesa monomorfemat, ato janë ideale për të shërbyer si emra ad-hoc” (Downing 1975:11). Pran­daj, Levi mendon se “Zimmer dhe Downing theksojnë dallimin në funksione ndërmjet togfjalëshave që përshkruajnë dhe kompo­zitave që emërtojnë” (Downing 1975:42).

Në fund të fundit, fjalëformimi ndodh për arsye semantike – secila mënyrë e fjalëformimit është vetëm forma përmes të të cilës arrihet te një fjalë e re, me qëllim të emërtimit të kon­cepteve, nocioneve, sendeve të reja, që futen në jetën tonë, e për të cilat nuk kemi një emërtim që i përthekon mjaftueshëm ato nocione, apo nuk i dallon mjaftueshëm nga nocionet a sendet që i kemi në dispozicion dhe të emërtuara. Prandaj, pa e relativizuar rëndësinë e formës dhe të lidhjeve sintaksore apo të fenomeneve fonetike që përfshihen, që marrin pjesë në procesin e fjalëformimit, fjalëformimi para së gjithash ka natyrë semantike. Përfshirjet e tjera janë thjesht pasoja kolaterale dhe mjete në shërbim të realizimit të semantikës. Synim është vetëm semantika, domethënia, kuptimi apo ngjyrimi semantik që prodhojmë përmes fjalëformimit, duke përdorur efektet paradigmatike që krijojnë morfologjia, sintaksa dhe fonetika në shërbim të kuptimit apo të ndërtimit të seteve kuptimore. Qëllimi i folësit është prodhimi i fjalës së re, e cila te marrësi i gjuhësi krijon efektin semantik të njëjtë apo sa më të përafërt që është e mundur me synimin e folësit dhe kjo përafërsi vërtet krijohet përmes tipareve gramatikore (morfologji e sintaksë) dhe përmes tipareve fonetike. Folësit nuk i intereson ta ruajë apo ta ndryshojë pjesën e ligjëratës te fjala e re në raport me temën a temat që i kanë shërbyer si pikënisje. Folësit nuk i intereson rendi i konstituentëve në kompozitë, përderisa arrin ta kuptojë mjaftueshëm qartë dhe ta shenjojë mjaftueshëm të shenjuarin e synuar dhe folësit nuk i intereson se ku është vendosur theksi. Këto tri elemente janë të rëndësishme për folësin, vetëm për aq sa ndikojnë në kuptimin, në semantikën e fjalës së re.

Mbi këtë bazë mund të analizohet edhe çështja e kompozi­tave të hapura në rastin e shqipes, të cilat nuk trajtohen si kompozita në gramatikat e shqipes. Nëse mbështetemi te teoria e Levit, atëherë dallimi ndërmjet togfjalëshit dhe kompozitës (e cila realisht del nga një togfjalësh) qëndron në synimin; tog­fjalëshi (fraza, sintagma) ka synim përshkrimin, ndërsa kom­pozita ka synim emërtimin dhe me këtë i jepet fund debatit lidhur me kufirin ndërmjet togfjalëshit dhe kompozitës.

Në gramatikat e shqipes (Agalliu et.al. 2002b) bëhet një dallim i qartë ndërmjet togfjalëshave sintaksorë dhe togfja­lëshave leksikorë, që realisht janë kompozita, edhe pse në gramatikën e shqipes nuk emërtohen si të tilla, pasi më shumë rëndësi i është kushtuar kriterit ortografik, sesa atij semantik. Për ta shpjeguar më qartë, mund ta marrim rastin dhomë e fjetjes a dhomë fjetjeje (edhe dhomë gjumi) që është emërtim për një lloj të dhomës, ndërkohë që korrelati jokompozitë i këtij konstrukti, apo intenca përshkruese, deskriptive shprehet me formën dhomë për fjetje. Pra, dhomë për të fjetur është konstrukti që ka qëllim përshkrimin, ndërsa konstrukti dhomë e fjetjes apo dhomë fjetjeje ka synim denotimin apo emërtimin e nocionit ‘dhomës që shërben për të fjetur’. Abstrahimi në kompozitë i parafjalës për shpjegohet përmes kritereve të Levit (1978:279-284), por edhe nga Bauer përmes teorisë mnemotike për kompozimin. Së këndejmi, po u abstrahua kriteri ortografik, siç kërkojnë shumë teoricienë të fjalëformimit, atëherë konstrukti dhomë fjetjeje është një kom­pozitë e mirëfilltë e hapur e shqipes. Është kështu, pasi synimi i formimit të një fjale të re është vetëm denotimi i koncepteve – gjithçka tjetër është efekt kolateral, përfshirë mënyrën e fjalë­formimit që aktivizohet për ta formuar fjalën e re, për shembull. Përderisa koncepti i emërtimit të vendit ku kryqëzohen rrugët në shqipen e anglishten bëhet përmes kompozimit (udhë+kryq> udhëkryq, crossroad), në gjuhë si italishtja, ky koncept fjalëformo­het përmes parashtesimit (in+crocio>incrocio), ndërsa në gjermani­shten përmes prapashtesimit (kreuz+ung > kreuzung). Përndryshe, se dhomë e fjetjes apo dhomë fjetjeje është një koncept i vetëm, një shenjues më vete, një njësi leksikore më vete, e shohim nga kompozitat e anglishtes bedroom dhe të gjermanishtes schlafzimmer që shprehin konceptin e njëjtë. Me këtë nuk synohet të dësh­mohet se, nëse një gjuhë e shpreh një koncept me kompozitë, të njëjtën duhet ta bëjë edhe gjuha tjetër (e pamë udhëkryq / crossroad / kreuzung / incroccio / raskrsnica, ku janë përdorur mënyra të ndryshme fjalëformimi), por për të dëshmuar se bëhet fjalë për një koncept të vetëm – se cilën mënyrë fjalë­formimi e zgjedh gjuha e caktuar për ta denotuar konceptin e cak­tuar, është çështje e natyrës së gjuhëve veç e veç dhe e konvencave të cilave ato gjuhë u nënshtrohen.

Anglishtja, natyrisht, nuk është e panjohur për aftësinë e sa për të ndërlidhur leksemat dhe për të formuar jo vetëm tog­fjalësha (black bird), por edhe kompozita (blackbird). ‘Black bird’ (phrase) dhe ‘black bird’ (compound) dallojnë në shumë plane dhe ky dallim ndërmjet tyre vërehet ashiqare gjatë përdorimit të këtyre strukturave në të folur a në të shkruar. Tekefundit fraza apo tog­fjalëshi ‘black bird’ e përshkruan një zog që është i zi, që mund të jetë ‘korb’ apo ‘sorrë’, ndërkaq kompozita ‘blackbird’ e emërton një lloj specifik të zogut, të deiferencuar nga zogjtë e tjerë, pava­rësisht nga ngjyra, që nuk është as ‘korb’ (Corvus corax) as ‘sorrë’ (Corvus corone), por ‘black bird’ (Euphagus carolinus), që nuk është madje as aq i zi, sa korbi apo sa sorra. Është i pazakonshëm fakti se dy llojet e përbërësve nuk janë morfosintaksorisht të ndryshëm. Duke pasur parasysh varfë­rinë e sistemit infleksional të anglishtes, as togfjalëshat dhe as kompozitat do të kenë mbaresa infleksionale në elementin e parë mbiemëror. Ndërkaq, gjermanishtja, sado që ka infleksion relativisht të zhvilluar, arrin t’i sakrifikojë treguesit infleksionalë në llogari të kompozimit. Nëse krahasojmë gjermanishten schwarze drossel (mëllenjë e zezë) me Schwarzdrossel (mullizezë), dallimi është i qartë.

Për më tepër dhe sërish, ndryshe nga gjuhët si gjermanishtja, në anglishten është e mundur që jo vetëm mbiemrat, por edhe emrat të funksionojnë si atribute në togfjalëshat emërorë. Konstrukti emër-plus-emër nuk është patjetër kompozitë, siç pohojnë disa gramatikanë (Burton-Roberts 1997: 163). Payne dhe Huddlestone (2002: 448) mbështesin pikëpamjen se konstruktet si ‘London college’ janë togfjalësha jo se janë kombi­nime emër+emër, pasi ‘London” në këtë rast nuk është thjesht një emër, por më shumë atribut i kolegjit. Në disa raste të tilla emrat në pozita atributive mund të jenë në të vërtetë mbiemra, ashtu siç pohon Marchand, duke marrë për analizë konstruktin ‘steel bridge’ (urë çeliku). Përderisa nuk ka një prapashtesë për t’i ndërtuar mbiemrat prej­emërorë dhe ‘-en’ është joprodhim­tare përtej wooden (i/e drunjtë), woollen (i/e leshtë) (Marchand 1969: 270) – steel është konversion emër-mbiemër për ata folës të cilët e pranojnë atë në poziion predikati: kjo urë është e hekurt dhe thjesht është emër për ata folës për të cilët predikati është jogramatikor: kjo urë është prej hekuri. (Marchand 1969:293)

Kjo funksionon edhe në shqipen, pasi një pjesë e mirë e emrave, në bazë të cilësive që i kanë apo të raporteve të posedimit apo prejardhjes që ndërtojnë, arrijnë të sillen si mbiemra: tavolinë druri (tavolinë e drunjtë), urë çeliku (urë e çeliktë, urë prej çeliku), unazë ari (unazë e artë, unazë prej ari), top bore (top prej bore) etj., si kompozita të hapura, apo edhe kompozita të mbyllura emër+emër, që nuk arrijnë të sillen si mbiemra, por duke qenë kompozita ekzocentrike krijojnë kompozitë mbiemër: llapaqen, symëshqerrë, mustaqemi, duarlopatë etj.

Kompozitat e hapura në shqipen mund të mos duken si kompozita, pasi në gramatika nuk është lënë e hapur mundësia për t’i trajtuar si të tilla, ndonëse në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe kjo mundësi lihet e hapur, duke qenë se kompozitat e hapura kanë zënë vend (kryesisht kompozita me konstituentin e parë bojë, ngjyrë apo lule). Për ta dëshmuar se gjuhët me spe­cifika të tilla si shqipja, për arsye krejt të ndryshme nga angli­shtja, kanë edhe kompozita të hapura, pasi kriteri ortografik, praktikisht është quajtur i pavlefshëm nga pothuaj të gjithë studiuesit më përfaqësues që janë marrë me fjalëformimin, të shohim se si e shpjegon këtë çështje Aronoff. Shembullin e ofruar e cilëson si më të skajshëm: “nëse dikush pyet se çka bën Violeta për ta siguruar jetesën, ne mund të përgjigjemi: She’s a high voltage electricity grid systems supervisor. (Ajo është mbikë­qyrëse e sistemit të rrjetit të elektricitetit të tensionit të lartë). Kjo kompozitë qartësisht e ka një strukturë të brendshme. [High voltage (tension i lartë)] është kompozitë, ashtu siç janë [electricity grid (rrjeti elektrik)] dhe [systems supervisor (mbikë­qyrës sistemi)]. [[High voltage] [electricity grid] (rrjet elektrik i tensionit të lartë)] gjithashtu është kompozitë dhe rrjedhimisht edhe, [ [ [high voltage] [electricity grid] ] [systems supervisor] (mbikëqyrës sistemeve të rrjetit elektrik të tensionit të lartë) ]. Ne i kemi marrë fjalët e anglishtes, kemi bërë kompozita nga to dhe pastaj ato kompozita i kemi përdorur për të bërë kompozita të tjera. Rezultati i funksionit të kompozitës së parë shërben si input për funksionet e kompozitës së dytë dhe të së tretës” (Aronoff & Feudman 2011:124). Ideja është se në anglishten mund të ndërtohen, siç do të shohim edhe më vonë, kompozita të këtilla pafund, madje edhe duke i përdorur kompozitat si tema fjalëformuese për kompozita të ardhshme.

Dy çështje të rëndësishme për definimin e kompozitës janë pandashmëria dhe theksi, të cilat në këtë pjesë do të përmenden shkarazi, për t’u trajtuar më detajisht në kapitujt e radhës, e sidomos duke i analizuar në shqipen dhe ndonjë gjuhë tjetër, kriteret e studiueses gjermane Elke Donalies.

Aronoff & Feudman e shohin pandashmërinë si një nga kriteret diagnostike – “fjalët dallojnë nga njësitë më të mëdha, si frazat, në faktin që në to nuk mund të ndërfuten materiale segmentale apo togfjalore. Ky tipar i fjalës quhet pandashmëri. Përndryshe proceset sintaksore nuk mund të aplikohen në pjesë të fjalëve dhe ky quhet integritet. Mbiemrat dhe ndajfoljet për shembull i përcaktojnë fjalët dhe jo morfemat”. Sa i përket theksit, Aronoff & Feudman theksojnë se te kompozitat theksi bie mbi konstituentin e parë, ndërsa në çifitin korrelativ tog­fjalësh, theksi ose bie në elementin e dytë ose shpërndahet në të dy koinstituentët.” (Aronoff & Feudman, 2011: 38 – 40)

Përkufizimi i kompozimit dhe i kompozitës në gjuhësinë shqiptare

Interesimet për kompozitën në gjuhësinë shqiptare janë relati­visht të hershme dhe pothuaj të gjitha gramatikat e hershme të shqipes e kanë përmendur kompozitën, por kanë munguar studimet serioze lidhur me natyrën e kompozitave të shqipes. Kostallari në një punim botuar më 1961, plotësuar më 1972 (punime të cilave do t’u referohemi nga ribotimi i veprës së plotë të Kostallarit më 2017), kritikon autorët e hershëm, të huaj e arbëreshë që janë marrë me gramatikën e shqipes, duke mos i dhënë rëndësi kompo­zimit si mënyrë e fjalëformimit në gjuhën shqipe. Kostallari e arsyeton këtë kritikë të tijën me faktin se kompozitat e shqipes shfaqen mjaftueshëm në tekste të vjetra. Kostallari (2017) pohon se “Etapa e parë, e cila ka vazhduar deri afro në gjysmën e shekullit tonë [XIX v.j.] karakterizohet, në përgjithësi, nga një lidhje mjaft e dobët midis trajtimit të kompozitave dhe brumit të gjallë leksikor të shqipes. Kjo lidhje e dobët është shkaku kryesor i krijimit të një tradite gramatikore skeptike kundrejt kompozitave të shqipes, traditë që në shfaqjet e saj ekstreme arrin deri në mohimin e plotë të ekzistencës së kompozitave të mirëfillta në shqipen”. (Kostallari 2017:6). Ai shpjegon se kjo traditë përfaqësohet kryesisht nga gramatikat e autorëve të huaj si Hahn-i, Dozon-i, Weigandt-i etj dhe deri diku edhe Kamarda. Përkundrejt tyre, ai lavdëron si një qasje të re, gramatikat e Kristoforidhit dhe të Sami Frashërit. Megjithatë, Kostallari, i cili është marrë mjaft thellë­sisht me kompozitat, duke sjellë shembuj të ekzistencës së kompozitave të shqipes dhe duke trajtuar qasjen që e kanë ndërtuar lidhur me këtë mënyrë fjalëformimi autorë të ndry­shëm, pohon se një shtytje të rëndësishme studimeve mbi kom­pozitat, u kanë dhënë Jokli (1925), Cipo (1948) e Xhuvani (1952).

Mirëpo, qysh në “Gramatika dhe Sindaksa e Gjuhës Shqipe” (1927), Sheperi, merret me kompozitat e shqipes, të cilat i quan fjalë të përngjitura dhe e ka fjalën kryesisht për kompozitat. “Bashkimi i një parashtrimi ose i një fjale me një fjalë tjetër përbën fjalë të ra, të cilat i quajtëm të përngjitura. Përngjitja është e plotë ose e metë, ose përbën lokucione”, përku­fizon Sheperi (1927:134), duke u përpjekur të bëjë edhe një tipologji: “Përngjitja quhet e plotë kur bashkohen të dy pjesët në mënyrë që përbëjnë një fjalë krejt të pandarë, si: atdhe, bukurshkrim, përanë, kthej. Përngjitja quhet e metë kur nuk janë plotësisht të bashkuara të dy pjesët, në mënyrë që mundemi t’i shkruajmë dhe me vijë lidhëse. P.sh. ditë-bardhi, ditëbardhi, bukë-bërësi, bukëbërësi.” (Sheperi, 1927:134)

Sheperi, nuk e ka krejt të qartë përkufizimin e kompozitës dhe e ngatërron atë me parashtesimin, duke e cilësuar dhe fjalën ‘përshkruaj’ si fjalë të përngjitur (ose kompozim e quan secilën fjalë jo të parme):

“Pjes’e parë e fjalëvet të përngjitura mund të jetë:

  1. Një nga pjesët e ligjëratës. P.sh. kryeqytet; trikëndës; keqshpiegoj; përshkruaj.
  2. Disa grimëza fjalësh ose tinguj, të cilët nuk eksistojnë si fjalë më vehëte. P.sh. (i tillë) i a-tillë, i kë-tillë; (qit), sh-qit, n-gjit.

Pjes’e dytë e fjalëvet të përngjitura ka kuptim kryesor, kurse e para shërben si plotës i së dytës. P.sh. dorëshkrim=shkrim me dorë; lidhzanore=zanorja që lidh; letërkëmbim = këmbim letrash.

Përjashtohet mbiemëri që i shtohet emërit si pjes’e dytë, duke patur kuptim plotësi të së parës. P.sh. ditë-bardhi=ay që i ka ditët të bardha (të lumtura); mendje-madhi = aty që e ka mendjen të madhe (po edhe: i bardhi nga ditët, i madhi nga mendja).” (Sheperi, 1927:134)

Domethënë, kur konstaton se “pjes’e e dytë e fjalëvet të përngjitura ka kuptim kryesor, kurse e para shërben si plotës i të dytës”, Sheperi merr një definicion që i shkon anglishtes a gjermanishtes, të cilat e kanë këtë topikë të kompozitës, duke e pasur konstituentin kokë në anën e djathtë, ndërkohë që në shqipen ka kompozita të tilla, si ato që i përshkruan Sheperi, por ka edhe kompozita kokëmajta, ashtu siç kanë frëngjishtja e italishtja. Megjithatë, ai bën përshkrim të saktë të strukturës së kompozitave: “Emëri si pjes’e parë e fjalëvet të përngjitura bashkohet:

  1. Me një emër tjetër dhe përbën me të një emër. P.sh. atdhe, kryeqytet, ujdhezë, kartë-monedhë.
  2. Me një mbiemër ose pjesore, dhe përbën biemër. P.sh. fat-bard[h]ë; dorë-hapët; derëziu; punë-mbaruari.
  3. Me një folje, sidomos kur vjen nga lokucion foljor. P.sh. dorëhiqem, buzëqesh, duartrokit.
  4. Mbiemrat numurorë përngjiten: a) me emëra dhe bëjnë emëra ose mbiemra të prejardhura. P.sh. trikëndësi, katër­këmbës, pesëvjeçar, i gjashtëmuajshëm. b) me numurorë të tjerë, dhe bëjnë numurorë të përngjiturë. P.sh. shtatëdhjetë, pesëqind.” (Sheperi 1927:134)

Siç shihet, Sheperi në (b) bie në kundërshtimin me pohimin për konstituentin kokë, duke dhënë shembuj të kompozitave kokëmajta (fatbardhë, dorëhapët, derëziu, punëmbaruari). Megjithatë, Sheperi, ndër të paktët vëren fenomenin e kalimit të lokucio­neve në kompozita: “Dhe lokucione të shpeshpërdorurë bëhen fjalë të përngjitutra. P.sh. domosdo, domethënë, mbase, sikur, dymbë­dhjetë, kuje, kushtrim etj.”, thotë Sheperi, (1927, 134), duke shpje­guar se “quajmë lokusion dy (ose edhe tri) fjalë, të cilat, ndonëse të ndara, përbëjnë të dya një kuptim të veçantë ose një formë të fjalës (të së dytës), ose një pjesë tjetër të ligjëratës. P.sh. marr vesh (=kuptoj); kam shkruar (=shkrova)” (Sheperi 1927:134). Natyrisht që kam shkruar nuk është lokucion, por është trajta e kohës së kryer të foljes shkruaj.

Pavarësisht nga shkarjet eventuale, Sheperi ka dhënë kontri­but të rëndësishëm për kompozitat e shqipes, ndonëse fjalëformimi nuk ka qenë në fokusin e punës së tij.

Edhe Myderrizi, (1944) merret me kompozitat, duke i quajtur, po ashtu, fjalë të përngjitura. Do theksuar se as Sheperi e as Myderrizi nuk kanë synuar t’i quajnë aglutinative, por në qasjen puriste që e kanë ndërtuar, janë përpjekur të përdorin fjalë shqipe, duke shmangur termin ‘kompozitë’. Myderrizi pohon se:

“Emnat e përngjitun janë ba:

  1. nga dy emna: krye – qytet = kryeqytet, pikë – pamje = pikëpamje, mish + shitës = mishshitës;
  2. Nga nji emën e nga nji folje: vë – mendje = vëmendje, ha – mendje = hamendje, za – vendës = zavendës, thith – lopë = thithlopë
  3. Nga nji emën e nji parafjalë: para – mendim = paramen­dim, mbrapa – shtesë = mbrapashtesë;

ç) Nga nji emën e nji përemën pronuer: im – zot = imzot, zoti – ynë = zotynë;

  1. Nga nji emën e një parashtesë: stër – nip = stërnip, stër – gjysh = stërgjysh.” (Myderrizi (1944:39)

Në (c) e (d) Myderrizi, në të vërtetë, jep shembuj të para­shtesimit, pasi ‘para’ e ‘mbrapa’ te (c) dhe ‘stër’ të (d) janë para­shtesa dhe së këndejmi nuk bëhet fjalë për kompozita, por për fjalë të parashtesuara.

Cipo, ndërkaq (1949:43), duke folur për kompozitat, në pjesën “Të përngjiturit e fjalëvet (Kompozitat)”, pohon se: “Një kompozitë sui generis është ajo e formuar nga dy emra, nga të cilët i pari është në rasën emnore të paçquar dhe i dyti, që tregon: prejardhje, lëndë, mënyrë, qëllim etj., në rasën rrjedhore të paçquar, qoftë në numurin njëjës, qoftë në numurin shumës. Të dy elementët çfaqin një kuptim të vetëm: gur kufiri, bukë gruri, ve pate, lëng pule, lule dhensh, voj ullish, zoq pulash”. Në këtë kuptim, Cipo, ndoshta për herë të parë i trajton si kompozitat edhe fjalët të cilat nuk shkruhen ortografikisht bashkë, për çka, më pas, kritikohet nga Kostallari, i cili përdorimin e fjalës ‘sui generis’ nga Cipo e konsideron arsye të mjaftueshme për të mos i konsideruar këto konstrukte si kompo­zita të mirëfilillta. “Ashtu si G. Vajgandi [Weigandt], edhe K. Cipoja, duke u nisur nga kriteri i “nocionit të vetëm”, trajton si kompozita togfjalëshat e formuar nga dy emra. […] Ashtu si edhe G. Vajgandi, K. Cipoja u jep këtyre “kompozitave” vendin e parë, ndërsa kompozitat e mirëfillta i trajton në plan të dytë dhe të tretë. I vetmi ndryshim është se, duke ndier vështirësi për t’i trajtuar këta togfjalësha si kompozita, K. Cipoja i quan ata kompozita sui generis.” (Kostallari, 2017:13)

Punimi i Kostallarit, ç’është e vërteta, u ka dhënë drejtim studi­meve e sidomos terminologjisë lidhur me fjalëformimin e posaçë­risht mbi kompozitat, pasi, pas kësaj kritike, nuk ka një autor tjetër që i ka trajtuar kompozita fjalët që nuk shkruhen bashkë. Madje, Kostallari e ka ‘zbuluar’ përngjitjen, bashkëngji­tjen si një mënyrë më vete të fjalëformimit të shqipes, por kjo çështje trajtohet me gjerësisht në kapitullin për raportin ndër­mjet kompozimit dhe përngjitjes, si dhe në pjesën për raportin ndërmjet kompozitës dhe togfjalëshit, të cilin Kostallari herë-herë ka dëshirë ta quajë sintagmë, nisur nga tradita linguistike e frëngjishtes.

Para këtij punimi të Kostallarit, dallim ndërmjet kompo­zimit dhe përngjitjes nuk kishin bërë as Dodbiba e Spasse në Gramatikën e Gjuhës Shqipe, botuar më 1957. Në njësinë “FJALA E THJESHTË DHE FJALA E PËRNGJITUR”, Dodbiba e Spasse (1957) sjellin një copë leximi, natyrisht fort të ngarkuar ideologjikisht, me qëllim identifikimi të fjalëve të thjeshta dhe të atyre të përngjitura, ku ashiqare synimi ka qenë te fjalët e përbëra apo te kompozitat, por që kanë ndjekur traditën e mëhershme për përdorimin e terminologjisë shqipe.

“Të përshëndes o hidrocentrali Lenin! Ju përshëndes edhe juve, o punëtorë të palodhur, që e bëtë natën ditë dhe çpuat zëmrën e Dajtit për t’i dhënë ujë e dritë kryeqytetit të Shqipërisë.

Banorët e Tiranës tek ju i kanë drejtuar sytë: edhe në vapën e mesditës, edhe në mesnatë, zemra e tyre rreh pranë jush (Dodbiba, Spasse, 1957:66)

Ata, më tutje shpjegojnë se “Fjala kryeqytet përbëhet prej dy rrënjësh: krye dhe qytet. Fjala mesnatë është e përbërë nga mes dhe natë, ujësjellës nga ujë dhe sjellës.

Fjala që del prej një rrënje të vetme quhet fjal’ e thjeshtë, p.sh. ujë, vapë, dritë.

Fjala që është përbërë nga dy rrënjë quhet fjal’ e përngjitur, p.sh. kryeqytet, ujësjellës.

Fjalët e përngjitura formohen duke bashkuar:

  1. Dy emra: kryeqytet, mesditë, hekurudhë, zëmërgur,
  2. Një emër me një mbiemër: vetullzi, faqebardhë, shpirtmirë, zëmërgjërë,
  3. Një emër me një pjesore: dorështrënguar; cipëplasur, zëmërgëzuar, zëmërthyer.
  4. Një emër dhe njeh emër foljor: udhëheqës, këpucëbërës.
  5. Një folje me një emër: vëmendje, thithlopë.
  6. Fjalët e përngjitura shqiptohen si një e vetme (Dodbiba – Spasse, 1957:66)

Në planin ortografik, Dodbiba e Spasse konstatojnë se “Zakonisht fjalët e përngjitura shkruhen bashkë si një fjalë: ujësjellës, kryeqytet etj., ndërsa me vijëza shkruhen fjalët si: Shqipëri-B.R.S.S. (fjalori) shqip-rusisht, dy-tre (libra) etj.” (Dodbiba, Spasse, 1957:67)

Fatkeqësisht, pas punimit të Kostallarit më 1961 (i plotësuar më 1972) trajtimi i kompozitave mori udhën që e trasoi Kostallari dhe nuk u zhvillua më tej. Pozicioni i Kostallarit do të diskutohet kur të flasim për raportin ndërmjet kompozimit dhe përngjitjes.

Në Gramatikën e shqipes (Agalliu, et.al., 2002) Kompo­zimi, që quhet edhe përbërje, definohet si “një mënyrë e fjalëformimit me anë të së cilës krijohen fjalë të reja që kanë në përbërjen e tyre dy a më shumë tema motivuese; njëra nga këto (tema mbështetëse, që është zakonisht e dyta) e formëson gramatikisht gjithë kompozitën, ndërsa tema tjetër (ose temat e tjera, kur janë më shumë se një) është e asnjanësuar nga pikëpamja e kuptimeve të saj gramatikore” (f. 70).

Natyrisht, duke ndjekur udhëzimet e Kostallarit, edhe te Agalliu, et.al. “Përngjitja” përshkruhet si mënyrë e veçantë e fjalëformimit nga kompozimit (2002:75). Madje, edhe bashki­met e temave me mjete lidhëse, si gjëegjëzë, thashethem, farefis trajtohen si përngjitje, ndonëse i kanë tiparet e plota të kom­pozitave, pasi fjala e përbërë eptohet si e tërë: gjëegjëzat, thashethemeve, farefisi etj.

Turano (2012:105), fjalët thashetheme e sadopak i përshkruan me të drejtë si kompozita dhe as i përmend “fjalët e përngji­tura” si mënyrë më vete e fjalëformimit.

Gjithashtu, edhe fjalë të përbëra si vërej, përshkruhen si fjalë të përngjitura, ndonëse ashiqare, konstituenti i parë i fjalës së derivuar dytemëshe (vë) sillet në mënyrë neutrale ndaj inflek­sionit, duke ia bartur ato atribute konstituentit emëror që nor­malisht nuk do të mund të merrte prapashtesë infleksionale të foljes (re-j), që dome­thënë se fjala e përbërë inflektohet si e tërë dhe përbën një koncept unik semantik, prandaj s’ka se si të përkufizohet ndryshe përveçse si kompozitë.

Megjithatë, vetë fakti se kompozitat emërtohen alternati­visht si fjalë të përbëra dhe e ashtuquajtura ‘përngjitje’ mund të përkufi­zohet po ashtu si formim fjalësh të përbëra, lë hapësirë diskutimi, të cilën pretendonte ta kishte mbyllur gramatika preskriptive e shqipes, ndonëse në gramatikat e hershme të shqipes, flitet vetëm për fjalë të përbëra, të përngjitura a për kompozita, pa bërë dallime ndërmjet tyre, deri në diskutimin direktival të Kostallarit.

Viteve të fundit kemi hasur disa qasje interesante lidhur me fjalëformimin në përgjithësi e kompozitat dhe kompozimin në veçanti, sidomos nga Mimoza Priku, Adelina Çerpja, Giuseppina Turano, Ina Arapi, Shefkije Islamaj, Shkëlqim Millaku, Agim Spahiu e Flutura Çitaku.

[1] Termat ‘endocentrike’ dhe ‘ekzocentrike’ këtu janë përdorur në kuptim të raportit ndërmjet kompozitës dhe konstituentëve të saj dhe jo në raport me referentin.

[2] Në traditën gramatikore të shqipes konstruktet si ‘ndihmës i profesorit’, ‘rojë e pyllit’, janë quajtur me termin togfjalësh, mirëpo në anglishten për to përdoret termi frazë (phrase) e në frëngjishten termi sintagmë (syntagme). Varësisht nga drejtimit që linguistët pretendojnë se ndjekin, përdoren terma të ndryshëm dhe ka një epërsi përdorimi të termit sintagmë. Në këtë punim do të përdoren të tria variantet, duke i dhënë përparësi formimit pikërisht kompozicional dhe të shqipes, ‘togfjalësh’.

Marrë nga libri “Kompozimi dhe kompozitat në gjuhën shqipe”, botuar nga Sh. B. “Armagedoni”, 2025

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 15 dhjetor 1942 ndërroi jetë mjeshtri i hollë i…