“Kompozimi dhe kompozitat në gjuhën shqipe”, libri më i ri i Rrahman Paçarizit
Ka dalë nga shtypi libri “Kompozimi dhe kompozitat në gjuhën shqipe” i studiuesit dhe profesorit Rrahman Paçarizi. Librin e ka botuar shtëpia botuese “Armagedoni”.
Se si dhe kur nisi ta shkruajë autori këtë libër, tregon në parathënie, të cilën e publikojmë të plotë:
Parathënie
Të bindur për natyrën multidisiplinare të fjalëformimit, vite më parë patëm propozuar që fjalëformimi të mos shihej thjesht si pjesë e morfologjisë, por si kurs më vete, prandaj e futëm lëndën “Fjalëformim”, me zgjedhje, në studimet Master në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Kjo hapësirë krijoi mundësi më të shumta të marrjes me fjalëformimin, por edhe rriti nevojën për hartimin e një teksti për studentët, që do të merrte parasysh, jo vetëm dijen shqiptare mbi fjalëformimin, por një dije të integruar globale dhe një qasje ndërgjuhësore të problematikës, në mënyrë që t’i jepnim fjalëformimit vendin që e meritonte. Përveç të tjerash, zhvillimi i shoqërisë shqiptare e vinte këtë shoqëri, përballë, jo vetëm të një nevoje, por të një emergjence gjuhësore, si asnjëherë më parë në histori. Shoqëria shqiptare po përjetonte një hapje të jashtëzakonshme, në momentin e lulëzimit të globalizmit shoqëror, ku gjuha si fenomen social po riorganizohej për të përmbushur nevojat e folësve. Gjuhët në veçanti po e humbnin dhe po vazhdojnë ta humbinin terrenin në favor të anglishtes, tashmë të shndërruar në lingua franca. Në raste të tilla, kombet dorëzohen duke huazuar ose mobilizohen duke ndrydhur e shtrydhur të gjitha kapacitetet e brendshme, për të ruajtur diçka nga identiteti gjuhësor. Kapacitetet fjalëformuese të shqipes, në të vërtetë, janë arma e saj e fortë – kur një shoqërie i duhen shenja të reja gjuhësore për të emërtuar koncepte të reja që hyjnë në jetën e saj bashkë më zhvillimin, atëherë fjalëformimi gjen shprehjen si mekanizëm mbrojtës. Një fazë të tillë, gjuhët europiane e përjetuan në periudhën e tyre të Rilindjes, kur nisi përkthimi i Biblës dhe kjo i vuri përkthyesit përpara një emergjence gjuhësore – përkthimi i Biblës nga latinishtja e zhvilluar dhe e konsoliduar, në gjuhë të tjera me më pak kapacitete gramatikore. Nëse anglishtja, frëngjishtja e holandishtja nuk i kishin mjetet infleksionale të latinishtes, ose do të dukeshin groteske, duke e imituar latinishten, ose duhej të vinin në lëvizje kapacitetet e tyre të brendshme…
Tash, kur prestigji i anglishtes është aq i lartë sa për të zhvilluar karrierë përmes saj edhe në vendet joanglishtfolëse, gjuhët vihen në rrezik dhe zhvillimi i kapaciteteve fjalëformuese (derivative dhe flektive) është mekanizmi më i mirë mbrojtës për to.
Nisur nga këto ndërgjegjësime që i kisha përfituar duke u pasë marrë me psikolinguistikë, me sociolinguistikë, me globalizmin e glokalizmin, vendosa t’i futem trajtimit të thellë të fjalëformimit. Fillimisht më bëri për vete Konversioni dhe kapacitetet e tij të pakufishme në shqipen. Metafora dhe nënmetaforat, si metonimia e sinekdoka, që janë në bazën e konversionit, dhe spektri i gjerë i kësaj mënyre të fjalëformimit që tejkalonte shumëfish studimet tradicionale, jo vetëm të shqipes, ishte një mrekulli më vete. Fillimisht mendova se është mahnitja e parë me gjetjen dhe ashtu siç nis ta duash më shumë një person të mirë me të cilin rri më shumë, edhe mua konversioni më bëri për vete. E dija që diku po gaboja. Gati se e kuptova gabimin, kur u lidha natyrshëm për ndajshtesimin – ishte e lehtë ta doja ndajshtesimin, pasi ishte tepër i gjerë, mjaft i saktë dhe në një masë të mirë edhe i trajtuar në gjuhësinë shqiptare, sidomos Parashtesat e Prapashtesat që i kishin renditur ‘për peri’ dhe me shumë shpjegime Xhuvani e Çabej.
Dy vjet pasi e mbylla librin “Fjalëformimi ndajshtesor në gjuhën shqipe”, kur i thashë vetes t’i trajtoja kompozimin dhe mënyrat e vogla të fjalëformimit në shqipen, ngeca te kompozimi. Të isha kthyer në person që dashurohesha lehtë pas çdo mënyre të fjalëformimit?! Ndoshta. Megjithatë kishte shumë arsye për këtë – studimet për kompozimin ishin aq uniforme, sa kompozimi pothuajse nuk shihej si mënyrë e fjalëformimit, por më shumë zbatim i një programi ideologjik me korniza të përcaktuara qartë, jashtë të cilave nuk dilej. Kompozimi i shqipes shihej si bashkim ortografik fjalësh, mundësisht i jo më shumë se dy temash, semantika (që është qëllimi kryesor i formimit të fjalës së re) injorohej tërësisht si qëllim, dhe dikush kishte vendosur që në shqipen një pjesë e kompozimit të quhej përngjitje e kështu me radhë.
Kështu, kompozimi m’u rrit aq shumë sa vështirë të futej në një thes me ato që kisha dashur t’i quaja mënyra të vogla të fjalëformimit, por që hoqa dorë nga kjo, pasi kisha frikë se po e paragjykoja një thesar të fshehur nga kutia e vjetër, në të cilën ishte futur. Nuk doja të isha pirati që e ka ndjekur vijën e kuqe në hartën e shokut të qelisë së burgut për të arritur te thesari i fshehur në një arkë dhe të mos mendoja se kishte edhe arka të tjera. Vija e kuqe ishte mashtrim për të mos e marrë të gjithë thesarin – ndoshta atë hartë e kishin parë edhe para meje dhe po të njëjtën vijë të kuqe kishin ndjekur. Nëse jam pirat, pse t’i besoja piratit tjetër e të mos kërkoja më shumë thesare të fshehura, pse të mos i ndiqja edhe vijat e gjelbra, vijat e kaltra e vijat e verdha; pse duhej të shkoja në ishullin e kompozimit e të brendimit më të njëjtën varkë, kur mund të ecja rrugëve të rrahura, pavarësisht se dikujt nuk i pëlqente ai/ajo që i kishte shtruar.
Atë thesar do ta kërkoja më vonë, pa e paragjykuar vlerën e tij nga madhësia (e vogël) e arkës – Einsteini, kur e plasoi teorinë e relativitetit tha se energjia është në shpërputhje me masën. Kush jam unë që të mos i besoj apo t’i besoj – le ta provojmë një herë…
PËRMBAJTJA E LIBRIT
Parathënie, 7
KOMPOZIMI DHE KOMPOZITA, 11
PËRKUFIZIMI I KOMPOZITËS, 19
PËRKUFIZIMI I KOMPOZIMIT DHE I KOMPOZITËS NË GJUHËSINË SHQIPTARE, 31
PËRBËRËSIT E KOMPOZITËS, 39
FJALA, 43
TEMA, 46
STEMI, 53
QASJA NDËRGJUHËSORE NË PËRKUFIZIMIN E KOMPO-ZITAVE, 57
KRITERET PËR PËRKUFIZIMIN E KOMPOZITËS SIPAS DONALIES, 61
TOPIKA E KOMPOZITAVE, 75
KLASIFIKIMI ORTOGRAFIK I KOMPOZITAVE, 79
Kompozitat e mbyllura, 89
Kompozitat e hapura, 90
Kompozitat hipenative, 95
KOMPOZITË KUNDREJT TOGFJALËSH, 97
Lokucionet, 102
Kompozim kundrejt përngjitje, 106
NDARJA SEMANTIKE E KOMPOZITAVE, 117
NDARJA MORFOSINTAKSORE E KOMPOZITAVE, 133
Ndarja sintaksore e kompozitave, 136
Kompozitat e bashkërenditura, 139
Kompozitat e nënrenditura, 142
Ndarja morfologjike e kompozitave, 145
Kompozitat emra, 145
Kompozitat mbiemra, 146
Kompozita folje, 147
Kompozitat ndajfolje, 149
Kompozitat përemra, 151
Kompozitat lidhëza, 151
Kompozitat pjesëza, 152
Kompozitat pasthirrma, 153
Kompozita bikategoriale, 153
Kompozita kontrastive, 154
Kompozitat e motivuara nga rima dhe ritmi, 154
Kompozitat repetitive, 155
Kompozita me ndryshime fonetike, 155
Kompozitat neoklasike apo hibride, 156
Kompozitat në pikëpamjen e morfologjisë evaluative, 156
Kompozita diminutive, 158
Kompozita augmentative, 158
Kompozita pezhorative, 159
Kompozita repetitive evaluative, 159
Kompozita antroponimike, 160
SHTOJCË 1, 163
Kompozita antroponimike me shpjegim, 163
ANALIZA STRUKTURORE E KOMPOZITAVE, 167
KOMPOZIMI DHE DEKOMPOZIMI I KOMPOZITAVE GJATË PROCEDIMIT TË GJUHËS NGA FOLËSI, 171
Pikëpamje psikolinguistike mbi kompozitat, 175
Madhësia e çerdhes së fjalës, 179
Shpeshtësia si siguri semantike, 180
Shpeshtësia si element mnemonik, 180
Mekanizmi mnemonik, 181
SHPESHTËSIA E PJESËMARRJES SË FJALËVE SI KONSTITU-ENTË TË KOMPOZITAVE TË SHQIPES, 187
Kompozitat endocentrike kokëmajta, 201
SHTOJCË 2, 209
Konstituentët e kompozitave të shqipes sipas shpeshtësisë së pjesë-marrjes në kompozita, 209
Konstituentë të majtë sipas shpeshtësisë së pjesëmarrjes në kompozita të paraqitura në FGJSSH, 209
Konstituentë të djathtë sipas shpeshtësisë së pjesëmarrjes në kompozita të paraqitura në FGJSSH, 218
PËRFUNDIME, 221
Literatura, 225
Indeksi i emrave, 235
SHTOJCË 3, 239
Listë kompozitash të mbyllura, 239
SHTOJCË 4, 243
Listë kompozitash të përfshira në FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE, 2002, 243




