Komshiq pas takimit me Kurtin: S’kemi pse e pyesim Dodikun, falënderojmë Kosovën për vendimin e jashtëzakonshëm për viza

06 dhjetor 2024 | 12:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij në Bosnjë e Hercegovinë është takuar të premten me dy anëtarë të Presidencës atje, atë boshnjak Denis Beqiroviq dhe atë kroat, Zhelko Komshiq.

Ky i fundit ka shkruar në “Facebook” për takimin që kishte me Kurtin, ku ka thënë se e ka falënderuar për veprimin e njëanshëm të Kosovës për heqje të vizave qytetarëve të Bosnjës, duke thënë se pikërisht për këtë është “lëvizje e jashtëzakonshme” nga Kosova.

“Faleminderit Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Ne e vlerësojmë një lëvizje kaq të jashtëzakonshme të njëanshme dhe për këtë arsye të pazakontë. Kjo lëvizje sigurisht që do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës, si dhe në rritjen e shkëmbimit të mallrave të ndërsjella”, ka thënë ai.

Komshiq ka folur edhe për kundërshtimin e vizitës së Kurtit në Bosnjë nga ana e Republikës Srpska dhe kryetarit të saj, Milorad Dodik.

“Lidhur me kritikat e supozuara lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilat vijnë nga RS si dhe nga rajoni, ju kujtoj se RS nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe se RS nuk është kompetente për të lëshuar viza për hyrje në Bosnje-Hercegovinë, si dhe se anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës me siguri nuk do ta pyesin Dodikun, apo dikë tjetër, se me kë do të takohemi dhe çfarë do të diskutojmë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se këto kritika janë tentativa për mohim të sovranitetit të vendit të tij.

“Ne i perceptojmë kritikat që vijnë nga vendet e rajonit si një tjetër dëshmi evidente e tentativave për të mohuar sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe presion ndaj organeve dhe institucioneve sovrane të vendit tonë në drejtimin e politikës së jashtme”, ka thënë ai.

Dodiku dje ka thënë se qëndrimi i kryeministrit kosovar në Bosnje do ta ndërlikojë situatën në këtë shtet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas pesë humbjesh radhazi, ekipi i Golden State rikthehet te…