Komuna e Fushë Kosovës ngushëllon familjen Aliu pas vdekjes së Leonitit në tragjedinë në Shëngjin
Komuna e Fushë Kosovës ka shprehur ngushëllime për familjen Aliu pas vdekjes së Leonit Aliut, i cili humbi jetën në një ngjarje të rëndë në Shëngjin të Shqipërisë, në zonën Rana e Hedhun.
Në këtë incident në det kanë humbur jetën dy persona, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor dhe kanë qenë nën kujdes intensiv, si pasojë e qëndrimit në ujë, pasi dallgët e forta dyshohet se u kanë shkaktuar humbje orientimi.
Në telegramin e ngushëllimit, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Valon Prebreza, në emër të komunës dhe qytetarëve, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Aliu, të afërmit dhe miqtë e tyre.
“Kryetari Valon Prebreza, në emër të Komunës së Fushë Kosovës dhe qytetarëve të saj, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Aliu, të afërmit dhe miqtë e tyre, me rastin e humbjes tragjike të më të dashurit të tyre, Leonit Aliu”, thuhet në telegram.
Prebreza ka thënë se komuna ndan dhimbjen me familjen Aliu dhe është lutur që ata të gjejnë forcë për ta përballuar humbjen.
“Ndajmë pikëllimin me familjen Aliu dhe lutemi që të gjejnë forcë e kurajo për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, thuhet më tej.
Në telegram theksohet se kujtimi për Leonin Aliu do të mbetet i përhershëm, ndërsa shprehen ngushëllime edhe për të gjithë të prekurit nga tragjedia.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Leonit Aliun. Ngushëllimet më të thella për familjen Aliu dhe të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi”, përfundon telegrami.



