
Komuna e Kaçanikut shënon performancë e lartë në mbledhjen e të hyrave nga tatimi në pronë
Komuna e Kaçanikut, përkatësisht Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, ka shënuar performancë të lartë në mbledhjen e të hyrave komunale, me theks të veçantë nga tatimi në pronë. Drejtori i kësaj drejtorie, Bahri Selimi, ka thënë se realizimi i të hyrave totale për periudhën janar-gusht 2021 është në shumë prej 488 997 euro.
“Analizuar raportin sipas llojeve të të hyrave, del se performancë e lartë është realizuar te të hyrat e tatimit ne pronë. Të këto të hyra qysh tani ende pa përfunduar edhe 4 muaj të tjerë të vitit, është tejkaluar shuma e realizuar karshi planifikimeve vjetore. Pra, këto të hyra për periudhën janar-gusht 2021 janë realizuar gjithsej 278 219 euro, ndërsa planifikimi vjetor është në shumë prej 270 000 euro. Po ashtu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kemi një rritje në inkasim prej 100 193 euro apo për 56.28 për qind shprehur në përqindje, sepse realizimi i vitit të kaluar për këtë periudhë ishte në shumë prej 178 026 euro” është shprehur Selimi.
Në këtë drejtim, drejtori Selimi ka falënderuar qytetarët e Komunës së Kaçanikut për përgjigjeje ndaj obligimeve të tyre tatimore. Po ashtu, ai ka falënderuar edhe stafin e sektorit të tatimit në pronë. Në fund, ai ka siguruar se këto mjete, do të ju kthehen qytetarëve përmes realizimit të shumë projekteve kapitale, që rregullojnë mirëqenien e tyre.