Komuna e Mitrovicës e gatshme për fillimin e vitit shkollor 2025/26

21 gusht 2025 | 11:09

Në Sallën e Kuvendit Komunal, u mbajt takimi me drejtorët e institucioneve edukativo-arsimore të komunës, takim i cili u udhëhoq nga drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu.

Qëllimi i këtij takimi ishte përgatitja për fillimin e vitit të ri shkollor 2025/26, si dhe diskutimi i çështjeve të rëndësishme për mbarëvajtjen e procesit arsimor në të gjitha shkollat e Mitrovicës së Jugut.

Në takim u theksua se në disa shkolla janë duke u zhvilluar punime intensive për renovim gjeneral, me synim krijimin e kushteve më të përshtatshme dhe moderne për nxënësit dhe stafin arsimor, ku pavarësisht punimeve që po vazhdojnë, të gjitha shkollat janë të gatshme për të nisur vitin e ri shkollor.

Drejtoria e Arsimit do të vazhdojë përkushtimin e saj për ngritjen e cilësisë dhe standardeve në arsim, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme për çdo institucion shkollor.

Drejtoresha e Arsimit, Drita Kadriu, falënderoi të gjithë drejtorët e shkollave për kontributin, përkushtimin dhe punën e tyre të palodhshme, duke theksuar se arsimi ka qenë dhe do të mbetet prioriteti kryesor i udhëheqjes sonë në Mitrovicën e Jugut.

Po ashtu, me këtë rast u shënua edhe pensionimi i drejtorit Xhafer Maliqi, të cilit Drejtoria e Arsimit i shprehu mirënjohje dhe falënderim të veçantë për kontributin shumëvjeçar dhe rolin e tij të çmuar në zhvillimin e arsimit në komunën tonë.

Me këto përgatitje dhe me respekt për kontributin e secilit, Komuna e Mitrovicës së Jugut është e gatshme të mirëpresë nxënësit dhe mësimdhënësit në fillim të vitit të ri shkollor, duke synuar një proces arsimor cilësor, gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drita do të zbresë sonte në fushën e blertë për…