Komuna e Mitrovicës krijon mundësi të mjaftueshme për parkim të automjeteve

22 maj 2018 | 11:24

Komuna e Mitrovicës është në rrugë të mbarë për të zgjedhur problemin e parkimit të automjeteve të qytetarëve në qendrën e qytetit.

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, Naser Muja, ka bërë me dije se tashmë është lëshuar për shfrytëzim të qytetarëve parkingu për automjete në objektin e ri afarist (biznesor), ngjitur me Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” afër urës kryesore mbi lumin Ibër.

Muja ka thënë se kapaciteti i parkingut të ri është për mbi 100 automjete, ndërsa që çmimi për parking është i volitshëm për qytetarët, vetëm 1 euro pa marrë parasysh kohëzgjatjen e parkimit.

Po ashtu, drejtori Muja ka njoftuar qytetarët se është lëshuar për shfrytëzim të qytetarëve edhe parkingu ngjitur me tregun e gjelbër, përballë stadiumit të futbollit “Rizah Lushta”, me kapacitet prej rreth 200 vendeve për parkim të automjeteve. Kurse çmimi i parkimit të automjetit në këtë parking është 0.30 cent për një orë.

“Një parking tjetër shumë i përshtatshëm për qytetarë, me mbi 50 vende parkimi është ai ndërmjet Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko” dhe Shkollës “A.Z. Çajupi. Çmim është 1 euro për një orë”, ka thënë Muja.

Ai ka shtuar se atyre që çmimi i parkimit u duket i lartë, kanë mundësi që automjetin e tyre ta parkojnë pa pagesë në parkingun me kapacitet prej rreth 200 automjete, afër kompanisë së mbeturinave “Uniteti”, përkatësisht në vendin ku më parë kanë qenë garazhet e Kosovatransit.

“Kur këtyre mundësive t’u shtojmë edhe parkingjet private që janë të shumta në qendrën e qytetit, ku trafiku është mjaftë i ngarkuar, atëherë ne mendojmë se tani shoferët kanë mjaftë mundësi për të parkuar automjetet e tyre në vendet e lejuara dhe të sigurta, ku nuk do të pengojnë askënd dhe as qarkullimin e lirë të automjeteve. Largësia në mes të këtyre parkingjeve nuk është më e madhe se 600-700 metra, ndërsa që qytetari nga aty mund të mbërrijë për më pak se pesë minuta në qendër të qytetit”, ka thënë nënkryetari Muja.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në seancën administrative të mbajtur më 22 maj, në përputhje…