Komuna e Prishtinës hap konkurs për projektimin e memorialit përkujtimor ‘Adem Jashari’
Komuna e Prishtinës ka hapur konkurs publik për projektimin e Memorialit Përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij, për të cilin ka ndarë një buxhet prej 150 mijë eurosh.
Sipas dosjes së konkursit, ky memorial synon të përjetësojë sakrificën unike të familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt, e cila përfaqëson një nga rastet më kulminante të gatishmërisë për sakrificë mbinjerëzore për liri. Rënia e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, së bashku me 58 anëtarë të familjes së tij, përfshirë fëmijë, gra dhe pleq, konsiderohet si një ngjarje e veçantë në historinë e njerëzimit në emër të idealit universal të lirisë.
Sipas vizionit të projektit, memoriali do të vendoset në një nga hapësirat publike me potencial në kryeqytet, me qëllim që kjo sakrificë sublime të bëhet pjesë e pandashme e jetës së përditshme urbane dhe e manifestimit të lirisë në hapësirë publike, përmes ndërveprimit të vazhdueshëm me qytetarët.
Projekti është në përputhje edhe me vizionin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për një kryeqytet bashkëkohor, gjithëpërfshirës dhe një fener të trashëgimisë kulturore. Memoriali përkujtimor i familjes Jashari pritet të kontribuojë në forcimin e identitetit kulturor dhe historik të qytetit, shkruan “IndeksOnline”.
Sa i përket lokacionit, memoriali parashihet të ndërtohet në qendër të Prishtinës, mes ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit. Ai do të jetë pjesë e projektit për ndërlidhjen e shëtitores ekzistuese që përfundon me sheshin “Ibrahim Rugova” dhe vazhdimin e saj drejt pjesës së vjetër të qytetit, përmes nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”.
Sipas këtij projekti urban, rruga “Agim Ramadani” do të bëhet nëntokësore, ndërsa pjesa sipër saj do të shndërrohet në pllato për këmbësorë, duke mundësuar lidhjen funksionale mes bulevardit ekzistues dhe qytetit të vjetër. Pikërisht mbi këtë pllato është paraparë dizajnimi i memorialit dhe hapësirës përreth tij, që është edhe subjekt i konkursit.



