Komuna e Prizrenit lanson projektin “Forumi i bashkëinvestimit dhe rrjetëzimit”, i pari i këtij lloji në nivel lokal

07 maj 2019 | 16:19

Komuna e Prizrenit së bashku me organizatën joqeveritare “Germin”, të martën ka lansuar projektin “Forumi i bashkëinvestimit dhe rrjetëzimit”, i pari i këtij lloji në nivel lokal, i cili synon të tërheqë investimet e huaja dhe nga diaspora në qytetin e Prizrenit dhe të krijojë lidhje të reja tregtare për bizneset vendore.

Në këtë lansim të organizuar në ambientet e Komunës së Prizrenit, të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, përfaqësuesit e organizatës Germin, të shoqatave vendore të biznesit, Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe të Unionit të Biznesve Shqiptare-Gjermane.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka gjatë këtij lansimi ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e Komunës për të promovuar investimet nga diaspora dhe investitorët tjerë të huaj.

Kryetari Haskuka ka theksuar se potenciali i diasporës për investime duhet të kanalizohet  në fusha që gjenerojnë punësim dhe të ardhura, e jo vetëm konsum.

Ai ka falënderuar pjesëmarrësit dhe organizatën “Germin” për lehtësimin e këtij procesi si dhe tha se Komuna është hapur për bashëkpunim dhe mikpritje të investitorëve. “Forumi i Bashkëinvestimeve dhe rrjetëzimit do të fokusohet në ofrimin e një pasqyre sa më të qartë për investitorët e jashtëm dhe nga diaspora, si dhe për mundësitë zhvillimore dhe biznesore që i ofron qyteti i Prizrenit. Tërheqja e kompanive të huaja dhe nga diaspora për të investuar në Prizren është një nga synimet kryesore për t’u arritur përmes këtij bashkëpunimi, siç është edhe krijimi i mundësive për të lidhur prodhuesit vendor me partnerë në tregjet e jashtme”, u shpreh drejtoresha e “Germin”, Liza Gashi.

Nora Hasani nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka informuar pjesëmarrësit rreth trajnimeve përgatitore që kjo organizatë do t’i bëjë në Prizren gjatë muajit maj, të cilat do t’i shërbejnë bizneseve lokale për t’i zgjeruar kapacitetet biznesore.

Përfitues të këtij programi/projekti do të jenë qytetarët, bizneset dhe institucionet e Komunës së Prizrenit të mandatuara për zhvillim ekonomik, si dhe kompanitë me potencial investues nga jashtë dhe nga diaspora.

Në këtë forum, që pritet të jenë më shumë se 40 investitorë nga diaspora, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për të qenë bashkëkrijues për të ardhmen e Prizrenit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të angazhimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për…