Komunat përgatisin faturë milionëshe për qeverinë për vërshimet e janarit
Vërshimet e ditëve të para të janarit të këtij viti kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa Komuna të vendit, duke prekur ekonomitë familjare, bizneset, sektorin e bujqësisë si dhe infrastrukturën publike.
Si pasojë, Komunat kanë angazhuar komisionet përkatëse për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve në terren, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e saktë e gjendjes dhe të hapet rruga për kërkesat zyrtare për ndihmë dhe kompensim nga institucionet qendrore.
Shumë Komuna tashmë thonë se janë në fazën të vlerësimeve.
Procesi i vlerësimit po zhvillohet në faza të ndryshme, ndërsa raportet përfundimtare pritet t’i dërgohen Kuvendeve Komunale dhe Qeverisë së Kosovës për trajtim të mëtejmë.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Rahovecit, Irfan Berisha, për FrontOnline, ka prezantuar të dhënat zyrtare për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e datave 5, 6 dhe 7 janar 2026, duke bërë të ditur se procesi i vlerësimit ka përfunduar dhe se tashmë ekziston një pasqyrë e qartë e dëmeve në sektorë të ndryshëm.
Sipas Berishës, në Komunë janë parashtruar gjithsej 425 kërkesa për kompensim, nga të cilat 394 janë aprovuar nga komisioni, ndërsa 31 kërkesa janë refuzuar.
“Dëmet nga vërshimet me 5, 6 dhe 7 janar 2026 në Komunën e Rahovecit. Janë parashtru 425 kërkesa, të aprovuara nga komisioni janë 394 kërkesa, ndërsa kërkesa të refuzuara janë 31”, deklaroi Berisha.
Ai bëri të ditur se dëmet në ekonomitë familjare përbëjnë pjesën më të madhe të kërkesave.
“Në listën e dëmeve në ekonomi familjare janë 259 kërkesa, me vlerë të dëmit 292,457.08 euro”, theksoi Berisha.
Sipas tij, dëme të konsiderueshme janë evidentuar edhe në sektorin e bujqësisë dhe atë të bizneseve.
“Në bujqësi janë 120 kërkesa, me vlerë të dëmit 165,178.64 euro, ndërsa në biznese janë 7 kërkesa, me vlerë të dëmit 186,139.79 euro”, u shpreh ai.
Berisha shtoi se janë evidentuar edhe dëme në infrastrukturën private.
“Në infrastrukturë private janë 8 kërkesa, me vlerë të dëmit 27,974.00 euro”, deklaroi ai.
Sipas të dhënave zyrtare, numri total i kërkesave të aprovuara për dëme private është 394, me vlerë të përgjithshme prej 671,749.51 euro. Ndërkaq, dëmet në infrastrukturën publike kapin shifrën e 129,305.00 euro, të shpërndara në 22 raste të evidentuara.
“Gjithsej dëme private dhe në infrastrukturë publike arrijnë vlerën 801,054.51 euro”, përfundoi Berisha.
Kryetari i Komunës së Dragashit, Behgjet Xheladini, për FrontOnline ka bërë të ditur se komisioni komunal ka nisur vlerësimin në terren të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, ndërsa theksoi se dëmet paraprake vlerësohen në rreth gjysmë milioni euro.
Sipas Xheladinit, deri më tani janë pranuar dhjetëra aplikacione të shoqëruara me dëshmi dhe fotografi nga qytetarët e prekur.
“Sot komisioni ka dalë në terren. Gjithsej ka pasur 35 aplikacione me dëshmi dhe fotografi”, deklaroi ai.
Ai tha se dëmet më të mëdha janë evidentuar në infrastrukturë, ndërsa shuma e saktë ende nuk është përllogaritur.
“Pjesa më e madhe e dëmeve është në infrastrukturë. Dëmi nuk dihet saktë, por afërsisht është gjysmë milion euro”, u shpreh Xheladini
Kryetari i Dragashit ngriti shqetësimin edhe për moskompensimin e dëmeve nga vërshimet e mëparshme, duke theksuar se qytetarët ende nuk kanë marrë mbështetjen e premtuar.
“Dëmet e para një viti e gjysmë nuk janë paguar ende”, theksoi ai.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për FrontOnline, ka bërë të ditur se institucionet komunale janë në fazën përfundimtare të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, ndërsa paralajmëroi se raporti zyrtar do t’i dërgohet Kuvendit Komunal dhe më pas Qeverisë së Kosovës për procesim të mëtejmë.
Lladrovci tha se evidentimi është bërë përmes komisioneve komunale dhe se shuma totale e dëmeve do të jetë pjesë e raportit përfundimtar.
“Ne me Komisionet komunale kemi bërë evidentimin e dëmeve dhe jemi duke përgatitur Raportin përfundimtar ku dihet edhe vlera e dëmeve të cilin do ta dërgojmë në Kuvend për miratim dhe përcjellim te Komisioni qeveritar të cilët do ta procesojnë në Qeveri”, deklaroi ai.
Sipas tij, evidenca e dëmeve ka për qëllim sigurimin e kompensimit për kategoritë e prekura nga vërshimet, përfshirë ekonomitë familjare, bizneset, bujqësinë dhe infrastrukturën publike.
“Evidenca e dëmeve synon kompensimin e dëmeve të ekonomive familjare, bizneseve, ato bujqësore dhe infrastrukturore. Kjo evidencë është kërkesa jonë për ndihmë qytetarëve, kompanive dhe rrugëve e objekteve tjera publike”, theksoi Lladrovci.
Duke folur për përvojat e mëparshme me kompensimet nga Qeveria, kryetari i Drenasit sqaroi se ndihma ka qenë e pjesshme dhe jo e vazhdueshme ndër vite.
“Dëmet e vitit 2016 dhe 2021 i kanë paguar pjesshëm ndërsa për ato të vitit 2023 nuk kishte kompensime. Presim që kjo praktikë e moskompensimit të mos bëhet traditë”, u shpreh ai.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, për FrontOnline ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit ende nuk është përmbyllur, pasi komisioni përgjegjës nuk ka përfunduar punën në terren.
Sipas Kastratit, institucionet komunale janë në pritje të raportit zyrtar dhe përfundimtar nga komisioni i vlerësimit, i cili pritet të ofrojë një pasqyrë të saktë të dëmeve të shkaktuara.
“Ende nuk e kemi përfunduar vlerësimin e dëmeve. Komisioni ende nuk ka përfunduar vlerësimin adekuat dhe përfundimtar”, deklaroi Kastrati
Ai theksoi se vetëm pas përmbylljes së këtij procesi do të dihet shkalla reale e dëmeve dhe hapat institucionalë që do të ndërmerren për adresimin e tyre, përfshirë edhe procedurat për kërkimin e ndihmës nga niveli qendror.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit është drejt përfundimit, pas bashkëpunimit mes institucioneve komunale dhe Komisionit për Vlerësimin e Dëmeve.
Idrizi tha se janë zhvilluar takime me Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve dhe Zyrën e Kryeministrit (ZKM), ku është arritur dakordim për evidentimin e plotë të të gjitha dëmeve në territorin e komunës.
“Ne kemi pasur takim me Komisionin për Vlerësimin e Dëmeve me ZKM. Ka qenë komisioni tek ne edhe jemi dakorduar me bërë vlerësimin e gjitha dëmeve në komunën e tonë, kshtu që tani komisioni tek ne është në fazën përfundimtare të vlerësimit të dëmeve”, deklaroi Idrizi.



