
Konfirmohet sëmundja e murtajës së deleve në Kosovë
26 shtator 2025
| 14:37
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se pas kontrolleve të vazhdueshme në terren është konfirmuar prania e sëmundjes PPR (murtaja e ruminantëve të vegjël) në një fermë dele në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
“Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë ka konfirmuar një rast me PPR pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe zbatimit të masave për kontrollin e sëmundjes”, ka njoftuar AUV-i.
Sipas AUV-së, kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.
“PPR nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve. Megjithatë, ajo shkakton dëme të mëdha në shëndetin e kafshëve, rrit ngordhshmërinë dhe ka ndikim të rëndë në ekonominë blegtorale”, ka njoftuar AUV-i.