Konfiskohen 700 kg mish në Ferizaj

10 mars 2021 | 14:22

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë të martën një aksion për inspektimin e të gjitha mishtoreve në Ferizaj. Ky aksion i AUV-së është zhvilluar në bashkëpunim me inspektorët komunalë. “Nga ky aksion u konfiskuan një sasi prej 700 kilogramë mish dhe produkte të tjera mishi, e cila nuk i plotësonte kushtet ligjore për tregtim. Produktet e mishit të konfiskuar ishin: mish i freskët, mish i grirë, suxhuk, virshlle, mish i terur. E gjithë sasia u tërhoq nga shitja dhe u bllokua me urdhër të inspektorit. E gjithë sasia e mishit të ndaluar do të asgjësohet në prani të inspektorëve kompetentë. Shumica e mishtoreve posedonin kushte të mira higjienike, ndërkaq për hapësirat që kishte defekte u urdhërua që ato të përmirësohen brenda afateve kohore”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi.

Sipas tij, të gjithë operatorët të cilët tregtojnë produkte mishi duhet të jenë të regjistruara në AUV. “AUV përmes inspektoratit veterinarë është duke ndërmarrë aksione në të gjithë Kosovën që të largojë nga tregu të gjitha produktet ushqimore me origjinë shtazore të cilat nuk i plotësojnë kriteret ligjore për sigurinë ushqimore. Të gjithë operatorët të cilët tregtojnë produkte mishi duhet të jenë të regjistruara në AUV. Thertoret dhe përpunuesit  e mishit duhet të jenë të licencuara për veprimtarinë përkatëse. Hapësirat duhet t’i plotësojnë kushtet teknike sanitare dhe higjienike, të cilat garantojnë siguri në prodhim, përpunim apo tregtim të produktit. Në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimore duhet plotësuar kushtet që produkti te konsumatori të shkojë i sigurt dhe cilësorë”, ka theksuar Thaçi.

(A.MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani është duke e parë…