
Kongresmeni amerikan: S’mu mundësua vizita te Thaçi, shpresoj të ketë drejtësi
Kongresmeni amerikan, Tony Hall në një intervistë ekskluzive për “Info Magazine”, tregoi për vizitën e tij tek ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Ai thotë se këto vizita i bën pas shkuarjes në amshim të të birit, dhe se e di çfarë është kur dikush ka nevojë për shpresë.
“Është vizita ime e dytë në Hagë për t’i parë këta burra të rëndësishëm, me shpresë që edhe pse nuk arrita t’i takoj sy më sy, t’ju sjell sadopak shpresë atyre dhe familjarëve të tyre. Arsyeja pse e bëj këtë është se unë kam humbur djalin tim para shumë vitesh, dhe pati shumë njerëz që erdhën dhe u lutën për mua, më qëndronin afër duke më ofruar empati dhe mbështetje, kështu që e di se si ndihet dikush që ka nevojë për shpresë, mbështetje dhe kujdesin e të tjerëve, kjo është mënyra ime për ta kthyer atë të mirë”, tha Hall.
Hall tregon po ashtu se kur ishte hera e parë që ka takuar ish-krerët e UÇK-së, që tani për tani gjendjen në paraburgim në Hagë.
Madje, kongresmeni amerikan tha se është takuar edhe me babanë e ndjerë të Hashim Thaçit, duke shprehur këtu keqardhje për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit.
“Hera e parë që kam takuar ish-krerët e UÇK-së ka qenë dy vjet më parë në Hagë, ksiha mundësinë t’i vizitoja bashkë me mikun tim Ahmet Shalën, po ashtu i kam takuar familjarët e tyre në Prishtinë, e takova edhe babanë e presidentit Thaçi, pata rastin të flasë me atë njeri të mrekullueshëm, më vjen keq për humbjen e tij”.
Në fund, Hall shpreh dëshirën që ky proces gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të përfundojë dhe të ketë drejtësi.
“Procedurat këtu në Hagë janë të vështira, duhet planifikim kohë më parë për t’i takuar këta njerëz, ne u refuzuam edhe pse kërkuam t’i shohim, sepse nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur, janë shumë të ngadalshëm, shpresoj që një ditë të takohem sërish, por më shumë shpresoj që deri atëherë e gjitha kjo të marrë fund dhe të ketë drejtësi”, deklaroi Hall.