
Konjufca aludoi që Kurti mund t’i ketë 3 votat e Nismës për qeveri, Limaj: Pa marrëveshje politike s’i ka askush
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në një intervistë të dhënë të enjten ka folur për bllokadën në Kuvendin e Kosovës dhe ka kërkuar kalimin e procesit të zgjedhjes së kryeparlamentarit për ta testuar Kurtin më pas nëse i ka votat për qeveri.
Konjufca kishte aluduar se Kurti mund t’i ketë votat e Nismës Socialdemokrat meqë Fatmir Limaj ka treguar se është i hapur për koalicion.
Limaj i pyetur të premten nga gazetarët, ka thënë se pa marrëveshje politike s’mund t’i ketë askush votat e Nismës.
“S’i ka askush (numrat). Përmes marrëveshjes politike ndërtohen numrat dhe shumica. Pa marrëveshje s’mund të ketë ndonjë zgjidhje. Duhet të ketë shpejt marrëveshje politike”, ka thënë Limaj.
Sipas kreut të Nismës, Kosova është duke humbur shumë nga kjo bllokadë politike.
Konjufca ka dekalaruar dje se LDK-ja ka refuzuar dy herë ftesën e Kurtit për bashkëpunim, ndërsa Limaj është i vetmi opsion që ka treguar interesim për marrëveshje.