Konjufca fton afaristët gjermanë të investojnë në Kosovë

29 prill 2022 | 13:52

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar të premten një grup të afaristëve të Gjermanisë, të cilët janë duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

Gjatë bashkëbisedimit me afaristët gjermanë, kryetari Konjufca ka thënë se Kosova e sheh Gjermaninë si partner të rëndësishëm për investime dhe ka vlerësuar se nëpërmjet legjislacionit mund të kontribuohet për ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Në takim, kryeparlamentari Konjufca ka përmendur edhe ndihmën që Gjermania i ka ofruar popullit të Kosovës gjatë viteve nën okupim të regjimit serb dhe gjatë luftës së vitit 1999.

Konjufca ka thënë domosdoshmërinë që të krijohen vende pune në Kosovë, prandaj partneriteti me Gjermaninë është i rëndësishëm.

“Papunësia në Kosovë tradicionalisht ka pasur një përqindje bukur të lartë. Pikërisht për këtë arsye edhe migrimi është shumë i madh. Është e domosdoshme për ne që të krijojmë vende të punës në Kosovë, por për ta arritur këtë është i nevojshëm absorbimi i investimeve në vendin tonë, prandaj ju shohim si partnerë shumë të rëndësishëm”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca.

Para afaristëve gjermanë, Konjufca ka theksuar se të gjitha vendet demokratike duhet të jenë sa më të bashkuara në vitet e ardhshme, në mënyrë që të tejkalohen krizat, të cilat do të jenë si pasojë e agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë po tregon se në vitet e ardhshme e gjithë bota do të përballet me një krizë e cila do ta prekë edhe vendin tonë, por së bashku do ta kalojmë çdo sfidë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa kryesuesja e delegacionit të afaristëve gjermanë, Sarna Roser, duke folur për përparimin e Kosovës në aspektin ekonomik, ka thënë se kjo vizitë do të nxisë afaristët e rinj që të vijnë të investojnë në Kosovë.

Ajo ka thënë se gjatë vizitës do të takohen edhe me përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe përfaqësues të bizneseve kosovare, për të parë mundësitë e investimeve në Kosovë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman ka folur rreth situatës në…