
Konjufca: Institucionet t’i mbledhin provat për padinë ndaj Serbisë
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe tek lapidarët e martirëve në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan të Pejës, ku më 14 maj të vitit 1999, forcat serbe kanë vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë shqiptarë të Kosovës.
Pas homazheve në fshatin Qyshk, Konjufca ka deklaruar se shteti serb 22 vjet më parë ka kryer aktet e gjenocidit, si në këtë fshat, ashtu edhe në fshatrat dhe lokalitetet tjera gjithandej nëpër Kosovë.
“Familjarët e martirëve tanimë 22 vjet kanë jetuar me peshën e rëndë të mungesës së drejtësisë. Prandaj, është detyrë e institucioneve që sa më parë t’i mbledhim të gjitha provat për këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato të jenë pjesë e ndërtimit të argumenteve për padinë, e cila do t’i bëhet Serbisë për gjenocid”, ka deklaruar Konjufca.