Konjufca: Kosova dhe Shqipëria thellojnë bashkëpunimin, me fokus në integrimin euro-atlantik
Postimi i plotë:
Sot në Tiranë, në margjina të Samitit IV të Diasporës, pata një takim të përzemërt me mikun dhe homologun tim, Ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Në frymën e lidhjes sonë të natyrshme dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve tona, diskutuam për thellimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, për të shtyrë përpara të interesit kombëtar.
Me fokus të veçantë diskutuam për integrimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës dhe rolin e rëndësishëm që Shqipëria vazhdon të luajë në mbështetje të këtij procesi. Shpreha mirënjohjen time për angazhimin e Ministrit Hoxha dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në çdo platformë globale, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe avancimin drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB.
Në kuadër të Samitit të Diasporës, diskutuam gjithashtu për rëndësinë e një qasjeje të koordinuar ndërmjet dy vendeve tona në angazhimin dhe fuqizimin e diasporës shqiptare kudo në botë, si një potencial i jashtëzakonshëm për zhvillimin ekonomik e shoqëror i vendeve tona.
Në margjinat e Samitit, mora pjesë gjithashtu në një panel diskutimi së bashku me Ministrin Hoxha dhe përfaqësues të tjerë nga trevat shqiptare, ku u trajtua roli i diasporës shqiptare dhe nevoja për të bërë më shumë në drejtim të përfshirjes së saj.
Kosova dhe Shqipëria përveç se ndajnë gjuhën, historinë e sakrificën, ndajnë dhe një të ardhme të përbashkët, të cilën do të vazhdojmë ta ndërtojmë së bashku, me përkushtim dhe vizion të qartë.



