Konjufca merr udhëheqjen e dialogut me Serbinë

23 shkurt 2026 | 12:25

Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Glauk Konjufca e ka pritur në një “takim njoftues” përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

MPJD-ja ka njoftuar se Konjufca i ka treguar Sorensenit se dialogu me Serbinë tashmë do të udhëhiqet nga kjo ministri.

“Gjatë takimit, z. Konjufca e informoi z. Sorensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, ka njoftuar MPJD-ja.

Po ashtu, MPJD-ja ka njoftuar se Konjufca ka shprehur përkushtimin e Kosovës për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë në dialog.

“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, ka njoftuar MPJD-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid mund të jetë në kërkim të një trajneri…