
Konjufca: Nuk do të vdesë kurrë kujtimi për Adem Jasharin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në shënimin e 25-vjetorit të “Epopesë së UÇK”-së, ka kujtuar veprën e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij drejt çlirimit të Kosovës.
Ai ka thënë se një familje e tërë para 25 vitesh ne Prekaz po luftonte kundër një shteti për të mbrojtur pragun e shtëpisë.
“Sot e 25 vjet më parë, në Prekazin e bacës Shaban, në mbrojtje të pragut të shtëpisë, dinjitetit dhe kombëtarisë, një familje shqiptare – burra e gra, i madh e i vogël – me guximin mbinjerëzor po luftonte kundër një shteti të tërë – Serbisë agresore”, shkruar Konjufca në “Facebook”.
Më tutje, Konjufca ka thënë se për tre ditë po shkruhej me shkronja gjaku Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
“Aty, më 5, 6 e 7 mars 1998, po shkruhej me shkronja gjaku vepra madhore – Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin Adem Jashari”, ka shkruar Konjufca, duke shtuar se nuk ka asgjë më të shtrenjtë sesa liria.
“Në historinë e një populli nuk ka ngjarje më të rëndësishme sesa lufta për çlirim. Në jetën e një populli nuk ka qëllim më të lartë dhe asgjë më të shtrenjtë sesa liria. Aspirata e popullit tonë ka kaluar nëpër një varg përpjekjesh, luftërash e sakrificash shekullore. Një rrugë e gjatë brezash, e stërmundimshme dhe plot e përplot dhimbje deri te Republika e pavarur dhe sovrane”, ka shkruar Konjufca.