Konjufca përkujton 28-vjetorin e ‘Epopesë së Dukagjinit’ dhe nderon dëshmorët e luftës për liri
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka kujtuar sot 28-vjetorin e “Epopesë së Dukagjinit”, duke e cilësuar 24 marsin 1998 si një nga momentet më vendimtare të rezistencës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Konjufca ka theksuar se beteja e Gllogjanit ka shënuar pikën ku “u dëshmua se vullneti për liri nuk mund të thyhet me rrethim e as me forcë”.
“Ajo ditë nuk ishte vetëm një betejë; ishte një kthesë që e bëri të qartë se populli ynë kishte hyrë në një fazë të pakthyeshme të luftës për çlirim” ka shkruar Konjufca në “Facebook”.
Ai ka nderuar sakrificën e dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, të cilët, sipas tij janë shndërruar në simbol të një frymëzimi të gjerë kombëtar.
“Nga ajo ditë, qëndresa në Dukagjin nuk ishte më vetëm lokale, por u bë thirrje për mobilizim në mbarë Kosovën”, ka shkruar Konjufca.
Konjufca ka theksuar se kujtimi për dëshmorët është “obligim për të tashmen dhe të ardhmen”, duke rikujtuar se liria e sotme është rezultat i guximit dhe vetëmohimit të tyre.
“Përgjegjësia jonë është ta forcojmë shtetin, ta mbrojmë atë dhe ta zhvillojmë me dinjitet,” ka shkruar Konjufca.
Në fund, ai ka shprehur nderimin e tij për të gjithë të rënët.
“Lavdi të përjetshme dëshmorëve të ‘Epopesë së Dukagjinit’ dhe të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Konjufca.



