Konjufca takohet me ambasadorin bullgar, merr ftesë për takimin e SEECP-it
Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca është takuar me ambasadorin e Bullgarisë në Prishtinë, Hristo Kraevski.
Siç ka njoftuar zyra për medie e Konjufcës, në takim, ambasadori Kraevski e ka uruar atë për mandatin e ri dhe kanë diskutuar për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Bullgarisë.
“U theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme. Ambasadori Kraevski e ftoi zyrtarisht zëvendëskryeministrin Konjufca për të marrë pjesë në takimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), i cili do të mbahet në Sofje në qershor 2026. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e mëtejshëm të partneritetit me Republikën e Bullgarisë”, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.



