Konjufca takohet me ministrin danez të Drejtësisë, bisedojnë për marrëveshjen për burgjet

10 mars 2022 | 13:06

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, i cili shoqërohej nga ambasadori jorezident për Kosovë, Rene Rosager Dinesen dhe bashkëpunëtorët.

Në takim, përveç situatës së sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.

Me theks të veçantë është nënvizuar nevoja e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një gurthemel për bashkëpunimet e radhës.

Me këtë rast, kryetari Konjufca ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ndërsa ministri Hækkerup ka konfirmuar përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj,…