Konjufca thotë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë

18 shkurt 2020 | 12:16

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë konsiderohet si ndër problemet më të mëdha.

“Qeveria jonë filloi punën më 4 shkurt. Politika e jashtme ka qenë në një krizë të rëndë vitet e fundit. Ekziston një fushatë agresive serbe që synon që disa vende të tërheqin njohjen e Kosovës. Bëhet fjalë për 15 shtete, shumica në hapësirën e Paqësorit dhe në Afrikë”.

“Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës nën kujdesin e BE-së, duhet të vazhdojë. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell ka njoftuar se ai do të emërojë një komisioner të ri”, ka thënë Konjufca.

Konjufca, duke folur për gazetën gjermane “Stuttgarter Zeitung”, pasi ka marrë pjesë në një aktivitet me rastin e përvjetorit të 12-të të pavarësisë së Kosovës në Gjermani, është shprehur i shqetësuar me largimin e qytetarëve nga Kosova.

Në Gjermani, ka thënë ai, jetojnë mbi 400 mijë kosovarë “dhe prej tyre më shumë se 100 mijë në landin e Baden-Württembergut”.

“Shpresoj që largimi nga Kosova të reduktohet. Po përpiqemi t’i përmirësojmë kushtet e jetës”, ka thënë Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim edhe gazetarin, publicistin, dhe…