
Konjufca uron festën e Kurban Bajramit, u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar festën e Kurban Bajramit.
Si përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Bajrami i Kurbanit apo Festa e Flijimit është një datë e rëndësishme e cila shënon kulmin e pelegrinazhit të haxhit në Mekë dhe Medinë dhe sakrificën e besimtarit mysliman.
“Janë ditë të bukura gëzimi dhe paqeje të cilat frymëzojnë dashuri familjare, sjellin frymën e solidaritetit dhe manifestojnë vlerën e përkushtimit të patundur”.
“Me këtë rast, shpreh urimet tona të ngrohta, me dëshirën për ta kaluar këtë festë me shëndet, lumturi dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit”, ka shkruar Konjufca.
Konjufca në këtë ditë feste ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen.
“Kësaj here, edhe pse manifestimi i Bajramit është lehtësuar dukshëm, qytetarët nuk duhet të hezitojnë të vaksinohen e të tregojnë kujdes të vazhdueshëm për shëndetin e tyre dhe të tjerëve. Le të punojmë së bashku për të mirën e qytetarëve dhe përparimin e vendit tonë. Jam i bindur se me devotshmëri dhe përpjekje të përbashkëta arrihet suksesi politik, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale e popullit tonë. Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Urime festën”, ka shkruar Konjufca.