
Konjufca vlerëson lart mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten në takim ambasadorin e Sllovenisë në vendin tonë, Bojan Bertoncelj, me të cilin ka diskutuar për raportet e mira që të dy vendet kanë ndërtuar ndër vite.
Ambasadori Bertoncelj i përcolli kryeparlamentarit Konjufca urimet e homologut të tij slloven, Dejan Zidan, me rastin e zgjedhjes në krye të Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Konjufca ka vlerësuar lart mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën në të gjitha proceset, ndërsa përkrahjen për Kuvendin e saj e konsideroi të një rëndësie të veçantë. Ai ka thënë se nëpërmjet kësaj mbështetjeje, Kuvendi ka arritur të avancojë kapacitetet në shumë aspekte të punës së tij, ndërsa ka theksuar nevojën që bashkëpunimi midis dy parlamenteve të forcohet edhe më tej në të ardhmen.
/Epoka e re/