
Konkluzionet e Procesit të Berlinit: Ballkani, rrugë tranzitore për emigrantë, vendet në BE dhe NATO hyjnë vetëm me merita e kritere
Një vend partner, por jo anëtar i Bashkimit Evropian (BE) është bërë sivjet nikoqir i samitit të Procesit të Berlinit. Ndër arsyet më kryesore pse Londra ka marrë frenat e organizimit të këtij procesi të iniciuar nga Gjermania ishte edhe çështja e emigracionit, trajtimin e të cilit kryeministri britanik, Keir Starmer e ka në planet e tij qeverisëse.
Prandaj, mbledhja e gjashtë liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, një rajon që është duke u parë si rrugë tranzitore, i ka shërbyer edhe këtij qëllimi.
Qeveria britanike ka thënë se organizimi i këtij samiti këtë vit nga Mbretëria e Bashkuar bie në planet për ndryshim të kryeministrit britanik meqë përmes këtij procesi synon të rrisë bashkëpunimin ndërkombëtar për të zvogëluar krimin e rëndë dhe të organizuar dhe migrimin e parregullt përgjatë rrugëve kryesore të tranzitit, të ndihmojë në sigurimin e kufijve të Mbretërisë së Bashkuar dhe të mbajë rrugët e saj të sigurta.
Pas mbajtjes së samitit, në konkluzat që ka nxjerr kryesuesi është thënë se “sfidat e përbashkëta si migrimi, siguria dhe rritja kërkojnë përgjigje të përbashkëta”.
“Udhëheqësit ranë dakord që migrimi i paligjshëm dhe krimi i organizuar i imigracionit janë sfida për të gjitha qeveritë në të gjithë Evropën. Ballkani Perëndimor ka parë efektet negative të të qenit një rrugë tranziti për emigrantët që kërkojnë të vijnë në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar. Udhëheqësit njohën rëndësinë e qëndrueshmërisë kufitare në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për bashkëpunim në nivel rajonal. Ata mirëpritën hapat e vazhdueshëm që po ndërmerren nga partnerët e Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar regjimet e tyre të vizave me BE-në dhe ranë dakord mbi nevojën për të siguruar që, aty ku ofrohet qasje pa viza për qytetarët e huaj, të ketë masa mbrojtëse efektive për të parandaluar shfrytëzimin e kësaj qasjeje nga individët që kërkojnë të migrojnë më tej në mënyrë të paligjshme”, është thënë në njërën nga pikat e konkluzioneve të dala nga samiti i Procesit të Berlinit në Londër.
Mbretëria e Bashkuar ka mirëpritur marrëveshjen e gjashtë vendeve të rajonit për të marrë pjesë në Task Forcën e Përbashkët për Migracionin (JMTF), duke përfshirë ata që marrin pjesë në mënyrë joformale ose teknike pa paragjykuar qëndrimet ekzistuese mbi statusin dhe duke përdorur formatin e Procesit të Berlinit.
Përmes bashkëpunimit rajonal, JMTF do të trajtojë migracionin e parregullt nga dhe përmes Ballkanit Perëndimor, duke përmirësuar ndarjen e informacionit dhe bashkëpunimin për zbatimin e ligjit, është thënë në konkluzat e samitit në Londër.
Përfundimet e nxjerra nga samiti po ashtu ua kanë rikujtuar vendeve që kanë shpallë ambiciet e tyre për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian se kjo ndodh bazuar në merita e progres.
“Udhëheqësit ranë gjithashtu dakord për rëndësinë e një progresi të qëndrueshëm, të bazuar në meritë dhe të dukshëm drejt integrimit euroatlantik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6), në përputhje me kriteret përkatëse të anëtarësimit dhe vullnetin demokratik të qytetarëve të WB6”, është thënë në konkluzionet e samitit të Procesit të Berlinit në Londër.
Gjithashtu, liderët pjesëmarrës kanë riafirmuar rëndësinë e vlerave dhe bashkëpunimit evropian.
“Lufta e vazhdueshme ruse kundër Ukrainës dhe lufta hibride e Rusisë kundër NATO-s dhe BE-së kërkojnë bashkëpunim dhe unitet gjithnjë e më të ngushtë në Evropë në mbrojtje të demokracisë, lirisë dhe prosperitetit”, është thënë në këto konkluzione.
Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit është dakorduar të mbahet në Mal të Zi.
Nga gjashtë vendet e rajonit vetëm Shqipëria ka mirëpritur një samit të Procesit të Berlinit deri më tani.
Të dyja këto vende janë më të lavdëruarat nga BE dhe më progresistet në rrugën e tyre drejt BE-së.