
Konkursi i parë i bukurisë për fëmijë në Shqipëri
Nga: Hasan Bello
Në historinë botërore, konkursi i parë i bukurisë për fëmijë është organizuar në vitin 1921 në Atlantik-Siti [Atlantic City] ku morën pjesë fëmijë të vegjël që përfaqësonin qytete të ndryshme të ShBA-së. Në Shqipëri, një konkurs i ngjashëm u organizua në kryeqytet më 2 gusht 1931, i cili zyrtarisht u quajt “Konkursi i bukurisë foshnjore shqiptare”.
Në këtë konkurs u vlerësuan fotografitë e 14 vajzave të vogla. Komisioni përbëhej nga Inspektori i Arsimit, Osman Myderrizi, Skënder Luarasi dhe Aleks Lubonja. Pjesë e tij ishte edhe znj. Elena Trajan dhe prof. Andrea Thanasi, por për arsye personale nuk ishin të pranishëm në këtë proces.
Në parim, komisioni konstatoi se fotografitë e paraqitura kishin rezolucion të dobët. Megjithatë, ai i vlerësoi duke u mbështetur në tiparet dhe ekspresionet foshnjore të fizionomisë së vajzave. Komisioni përzgjodhi tre prej tyre: 1) Albin Tefiku e moshës dy vjeçe e gjysmë, e bija e doktorit të njohur Sabri Tefiku; 2) Behixhe Libohova e moshës dymbëdhjetëvjeçare, e bija e Maliq Libohovës, i Ngarkuari me Punë në Londër; 3) Eta Bimbli e moshës katër vjeç e gjysmë, e bija e Thoma Bimblit, anëtar i Bandës Mbretërore.
Në vend të parë, siç shihet, u zgjodh Albin Tefiku. Vendimi u dha në zyrat e gazetës “Ora”, e cila do t`u dhuronte prindërve të këtyre vajzave nga një fotografi të madhe artistike.
Ky konkurs mbetet një shembull i hershëm i përpjekjeve për të sjellë modele të reja kulturore në Shqipërinë e viteve `30, në një kohë kur vendi po hidhte hapat parë drejt modernitetit.