Konstantini i Madh, legalizoi krishterimin
Shkruan: Ismet Hajrullahu
Pas vdekjes së Jezusit, ndjekësit e tij u gjendën përballë një bote të mbushur me pasiguri dhe me një rrezik të madh.
Perandoria Romake ishte një mjedis armiqësor për çdo besim të ri, dhe krishterimi i hershëm u pa si një kërcënim ndaj rendit shoqëror e politik. Megjithatë, pavarësisht persekutimeve, ata qëndruan besnik ndaj Krishtit. Sakrifica sublime e Jezusit u bë për ta një thirrje për të jetuar me besim dhe guxim, duke e parë vdekjen e tij jo si fundin e tij, por si fillimin e një epoke të re. Martirët e hershëm si Shën Pjetri dhe Shën Pali u bënë shembuj të besimit të palëkundur, duke u kthyer në një frymëzim për brezat e ardhshëm.
Komunitetet e hershme të krishtera nuk kishin tempuj apo struktura të fuqishme. Në fakt, ata mblidheshin në shtëpi private, ndanin ushqimin, lutjet dhe shpresën. Ky solidaritet i brendshëm i dha forcë lëvizjes dhe e bëri shumë të qëndrueshme përballë sfidave të kohës. Femrat luajtën një rol të jashtëzakonshëm, duke qenë shpesh edhe udhëheqëse në këto takime dhe duke përhapur mesazhin e dashurisë dhe shpresës. Martirët ishin dëshmitarë të besimit.
Krishterimi nuk është përhapur vetëm në Romë apo në qendrat bregdetare të Ilirisë si Durrësi, Nikopoja dhe Apolonia, ku u ngritën bazilika dhe shenjtërore. Krishterizmi depërtoi edhe në provincat e brendshme si Dardania. Qytete si Ulpiana, Scupi dhe Naissus u bënë qendra të rëndësishme ku u ndërtuan bazilika paleokristiane dhe ku peshkopët morën pjesë në këshillat kishtare të shekujve IV–V. Vetë Naissusi (sot Nishi), qyteti i lindjes së Konstantinit të Madh, mbart një simbolikë të veçantë, sepse ishte pikërisht ky perandor që legalizoi krishterimin me Ediktin e Milanos në vitin 313. Këto dëshmi tregojnë se krishterimi u rrënjos edhe në kulturën ilire e dardane, duke u bërë pjesë e identitetit shpirtëror.
Pavarësisht persekutimeve, krishterimi u përhap me shpejtësi. Mesazhi i dashurisë, faljes dhe shpresës i tërhoqi njerëzit nga shtresa të ndryshme shoqërore. Skllevërit, gratë dhe të varfrit gjetën në këtë besim një komunitet që i pranonte pa dallim. Brenda pak shekujsh, krishterizmi u kthye nga një lëvizje e vogël e fshehtë në një fe që po përhapej në mbarë botën dhe natyrisht do të ndikonte në kulturën, artin dhe moralin e njerëzimit.
Sot, kur shohim pas në historinë e ndjekësve të hershëm të Jezusit, kuptojmë se sakrifica e tyre solli një realitet të ri. Pra, ata hodhën themelet e një feje që do të ndryshonte rrjedhën e historisë dhe të vetë civilizimit njerëzor.



