
Konstituohet Komisioni hetimor për privatizim
Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, ka mbajtur të hënën mbledhjen e parë, ku u është diskutuar për planin e veprimit të këtij komisioni. Ky komision do të kryesohet nga deputeti Hajrullah Çeku dhe do të përbëhet nga 11 anëtarë. Anëtarët fillimisht nuk u pajtuan në disa pika të draftit, ku theksuan se më shumë ka komente dhe konstatime sesa pyetje që mund ta nxjerrin të vërtetën në shesh.
Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Sejdi Hoxha, ka thënë se nuk duhet që të ketë konstatime në planin e punës së komisionit. “E pash shkurtimisht planin e veprimit. E lexova në mënyrë të shpejtë por kam disa vërejtje. Në disa pika e pash se shkruan: ‘disa parti për dy dekada kanë qenë të përfshira në këtë proces’. Që i bie se për dy dekada ka qenë PDK-ja, ku është vetë inicuese e këtij komisioni. Pra, nuk dua që ky komision me fillim të politizohet. Unë nuk pajtohem që ta inkuadrojmë këtë koment në këtë plan-program. Nuk duhet të ketë konstatime”, u shpreh Hoxha.
Ai ka thënë se AKP-ja i ka me emër e mbiemër se kush ka përfituar nga privatizimi në Kosovë. “Kërkesa ime është që mos të fshihet asgjë. Pa dashur të politizohet. Në pyetjen se kush ka privatizuar dhe kush ka përfituar në Kosovë nga privatizimi, mendoj se këtë mund ta bëjë AKP-ja. Me emër e mbiemër i ka AKP-ja se kush i ka privatizuar për krejt vitet. Në pyetjen tjetër se sa para janë nxjerrë nga privatizimet, mendoj se të gjitha transferet bankare janë”, u shpreh ai.
Kurse, deputetja Doruntinë Maloku nga LDK-ja ka kërkuar që ky draft mos të ketë konstatime, por të jetë më shumë si udhëzues, në mënyrë që e vërteta e privatizimeve të zbardhet. E anëtari tjetër nga radhët e PDK-së, deputeti Gazmend Bytyçi, ka thënë se është krijuar bindja se nga privatizimi më së shumti kanë përfituar komandantët e UÇK-së. “Është një lloj bindje se nga privatizimet kanë përfituar më shumë komandantët e luftës së UÇK-së e anëtarë të PDK-së. Po e nisim me fabrikat në Ferizaj ku shumë fabrika atje janë privatizuar dhe asnjëra prej tyre nuk është privatizuar nga komandantët e UÇK-së apo anëtarë të PDK-së”, u shpreh Bytyqi. Liburn Aliu, deputet, nga Lëvizja Vetëvendosje, mori si shembull privatizimet e tokave e më pastaj shpronësimin e tyre.
Ai ka thënë se ka raste kur një tokë është privatizuar për pesë euro e që është shpronësuar për 5 000 euro. Kurse, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kërkuar që ky komision mos të politizohet. “Po i them Liburnit, që mos të mendoj se PDK-ja ka iniciuar këtë proces nëse nuk kanë gjetur keqpërdorime edhe për juve”, u shpreh Berisha. Anëtarët e këtij komisioni kërkuan që në seancën e Kuvendit të votohet buxheti për këtë komision. Gjithashtu, u theksua që AKP-së t’i kërkohet i gjithë procesi i privatizimit për gjitha këto vite.