Konstituohet Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë

03 nëntor 2020 | 16:38

Në Kuvendin e Kosovës, të martën u mbajt mbledhja konstituive e Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë për Legjislaturën VII.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Marrëveshja për Stabilizim Asociim synon që të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, që nga dita e nënshkrimit të saj e deri tek dita e anëtarësimit të plotë në BE, raporton “Epoka e re”.

Duke konsideruar se agjenda e reformës së Kosovës në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit është gjithëpërfshirëse, që mbulon fushat nga dialogu politik e deri tek bashkëpunimi rajonal, kryetarja Osmani ka potencuar se në thelb të MSA-së qëndrojnë aspektet ekonomike për të cilat Kosova merr një mori obligimesh për reforma, në drejtim të vendosjes së një ekonomie funksionale të tregut.

Ndër të tjera, kryeparlamentarja Osmani ka shpalosur edhe përbërjen e komisionit të përbashkët për MSA-në, të përbërë nga 13 deputetë dhe nga anëtarët e tjerë të Parlamentit Evropian.

Po ashtu, ajo bëri me dije se deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, do të jetë kryesues i këtij Komisioni nga Kuvendi i Kosovës.

Në përmbyllje të fjalimit të saj, ajo ka ftuar anëtarët e këtij komisioni që ta prioritizojnë zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian, pasi që janë indikatorë të fuqishëm në suksesin të Kosovës si shtet.

Kryesuesi i komisionit, Arben Gashi, ka shpalosur mënyrën e funksionimit të këtij komisioni, duke treguar se ky komision punon në bazë të rregullores së tij dhe që takimet mbahen dy herë në vit, ku njëra nga mbledhjet mbahet në Kosovë dhe tjetra në njërin nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ai po ashtu, para anëtarëve të tjerë të komisionit, tregoi se nga Qeveria e Kosovës ka ardhur plani kombëtar për MSA-në dhe që së shpejti ky komision do të takohet për ta parë dhe shqyrtuar këtë plan.

Ndërkaq deputeti Enver Hoxhaj, njëherësh anëtar i Komisionit për MSA-në, ka propozuar që të ketë koordinim edhe me listën e miqve evropianë të komisionit të përbashkët, të cilët mund të jenë në shërbim të Kosovës për të çuar përpara çështje me rëndësi për vendin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit