Konsultat me partitë, Osmani do të kërkojë ‘kompromis politik’

28 tetor 2025 | 15:48

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditët në vijim do të zhvillojë konsultime me partitë politike, ku pritet të bëjë thirrje për kompromis politik në funksion të miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili ka thënë se gjatë këtyre takimeve, Osmani do të theksojë rëndësinë që kanë këto dy akte për stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencojë rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit, si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit”, ka deklaruar Kupina.

Sipas tij, Osmani do t’i inkurajojë partitë politike që të bashkëpunojnë dhe të shmangin çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka shtuar Kupina.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një numër organizatash civile i janë drejtuar me një letër…