
Kontrata milionëshe nga Serbia për kompaninë e përfshirë në aktakuzën për Banjskën
(REL) – Kompania “Rad 028” nga Zveçani, në pronësi të biznesmenit nga veriu i Kosovës, Radulle Steviq, i akuzuar për përfshirje në sulmin e armatosur në Banjskë, është angazhuar në punë me vlerë mbi 3.4 miliardë dinarë, apo rreth 30 milionë euro. Këto punë financohen nga buxheti i Serbisë dhe kontratat janë nënshkruar pas sulmit në Banjskë, më 24 shtator, 2023, sipas të dhënave publike të disponueshme në Portalin e Prokurimit Publik.
Bëhet fjalë për 65 tenderë që i janë dhënë kompanisë “Rad 028” nga organet e përkohshme komunale serbe në Kosovë.
Ato punë lidhen kryesisht me projekte infrastrukturore dhe të tjera në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë.
Organet e përkohshme komunale kanë funksionuar në Kosovë deri në vitin 2024, kur autoritetet e Kosovës i mbyllën me arsyetimin se ishin të paligjshme.
Megjithatë, ato kanë vazhduar punën nga lokacione alternative në qytetet kufitare në Serbi.
Radulle Steviq kërkohet në Kosovë nën akuzën për “financim të terrorizmit” në rastin Banjska.
Në aktakuzën e ngritur kundër 45 individëve në shtator të vitit 2024 është thënë se Steviq, me vetëdije, përmes subjekteve të tij afariste dhe aktiviteteve ekonomike, e ka ndihmuar Millan Radoçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë dhe ka marrë pjesë në pastrim parash, duke transferuar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme te palë të treta, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë.
Vepra penale “pastrim i parave”, për të cilën akuzohet Steviq, sipas Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit në Kosovë, dënohet me deri në dhjetë vjet burgim.
Steviq ka edhe dy kompani të regjistruara në Kosovë – “RAD D.O.O.” dhe “RAD P.T.P.” – porse nga viti 2021 nuk ka marrë më punë ose kontrata, sepse bashkë me Radoiçiqin janë vendosur nën sanksione nga ShBA-ja për përfshirje në krim ndërkombëtar dhe korrupsion.
Nën këto sanksione është edhe kompania e tij e regjistruar në Serbi, “Rad 028”, por kjo nuk e pengon që të përfitojë kontrata të mëdha, të financuara nga buxheti i Serbisë, ku në shumicën e tenderëve është ofertuesja e vetme.
“Kontrata prej miliona eurosh”
Dy ditë pas sulmit në Banjskë, kompania “Rad 028” ka fituar një tender publik në vlerë prej 358 milionë dinarësh, mbi 3 milionë euro, të ndarë nga organi i përkohshëm komunal në Zveçan.
Blerja kishte të bënte me pajisje ndërtimi – makina, vegla dhe mekanizma ndërtimorë – të cilat, përmes një programi të shpërndarjes për zhvillim ekonomik dhe social për vitin 2023, do të duhej t’u shpërndaheshin kompanive dhe bizneseve të tjera nga zonat me shumicë serbe në Kosovë.
Vetë dokumentacioni në portalin serb të prokurimit publik e përcakton qartë se cilat kompani duhet t’i marrin pajisjet që u janë ndarë përmes këtij lloji të mbështetjes.
Pajisjet dhe makineritë thuhet se janë të destinuara për popullsinë serbe që jeton në rreth dhjetë mjedise në Kosovë – përfshirë Leposaviqin, Prizrenin, Mitrovicën e Kosovës, Zveçanin dhe Zubin Potokun.
Në dokumentacion përmenden dhjetëra kompani serbe, por edhe individë, për të cilët thuhet se janë të destinuara këto pajisje.
“Radio Evropa e Lirë” nuk ka arritur ta konfirmojë nëse këto pajisje u janë dorëzuar realisht të gjithëve që figurojnë në listë, dhe as se kur ka ndodhur një gjë e tillë.
Në dokumente përmenden disa kompani që, sipas aktakuzës së Kosovës, janë të lidhura me kompaninë e akuzuar “Rad 028” dhe me Radulle Steviqin.
Kështu, për shembull, mund të shihet se kompania “SEVER KOP D.O.O.” nga Leposaviqi ka përfituar një ekskavator, ndërsa dyqani tregtar i pavarur “Santos”, në pronësi të sipërmarrësit Dragan Nedelkoviq, ka marrë një pirunngritës.
Këto subjekte biznesi përmenden në aktakuzën për rastin e Banjskës në kontekstin e “raportimit fiktiv të blerjes së pajisjeve që, në shumicën e rasteve, i kishin, ndërsa paratë i mbanin për vete”.
Në aktakuzë është thënë, gjithashtu, se sipërmarrësi Dragan Nedelkoviq është babai i njërit prej sulmuesve të vrarë në Banjskë, Stefan Nedelkoviq.
Në të njëjtën periudhë, pak ditë pas sulmit në Banjskë, kompania “Rad 028” nga Zveçani mori pjesë edhe në blerjen e makinave dhe pajisjeve bujqësore, përmes një programi që ndante fonde stimuluese për zhvillimin e bujqësisë në Kosovë, gjatë vitit 2023. Kjo, sipas informacioneve në portalin e prokurimeve publike të Serbisë.
Në këtë mënyrë, përmes kompanisë “Rad 028” nga Zveçani janë blerë makina bujqësore me vlerë mbi 142 milionë dinarë, ose më shumë se 1.2 milion euro.
Dokumentacioni që lidhet me këtë prokurim, përmend edhe Danijell Gjukiqin, të cilit është thënë se i janë dhënë pajisje për distileri. Gjukiq në Kosovë akuzohet si anëtar i grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë.
Një person me emrin Marija Jakshiq, e cila identifikohet në aktakuzë si gruaja e Bojan Jakshiqit – i cili dyshohet se ishte përgjegjës për sigurinë e Millan Radoiçiqit – përmendet në dokumentacionin e prokurimit si përdoruese e fuçive dhe pompave për dekantimin e verës, ndërsa kompania “MDJ Konstrukt”, të cilën Prokuroria e Kosovës e lidh me Igor Millenkoviqin e vrarë në Banjskë, ka përfituar kuti për ruajtjen e frutave.
E njëjta kompani mori tenderin dhe pajisjet nga i njëjti program mbështetës
Pas shtatorit të vitit 2023, organi i përkohshëm komunal në Zveçan i ka dhënë kompanisë “Rad 028” edhe katër kontrata të tjera për furnizim me mallra, makineri dhe pajisje të ndryshme, të destinuara për nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonat me shumicë serbe në Kosovë.
Në tri nga katër prokurimet e lartpërmendura, kompania “Rad 028” nga Zveçani mori pjesë së bashku me kompaninë “NV 028 D.O.O. Kosovska Mitrovica”, e cila përmendet edhe në aktakuzën në rastin Banjska.
Kjo kompani është themeluar më 3 prill të vitit 2024, me një mijë dinarë kapital themelues, ndërsa pronar dhe drejtor i saj është Nemanja Vujadinoviq nga Mitrovica e Veriut, tregojnë të dhënat e Agjencisë serbe të Regjistrave të Biznesit, të cilat janë të disponueshme publikisht.
Një muaj pas themelimit të saj, kompania ka fituar tenderin e parë me vlerë më shumë se 1.7 milion euro, së bashku me kompaninë “Rad 028”.
Sipas të dhënave nga portali i prokurimit publik, tenderi përfshinte prokurimin e mallrave në kuadër të një programi të stimulimit ekonomik.
Kështu, përmes programeve të ndryshme nxitëse në tre vjetët e fundit, prokurimi i mallrave me vlerë më shumë se 8.5 milionë euro i është besuar kompanisë “Rad 028” nga Zveçani dhe më vonë asaj “NV 028” nga Mitrovica e Veriut.
Në një tender të dhënë në tetor të vitit të kaluar, kompania “NV 028”, së bashku me “Rad 028” kanë fituar kontratën për një program mbështetjeje për ekonominë dhe zhvillimin në zonat me shumicë serbe në Kosovë. E, në dokumentacionin e prokurimit, “NV 028” figuron si përfituese e një eskavatori.
Kontrata për furnizim në kuadër të mbështetjes për ekonominë dhe zhvillimin ekonomik në mjediset serbe në Kosovë, u është dhënë kompanive që lidhen me sulmin në Banjskë.
Kontrata për furnizim në kuadër të mbështetjes për ekonominë dhe zhvillimin ekonomik në mjediset serbe në Kosovë, u është dhënë kompanive që lidhen me sulmin në Banjskë.
Në dokumentacionin e prokurimit për stimulimin ekonomik në vitin 2024 vihet re se një makineri ndërtimore iu dha edhe kompanisë “TIME GR 028” – një tjetër subjekt që përmendet në aktakuzën në rastin Banjska.
Disa kompani që përmenden në këtë aktakuzë, kanë fituar edhe kontrata individuale, të financuara nga buxheti i Republikës së Serbisë, tregojnë të dhënat e publikuara në portalin e prokurimeve publike në Serbi.
Për shembull, “I&M STILL D.O.O.”, në pronësi të Irena Steviqit, e cila në aktakuzë është thënë se është vajza e Radulle Steviqit – pronarit të kompanisë “Rad 028” – është e angazhuar në disa punë fitimprurëse.
Pjesëmarrjen në tenderë e ka nisur që nga tetori i vitit 2020 dhe deri më 15 janar, 2025, ku ka bërë disa kontrata me organet komunale të përkohshme në Kosovë, me një vlerë të përgjithshme mbi 807 milionë dinarë, ose rreth 6.8 milionë euro.
Kompania “TIME GR 028”, e cila përmendet në aktakuzën për Banjskën, ka bërë blerje me vlerë prej më shumë se 598 milionë dinarësh, ose 5.1 milionë euro, midis 21 majit 2021 dhe 5 majit 2025.
Në anën tjetër, kompania “Santos” ka furnizuar Institucionin Parashkollor “Lane” me ushqim dhe pije, në vlerë prej rreth 90 mijë eurosh, gjatë periudhës tetor 2021 – shkurt 2025.
Punët e tjera të kompanisë “Rad 028” nga Zveçani
Përveç furnizimeve me makineri dhe pajisje për komunitetin serb në Kosovë, kompania “Rad 028” merret edhe me projekte ndërtimore.
Ndër projektet më të rëndësishme të saj është zgjerimi dhe ndërtimi i objekteve të reja të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksionon brenda sistemit shëndetësor të Serbisë.
Sipas të dhënave nga portali i prokurimeve publike, vlera e kontratës kalon 3.9 milionë euro dhe është nënshkruar në fillim të vitit 2024.
Gjatë shtatorit 2024, kompania “Rad 028” nga Zveçani së bashku me atë “Beta Gradnja” nga Mitrovica e Veriut – që po ashtu përmendet në aktakuzën për rastin Banjska janë angazhuar në blerjen e materialeve për ndërtimin, rikonstruktimin, sanimin dhe adaptimin e banesave familjare në njëzet komuna të Kosovës. Ky projekt ka një vlerë mbi 3.4 milionë euro.
Në listën e blerjeve më të fundit, më 30 qershor 2025, duket se organi i përkohshëm komunal në Zveçan i dha kontratë firmës “Rad 028” edhe për ndërtimin e një etno-fshati pranë manastirit Draganac, që gjendet afër Novobërdës, në jug të Ibrit. Vlera e këtij projekti është mbi 1.2 milion euro.
A mund të ndërtojë kompania “Rad 028” në Kosovë?
Në tre vjetët e fundit, autoritetet e Kosovës i kanë ndaluar ndërtimet në zonat me shumicë serbe, të financuara nga Serbia, duke argumentuar se ato nuk kanë leje nga institucionet e Kosovës, por vetëm leje të lëshuara nga organet serbe, të cilat Prishtina zyrtare nuk i njeh. Në mesin e të tjerave është bllokuar ndërtimi i ndërtesave të universitetit paralel, punimet e të cilave po i kryente firma “Rad 028” e Steviqit.
“Radio Evropa e Lirë” ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës, Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve dhe autoritetin e tenderëve për t’i pyetur nëse kanë informacione se Radulle Steviq, me kompaninë e tij nga Serbia ose me ato të regjistruara në Kosovë, po realizon projekte të financuara nga buxheti i Serbisë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje prej asnjërit institucion.
Më herët, nga autoriteti i tenderëve i kanë thënë “REL”-it se kompanitë e Steviqit në Kosovë nuk janë në listën e zezë, sepse nuk ka pasur ankesa nga klientët, e as nuk është vërtetuar se ai ka dorëzuar të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara.
Ligji për prokurimet publike në Kosovë parashikon masa për vendosjen në listë të zezë vetëm kur porositësi i punës thotë se janë paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të falsifikuara.
Bazuar në të dhënat e publikuara në portalin e Kosovës “Prokurimi i Hapur”, ku mund të gjenden informacione për kontratat publike në Kosovë që nga viti 2018, kompanitë e Steviqit kanë marrë rreth 5 milionë euro nga buxheti i Kosovës deri në vitin 2021.
Shërbimet e kompanisë së tij u përdorën kryesisht nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, që veprojnë sipas sistemit të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.