
Kontribut ndriçimit të Lëvizjës sonë Kombëtare
Prof. dr. Agim ZOGAJ
Idea e lirisë e shndërruar në idealin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Në historinë e qytetërimeve, egziston një dimenzion më i fortë se të gjitha ushtritë në botë, dhe kjo është një ide e shndërruar në ideal, koha e së cilës, gjithmonë ka ardhur dhe, sërish do të vie! Në rastin e kombit dhe të historisë sonë, në përplasjet e përgjakshme me stuhitë e ngjarjeve, të epokave, ishte idea e lirisë, mbi të gjitha, idea, shpirti i bërjës së Atdheut! Historia e ideve politike, e emancipimit kulturor dhe e ndërgjegjës sonë kombëtare ishte fuqia determinuese e mbijetesës së kombit tonë . Djepi ndërsa i rezistencës sonë kombëtare ishte në idetë e lirisë, në kujtesën kombëtare të shpërndarë përgjate historisë, në librat e ndaluar, në Abetaren, në proklamatat, afishet, parullat e Lëvizjës sonë Kombëtare, Programin Kombëtar të UÇK-së. Realisht, të gjitha arritjet e qytetërimeve, të kombeve, pra, edhe të kombit shqiptar, fillimin e kanë në një ide, në idenë e dritës dhe daljen nga errësira, robëria.
Miku ynë, atdhetari me shumë shokë, publicisti, Selatin Novosella, njeriu më i afërt politik dhe nga zemra, i Adem Demaçit, është produkt i rrethanave shoqërore, historike, kulturore, kombëtare, i ngjarjeve të mëdha, kur nënat shqiptare, nëpër fushëbeteja i lindën trimat e Flamurit. Në ato kondita të shtegtimeve tona dhe të betejave për lindjen e Atdheut të dytë shqiptar, Republikës së Kosovës, Shqipërisë së Re këndej Drini, Selatin Novosella e kuptoi se përse kishte lindur, pikërisht në një copë të Dardanisë së shenjtë, me gjak shqiptari. Realisht, ai është produkt, i thirrjës së Atdheut në robëri, por edhe i vendimeve të tij për të qenë, besnik Lëvizjës sonë Kombëtare, me ideologun, Metush Krasniqi, Kryelegjendën, Adem Demaçi dhe Adem Jashari me bashkëluftëtarë, disa prej të cilëve, sypatrembur, e lanë dritën e shtetit të cilin, vetë e shpallën, për t’iu kthyer dhunshëm, errësirës me aromë burgu!
Autori i vëllimeve, të cilat, po i përurojmë, shumë herët e kuptoi se në rrethanat në të cilat po jetonte e vepronte, e rëndësishme është t’i japësh përgjegjësi vetes. Ndaj, që në djalërinë e tij, ai, i dha përgjegjësi kombëtare vetes, në rrugën e rezistencës, drejt lirisë, bashkimit kombëtar me Atdheun Shqipëri! Çdo gjë, që, Selatin Novosella, ky idealist guximtar, i vuri detyrë vetes dhe mori përgjegjësi nga Lëvizja për Kosovë, ishte në anën tjetër të frikës, të oportunizmit, të dorëzimit para pushtuesit! Ai, e kuptonte se nuk mjafton vetëm idea, ideali, ëndërra e pëgjakur për Atdhedashuri, për çlirim, porse duhet vepruar në ilegalitet, duhet përgatitur për luftë, edhe me çmimin e rënies në burg, dhe të vrasjës, sikur shumë bashkëveprimtar të tij të kohës. Që në ditët e para të anëtarësimit në Lëvizjën Atdhetare Shqiptare, ai shpirt kryengritës e kishte kuptuar se, historia të jep dhe të bën, atë që ti e beson, se, mundet dhe, u bë edhe liria e Kosovës Republikë. Herët, në lulen e rinisë, kur shpirtin dhe trupin ia kishte falë Kosovës, Lëvizjës sonë Kombëtare, ai, prore, e kishte ndërmend porosinë e Naim Frashërit mendjendritur: Jetoni për Shqipëri dhe vdisni për te!
Çfarë thonë Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe Kudusi Lame?
Prandaj, i përndrituri, ai që edhe në situatat më të rëda, i dha shpirt kombit, Adem Demaçi ynë, ritheksonte se “…Selatin Novosella nuk ka ndenjur rehata kurrë, e tash po shkruan çdo ditë”. Pikërisht mbi këtë ide, Demaçi, pasi theksonte se, “…Lëvizja e jonë Çlirimtare ka edhe shumë gjëra të tjera, të cilat duhet shpalosur, duhet zbardhur…Pikërisht, këto detyra ia ka dhënë vetes Selatini dhe është duke e kryer punën shumë mire”. Ishte ai, një vlerësim, krejtësisht meritor nga i madhi Baca Adem, i cili, në vitet pas daljës nga burgu i tretë, Selatin Novosellën, të bashkëburgosurin e vetë, e kishte ndër personalitetet më të afërta dhe më të besuara.
Selatin Novosella, i cili, sipas dijetarit më të madh të kombit, ndër të gjallët, Rexhep Qosjes është mik i të gjithëve, “…gjykon pavarur, ai nuk pranon t’i fshehë dobësitë në punën tonë dhe të këqijat në jetën tonë; ai nuk lejon të shpallet gënjeshtra e vërtetë.” Qosja e veçon, elementin e ndershmërisë te shkrimet politike, publicistike të z. Novosella, prandaj e thotë pa ekuivoke:” Ai shkruan ndershëm”! Dhe, pikërisht, kjo, pra, ndershmëria në shkrimet tona, sipas Qosjes, “…sot na duhet më shumë se kurrë”. Selatini e dinë se, çdo vlerësim i eruditit, Rexhep Qosja, është privilegj, por, edhe më tepër, përgjegjësi para kombit.
Ngjashëm, me një konsideratë intelektuale, edhe, vëllau ynë, i syrgjynosuri, Prof. Jakup Krasniqi shprehet se, “…duhet ta përgëzojmë e ta falenderojmë Selatin Novosellën, jo vetëm për rifreskimin që i dha kujtesës sonë për këtë pjesë të historisë, por edhe për atë që, me veprat e tija të shumta publicistike, po u ofron brezave me veprat e tija të shumta pulicistike, po i ofron brezave të tri dekadave të fundit që të njihen me rrugën që kaloi Brezi i Adem Demaçit dhe i pasuesve të tij”. Pra, me të drejtë, atdhetari, përherë i papërkuluri, kolegu im i studimeve, Jakup Krasniqi, nënvizon, kontributin e publicistit, shkruesit të historisë modern të Kosovës, z. Selatin Novosella, për ndriçimin e asaj copëze të historisë para brezave të sotëm shqiptar.
Ndërsa, sipas Prof. Latif Berisha, Autori i librit Kosova 1964 “…sikur është përcaktuar me vetëdashje dhe ka marrë përsipër detyrën e vështirë që me shkrimet e tij të bëhet dëshmitar i drejtprdrejtë i veprimeve të organizuara, i peripecive të shumta, i vetëflijimeve dhe rritës së organizatës së njohur atdhetare, të udhëhequr nga Adem Demaçi…”. Selatin Novosella, gjithsesi, u rrit me Lëvizjën Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, anëtar besnik i së cilës ishte, nëpër burgje dhe jashtë tyre.
Ndaj me të drejtë, gjeneral Kudusi Lame, ky mik i zemrës, i shpirtit dhe i idealit për Kosovën shtet i pavarur e thekson se, “ Portreti i atdhetarit, intelektualit dhe veprimtarit Selatin Novosella është i njohur prej shumë kohësh, që nga viti 1964”. Gjenerali dhe miku ynë, Kudusi Lame, nënvizon se, “ Ky autor, përveç që ka vepruar, ai edhe ka evidentuar e dokumentuar elemente të rëndësishme të histirisë së Kosovës”. Sipas Gjeneral Lames, Selatin Novosella, është në shërbim të Atdheut, gjithnjë e gjithmonë me veprimtarinë e tij në Organizatat e Ilegalës Atdhetare Shqiptare, dhe njëherit edhe si shkrues, autor i disa publikimeve në të cilat çështja e Kosovës është në thelb të trajtimit.
Prof. Selim Daci, në një reçension për librat e z. Novosellës, vlerëson se si “…ai është në mesin e atyre autorëve, i cili, jo vetëm që bëri histori, port ani në kohë paqeje dhe pavarësie të Kosovës, po e shkruan historinë, protagonist i së cilës ishte edhe vetë. Ky privilegj, vazhdon Prof. Daci, “ pa dyshim, nuk i takon çdo kujt në histori”. Edhe studiuesja, kontribuesja e kritikës letrare, pedagogja e letërsisë, Myrvete Dreshaj, duke i hedhur një vështrim krijimtarisë publicistike të z. Novosella, veçon se:” Selatin Novosella, duke shkruar për Kosovën e vitit 1964, 1968, 1975, 1981, për simbolet e kësaj periudhe, Adem Demaçin dhe Rexhep Malën, për brezin që frymëzoi rezistencën, si dhe mendimin e guximshëm intelektual, për Brezin që udhëhoqi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë sintezën e gjysmës së dytë të shekullit XX, pa të cilat nuk do të mund të shkruhet historia bashkëkohore e Kosovës”.
Kurse, për studiuesin, poetin e shkëlqyer, kritikun letrar, Agim Vinca, “…edhe në shkrimet e librit, Kalaja nga brenda, sjellin të dhëna e venerime të çmueshme për Lëvizjën politike të shqiptarëve të Kosovës, të cilat kanë rëndësi të pamohueshme, jo vetëm dokumentare, por, sipas Vincës, edhe politike dhe morale.
Vlerësime meritore, për krijimtarinë e Selatin Novosellës janë shkruar, dhe do të shkruhen, edhe nga shumë krijues, kritikë, letrar, bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë të tij.
(Fjalë rasti në përurimin e Vëllimit të gjashtë librave të Selatin Novosellës )