Koordinatori Hoti: Kur ekziston vullneti për të punuar nuk mungon suksesi

05 dhjetor 2019 | 11:55

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, është takuar me drejtorët e shkollave të komunës së Drenasit dhe të Fushë Kosovës. Ata kanë diskutuar për Programin Nacional për Rininë dhe për garat që janë duke u zhvilluar në kuadër të këtij programi.

Koordinatori Hoti i ka përgëzuar drejtorët e shkollave të Drenasit për suksesin e nxënësve në garën nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë. Ai ka thënë se ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e drejtorive komunale të arsimit, drejtorëve dhe stafit të shkollave.

“Brenda një viti, ne në bashkëpunim me juve arritëm të shpallim gjithsej 44 723 fitues në dyja garat, të tria nivelet. Vetëm komuna e Drenasit ka gjithsej 2 336 fitues në garën e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe në garën e Diturisë, e për këtë sukses meritat i keni ju të gjithë. Ne së bashku kemi dëshmuar se kur ekziston vullneti dhe dëshira për të punuar nuk mungon suksesi”, ka thënë Hoti.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, i cili aktualisht ka edhe kompetencat e drejtorit të Arsimit në këtë komunë, e ka falënderuar koordinatorin Hoti për takimin dhe ka thënë se Programi Nacional për Rininë do të ngrisë cilësinë e arsimit.

“Fillimisht dua të falënderojë Koordinatorin Hoti për programin dhe për vizitën në komunën tonë. Programin Nacional për Rininë është një program i qëlluar dhe në të ardhmen do të ndikojë edhe në përmirësimin e rezultateve të PISA-s. Komuna jonë ka pasur rezultate të mira në të gjitha nivelet, kemi pasur fitues edhe në nivelin republikan, prandaj ne duhet të përkushtohemi që edhe në garat e tanishme të tregojmë sukses. Ky program është krah i djathtë i ngritjes së cilësisë së arsimit”, është shprehur Hasi.

Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Drejtoresha për Kulturë dhe Sport, Shqipe Zogu, e cila ka thënë se drejtoria që ajo drejton, është e përkushtuar që procesi i garave të sportit të ecë mbarë.

Koordinatori Hoti ka takuar edhe drejtorët e shkollave të Komunës së Fushë Kosovës me të cilët bisedoi për ecurinë e garave dhe për suksesin e nxënësve në këtë komunë.

Në shenjë falënderimi për bashkëpunimin dhe për rezultatet koordinatori Hoti ka ndarë mirënjohje për DKA-të e të dyja komunave si dhe për drejtorët e shkollave të tyre.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Gentrit Kadrolli Po qe se bëjmë një krahasim të…