
Koordinatorja për zgjedhje takon përfaqësueset e BE-së, në fokus mbrojtja e votës më 12 tetor
Përfaqësueset e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), kryesuar nga analistja ligjore e këtij misioni, Eirini Skouzou, kanë vizituar të martën Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ku janë pritur në takim nga koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokurorja Laura Pula.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për rrjedhën e procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale në vendin tonë, që do të mbahen më 12 tetor, me theks të veçantë për planin operativ të prokurorit të shtetit në ditën e zgjedhjeve.
Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, ka informuar të pranishmit për angazhimin e Prokurorit të Shtetit lidhur me mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Po ashtu gjatë këtij takimi është diskutuar për koordinimin në mes të prokurorive dhe koordinatores nacionale lidhur me të gjitha aktivitetet e prokurorit të shtetit që do të ndërmerren në rast se do të ketë cenim të procesit zgjedhor, si dhe duke përfshirë edhe bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor, në mes të institucioneve që merren me administrimin e zgjedhjeve dhe shqyrtimin e rasteve zgjedhore.
Ndërsa përfaqësueset e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), kanë informuar koordinatoren nacionale të zgjedhjeve për angazhimin dhe për rolin e tyre në procesin zgjedhor.