Kore raciste ndaj Viniciusit në Albacete, brazilianit i dalin të gjithë në mbështetje
Një episod i turpshëm racizmi i shënoi përgatitjet para ndeshjes së Copa del Rey midis Real Madridit dhe Albacetes.
Para takimit në Carlos Belmonte, një grup tifozësh lokalë bëri thirrje fyese dhe me përmbajtje raciste ndaj sulmuesit brazilian Vinícius Júnior, duke përsëritur fraza të papranueshme kundër tij.
Situata u kap edhe në video, e cila u përhap nga mediat spanjolle, ku dëgjohen thirrje si “Vinícius, ti je një majmun” nga një grup tifozësh para stadiumit.
Reagimi në rrjetet sociale erdhi nga portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, i cili e komentoi rastin duke deklaruar: “Mjaft me racizmin! Kjo është turpëruese.”
Edhe La Liga e ka shprehur solidarizimin me sulmuesin brazilian. “Vini jr, La Liga është me ty”, shkroi liga spanjolle në rrjetet sociale.
Ky incident vjen në një kohë kur Vinícius ka qenë shpeshherë objekt racizmi në futbollin spanjoll, edhe në ndeshjet e kaluara.
Ngjarja në Albacete nënvizon se problemi i shprehjeve raciste ndaj lojtarëve, veçanërisht ndaj tij, ende mbetet i pranishëm në disa ambiente sportive në vend.



