Korrigjimi i kufirit me Malin e Zi, i vështirë

24 qershor 12:00

Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Riza Smaka, ka shprehur skepticizëm se mund të ndodhë korrigjimi i kufirit me Malin e Zi. Ai ka bërë me dije se korrigjimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi do të jetë shumë i vështirë ngaqë pala malazeze i ka të gjitha argumentet për të mos lejuar një gjë të tillë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Smaka ka vlerësuar se Mali i Zi për shkak të fqinjësisë së mirë do të duhej t’i pranojë gabimet që janë bërë në këtë proces.

“Absolutisht se do të jetë i vështirë, sepse pala malazeze nuk e ka pranuar rishikimin e kësaj marrëveshje as para ratifikimit, e lëre tash pas ratifikimit. Tani pala malazeze e ka marrëveshjen që është miratuar nga ish-komisioni i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, nga të dy qeveritë dhe nga kuvendet e të dy shteteve. Po ashtu, janë këmbyer edhe letrat e ratifikimit dhe janë shpallur në gazetën zyrtare. Kështu që, vështirë të pritet se mund të ndodhë ndonjë rishikim i marrëveshjes. Natyrisht se për hir të fqinjësisë së mirë në mes të dy shteteve do të duhej që pala malazeze të reflektojë në këtë drejtim”, ka thënë Smaka.

Ai ka deklaruar se deri më tani Qeveria e Kosovës është dashur të lëvizë në drejtim të korrigjimit të kësaj marrëveshje, duke caktuar grupin e përbashkët me palën malazeze, i cili parashihet në marrëveshje.

Smaka ka treguar se në tryezë me palën malazeze do të jenë parimorë dhe do ta kërkojnë rishikimin e kufirit në bazë të  raportit që ka hartuar komisioni shtetëror.

“Kërkesa jonë do të jetë konsekuente dhe konsistence në kufirin që ka ekzistuar prej vitit 1945-1946. Pra, do të kërkojmë mirëkuptim nga pala malazeze që ta rishikojmë kufirin. Dhe, në qoftë se nuk e pranon këtë kërkesë pala malazeze, unë besoj se pala jonë do të duhej të tërhiqej”, ka thënë Smaka, duke shprehur shqetësimin e tij se pala malazeze nuk do ta pranojë korrigjimin. “Frikësohem se pala malazeze do të refuzonte, sepse pala malazeze e ka arritur synimin e vet, ka marrë mbi 8 000 hektarë tokë. Prandaj, kemi qëndrim parimor në këtë çështje dhe në takim nuk do të shkojmë me shënimin e kufirit që ka bërë ish-komisioni”, është shprehur Smaka.

“Epoka e re”: Z. Smaka, janë bërë tre muaj nga miratimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Në Ligjin e marrëveshjes është përfshirë edhe raporti i Komisionit të ri Shtetëror, i cilin tregon për gabimet që janë bërë në këtë proces. Ka filluar komisioni të marrë ndonjë veprim në drejtim të korrigjimit të marrëveshjes?
Smaka: Kuvendi i Kosovës ka gabuar rëndë kur ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin. Komisioni aktual shtetëror pati hartuar një raport prej 700 faqesh me plot argumente, se ajo marrëveshje nuk është dashur të ratifikohej. Në këtë rast, Kuvendi jo që ka ratifikuar një marrëveshje të gabuar, mirëpo opinionin e ka vënë në lajthim, sepse marrëveshja e ratifikuar nuk është marrëveshje për demarkacion, por marrëveshje për ridemilitacion. Pra, demarkacioni duhet të bëhet brenda dy vjetësh prej momentit të ratifikimit. Komisioni Shtetëror për Mirëmbajtjen e Kufirit është duke punuar, por ne nuk mund të punojmë më shumë sesa na diktojnë faktet. Raporti i komisionit që ka hyrë në marrëveshje nuk ka kurrfarë domethënie për palën malazeze, sepse marrëveshja duhet të jetë reciprokisht e njëjtë,  pikë për pikë dhe presje për presje. Vetëm një marrëveshje e tillë i obligon palët.

“Epoka e re”: Në ligj ka hyrë edhe deklarata e përbashkët e dy presidentëve për korrigjim të kufirit, ku pala malazeze shpreh vullnetin për korrigjimin e marrëveshjes. Nuk do të ketë ndonjë ndikim kjo?
Smaka: Ajo është një deklaratë që nuk e obligon askënd. Pra, ajo është një deklaratë konform me standardet e demarkacionit, që kur të bëhet demarkacioni, të bëhen edhe korrigjimet tokësore dypalëshe.  Pra, nëse tre hektarë i marrim nga Mali i Zi, duhet që tre hektarë t’ua japim palës malazeze. Kështu që, ajo deklaratë nuk ka ndonjë vlerë.

“Epoka e re”: Deri më tani Qeveria e Kosovës a është dashur të ndërmarrë ndonjë hap drejt korrigjimit?
Smaka: Natyrisht se është dashur të bëhet diçka në këtë drejtim. Tash pritet që Qeveria ta formojë grupin e përbashkët me palën malazeze në mënyrë që pastaj të ulemi edhe një herë në tryezë për ta shqyrtuar këtë çështje.

“Epoka e re”: Cilat do të jenë kërkesat e komisionit me rastin e takimit që do ta keni me palën malazeze?
Smaka: Kërkesa jonë do të jetë konsekuente dhe konsistence në kufirin që ka ekzistuar prej vitit 1945-1946. Pra, do të kërkojmë mirëkuptim nga pala malazeze që ta rishikojmë kufirin. Dhe në qoftë se nuk e pranon këtë kërkesë pala malazeze, unë besoj se pala jonë do të duhej të tërhiqej. Frikësohem se pala malazeze do të refuzonte, sepse pala malazeze ka arritur synimin e vet, ka marrë mbi 8 000 hektarë tokë. Prandaj, ne kemi qëndrim parimor në këtë çështje dhe në takim nuk do të shkojmë me shënimin e kufirit që ka bërë ish-komisioni.

“Epoka e re”: Në bazë të kësaj që po thoni, i bie se rishikimi i mundshëm i kësaj marrëveshje do të jetë shumë i vështirë?
Smaka: Absolutisht se do të jetë i vështirë, sepse pala malazeze nuk e ka pranuar rishikimin e kësaj marrëveshje as para ratifikimit, e lëre tash pas ratifikimit. Tani pala malazeze e ka marrëveshjen që është miratuar nga ish-komisioni i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, nga të dy qeveritë dhe nga kuvendet e të dy shteteve. Po ashtu, janë këmbyer edhe letrat e ratifikimit dhe janë shpallur në gazetën zyrtare. Kështu që, vështirë të pritet se mund të ndodhë ndonjë rishikim i marrëveshjes. Natyrisht se për hir të fqinjësisë së mirë në mes të dy shteteve, do të duhej që pala malazeze të reflektojë në këtë drejtim, sepse kufiri është i qëndrueshëm nëse është i pranueshëm nga të dyja palët.

“Epoka e re”: Tani është përmendur se në fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi do të ndodhë edhe demarkacioni në mes të dy shteteve. Sa do të jetë i vështirë ky proces kur kihen parasysh raportet në mes të dy shteteve?
Smaka: Me Serbinë vështirë ishte, është dhe do të jetë. Mirëpo qëndrimi ynë do të jetë i pandryshueshëm që linja administrative e cila ekziston prej vitit 1945-1946 do të jetë linjë për demarkim. Pra, ne nuk do të hyjmë në ridemilitacion, sepse demilitacioni është caktimi i kufirit. Ne do të insistojmë caktim të demarkacionit sipas kufirit të caktuar në vitin 1945-1946. Ne do të jemi konsistentë dhe pala serbe do ta ketë shumë vështirë me neve. Natyrisht se këtë qëndrim do të duhej ta kishte edhe ish-komisioni shtetëror.

“Epoka e re”: Pra, besoni se Kosova dhe komisioni aktual janë të përgatitur profesionalisht për këtë proces?
Smaka: Patjetër se po. Ne jemi të përgatitur profesionalisht dhe teknikisht. Komisioni Badinterit i vitit 1991 e pati sanksionuar ndarjen administrative si ndarje e kufijve politikë. Pra, ata kufij administrativë kanë shërbyer për demarkacion për të gjitha vendet e dala nga ish-Jugosllavia. Në këtë drejtim, ne e kemi edhe aspektin juridik ndërkombëtar në favorin tonë.

“Epoka e re”: Do të jetë e nevojshme ndihma e NATO-s dhe e partnerëve të Kosovës në përcaktimin e kësaj vije kufitare?
Smaka: Në aspektin politik patjetër se do të jetë e nevojshme ndihma e ndërkombëtareve, sepse pa ndihmën e tyre as që do të hapej çështja e demarkacionit me Serbinë, kurse në aspektin profesional nuk besoj se do të këtë nevojë. Ani pse ndihma do të ishte tepër e mirëseardhur, ne jemi kompetentë për ta bërë këtë punë.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Ka tre apo katër vjet…