
Korrupsioni në Ukrainë, 30 për qind ryshfet për dronë të rinj
Në Ukrainë, hetuesit kanë zbuluar një skandal të ri korrupsioni që lidhet me prokurimin e armëve.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU), së bashku me Zyrën e Prokurorit Kundër Korrupsionit (SAP), njoftuan se kishin zbuluar “përvetësim sistematik” të fondeve publike për ushtrinë, si dhe “marrjen dhe dhënien e përfitimeve të paligjshme në një shkallë veçanërisht të madhe”.
Këto janë kontrata me prodhuesit e dronëve të cilat, sipas autoriteteve në Kiev, u lidhën me çmime dukshëm të larta – në dëm të buxhetit shtetëror të Ukrainës.
Sipas informacioneve të deritanishme, janë arrestuar katër të dyshuar – midis tyre, sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, është edhe deputeti Oleksiy Kuznetsov.
Ai i përket partisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski.
Akuzat i referohen edhe disa punonjësve të tjerë të shërbimeve publike në nivel qyteti, si dhe anëtarëve të Gardës Kombëtare.
Këta të fundit u pezulluan nga detyrat e tyre, deklaroi ministri i Brendshëm Ihor Klimenko. Të dyshuarit, siç u tha, lidhën kontrata për blerjen e dronëve për luftën me çmime të tepruara, dhe më pas morën 30 përqind të shumës në formën e ryshfeteve.
Presidenti Zelenski deklaroi se është “mirënjohës” ndaj organeve antikorrupsion për punën e tyre.
“Nuk duhet të ketë tolerancë për korrupsionin, nevojitet bashkëpunim i qartë për të zbuluar ryshfetin – dhe në fund të fundit vendime të drejta për denimin e tij”, tha ai në kanalin e tij në “Telegram”.
“Është e rëndësishme që institucionet të punojnë në mënyrë të pavarur”. Ligji i sapomiratuar të enjten, ofron të gjitha mundësitë për luftimin e korrupsionit dhe ryshfetit.
Me këtë ligj parlamenti ukrainas rivendosi pavarësinë e Zyrës Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Zyrës së Prokurorit Kundër Korrupsionit.
Përpara kësaj, me urdhër të Zelenskit, të dy institucionet u vendosën nën juridiksionin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit. Kjo shkaktoi protesta në vend dhe kritika nga Bashkimi Evropian javën e kaluar.
Korrupsioni dhe shpërdorimi janë probleme të përhapura në Ukrainë. Që kur filloi pushtimi rus më shumë se tre vjet më parë, janë zbuluar disa raste korrupsioni në ushtri dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Prandaj, BE-ja ka kërkuar vazhdimisht që Ukraina të zbatojë reforma nëse dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Në Indeksin aktual të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Ukraina renditet e 105-ta nga 180 vende.
Ka dyshime edhe për zhdukjen në kanale të errëta të ndihmave perëndimore që i dërgohen Ukrainës për të luftuar Rusinë, por deri tani nuk është publikuar ndonjë rast konkret me përmasa të gjëra.