Kosnetti takohet me Kurtin, interesohet për formimin e Qeverisë

28 tetor 2019 | 17:36

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip S. Kosnett, shoqëruar nga këshilltarja politike, Jessica Long dhe shefja e sektorit ekonomik në ambasadën amerikane, Lori Michaelson.

Në këtë takim, z. Kosnett ka shprehur interesimin e tij për ecurinë e bisedimeve rreth formimit të Qeverisë së re, duke uruar që institucionet e Republikës së Kosovës të themelohen sa më parë, në mënyrë që edhe puna për një shtet të së drejtës që lufton korrupsionin dhe zhvillon ekonominë t’i sjellë rezultatet e para.

Ndërsa shefja e sektorit ekonomik në ambasadën amerikane, Lori Michaelson, ka vënë theksin të rëndësia e zhvillimit ekonomik në vend, duke shprehur interesimin dhe mbështetjen e ambasadës për projektet e qeverisë së ardhshme në këtë drejtim.

Në anën tjetër, kryetari Kurti e ka njoftuar ambasadorin Kosnett me ecurinë pozitive të takimeve me LDK-në dhe ka shprehur bindjen se shumë shpejt do të formohet qeveria e re.

Kurti ka thënë se prioritet i Qeverisë do t’i kushtohet sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit të lartë institucional, në mënyrë që t’i hapet kështu rrugë edhe progresit socio-ekonomik.

Përpos luftës ndaj korrupsionit, me Kosnettin dhe Michaelsonin janë ndarë idetë e LV-së për zhvillimin ekonomik të bazuar në politika mbështetëse për bizneset e vogla dhe të mesme në përgjithësi, në prodhimin vendor, dhe në arsimin e lidhur me ekonominë.

Ambasadori Kosnett të hënën është takuar edhe me drejtuesit e LDK-së.

/Epoka e re/

Image may contain: 2 people, outdoor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesi i makinës, i cili është akuzuar në Britani për…